Zoti Ambasador, urat i bashkojnë popujt, nuk i ndajnë, mos është reagim pak si i pavend!

Opinione

Zoti Ambasador, urat i bashkojnë popujt, nuk i ndajnë, mos është reagim pak si i pavend!

Hafiz Shala Nga Hafiz Shala Më 3 korrik 2025 Në ora: 07:56
Ura e Ibrit, e cila, që nga paslufta e vitit 1999, ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë: në Mitrovicë të Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicë të Veriut të banuar me shumicë serbe.

Pse fqinji (gjakatar) shqetësohet, pse pronari ndërton çka të dojë në pronën e tij, të cilit ia vrau policin në mbrojtje të po asaj prone?

Është vërtetë e rëndë kur dëgjon prej disa përfaqësuesëve diplomatikë të cilët ia shohin për të madhe Kryeministrit në detyrë i cili po ndërton ura përafrimi, bashkëpunimi e bashkëjetese mes komuniteteve, që i bie se, për të ndërtuar në tokën e tij, po iu dashka të pyesë fqinjin vrastar i cili, duke ia kontestuar pronën shekullore e cila i takon, qëllimisht kërcënon hapur, duke ia kontestuar edhe shfrytëzimin e saj të cilën për t’u çliruar po nga ai fqinj, e lau me gjak, me pretendime të hapura për ta rimarrë përsëri. Fqiu vrastar, në tentim të përsëritur, edhe pse më parë ia vrau policin duke mos marrë kurrfarë përgjegjësie dhe duke mos u ndëshkuar për aktin kriminal e terrorist, vazhdon me të njëjtin avaz duke iu ankuar Bashkësisë Ndërkombëtare se si mund pronari legjitim të ndërtojë apo të punojë në pronën e tij pa pëlqimin e fqinjit alias Serbisë dhe pa marrëveshje me ndërkombëtarët të cilët, dorën në zemër, aq shumë e kanë llastuar duke e toleruar dhe amnistuar për mosndëshkim për aktet e sponsorizuara shtetërore terroriste.

Qëndrimet e tilla amnistuese ndaj Serbisë, thënë në mënyrë figurative, tentova t’ua shpreh si reagim i cili, për hir të mbajtjes nën kontroll dhe përzierjes në punët e brendshme të një shteti të pavarur e sovran, në një mënyrë, duke krijuar huti, pasiguri dhe dyshime, se moshapja e urës kryesore mbi lumin Ibër – ani pse ajo është dashur të ndodhë që në vitin 2016 sipas marrëveshjeve të përbashkëta – krijon përshtypjen te popullata e gjerë se moshapja e urës kërcënon me ndarjen e pjesës veriore, e cila ishte në gjendje të papublikuara si një lloj korrigjimi që nënkupton krizë të thellë deri në konflikt të paevitueshëm, jo vetëm ndërshtetëror në Ballkan, por edhe më i gjerë.

Fatkeqësisht, deklarata e Ambasadorit gjerman, sipas të cilit ndërtimi i urave shtesë mbi lumin Ibër i quan “përshkallëzuese”, është vërtetë anomali dhe cinizëm politik që në mënyrë indirekte është inkurajim për Serbinë e Vuçiqit, të cilit më së shumti i nevojiten në situatën momentale kaotike të brendshme në tentim të largimit të pushtetit të tij diktatorial. Deklarata të tilla janë "inkurajim" për të ushtruar presion ndaj serbëve të veriut që të krijojnë ekscese lokale për t’i paraqitur para ndërkombëtarëve si “gjendje e padurueshme ndaj presionit shtetëror”.

Vuçiq përseri iu ankohet instancave ndërkombëtare sikur të ishte prona e tij, i cili me gënjeshtrat e sajuara se gjoja po rrezikohet komuniteti serb me qëllim të “përzënies me dhunë” nga Dardania, që në fakt është intentë për themelimin e ndonjë lloj pushteti paralel gjoja për t’iu siguruar qëndrim të qetë, sepse kjo kurrë më parë nuk ka qenë kërkesë e serbëve lokalë, por e Serbisë – me qëllim që, për fillim, të nisë me këtë formë e më pastaj të legalizohet në “institucion paralel legal e legjitim” me qëllim të shkëputjes në mënyrë të njëanshme për t’iu bashkangjitur Serbisë.

Garancionet ndërkombëtare, shikuar në rastin e Ukrainës se si është arritur ajo marrëveshje, nuk mund të merren si të sigurta. Prandaj, në marrëveshjet dhe vendimet e ardhshme zyrtare shtetërore, si kusht, duhet kërkuar që nga Kushtetuta e Serbisë të largohet pjesa ku Republika e Dardanisë figuron si pjesë e saj, e cila do t’i shërbente si atutë për të ndërhyrë ushtarakisht – ani pse jo në momentin – kur për tërësinë territoriale, garantues janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Prandaj, duhet pasur kujdes që një gabim i tillë mund të sjellë te një konflikt në mes dy shteteve, duke krijuar destabilizim jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë, ndërsa për Republikën e Dardanisë, edhe humbje të pjesës më vitale të territorit, për çka nuk ka qytetar i cili mund të pajtohet me këtë.

Përsëri shtrohet pyetja legjitime se: pse po zgjatet hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër?

A duhet që institucionet e Republikës së Dardanisë t’iu përmbahen zhurmave të pipave të individëve të cilët, gjoja në emër të demokracisë dhe shprehjes së lirë qytetare, injorojnë, provokojnë e ofendojnë policinë e shtetit e cila iu siguron rend e qetësi, ndërsa në anën tjetër, po i njëjti individ, fsheh armatim për të përgatitur aktet e radhës terroriste dhe largohet te urdhërdhënësi në Serbi, e cila e strehon, ashtu sikurse të tjerët.

Për të gjitha këto veprime të cilat orkestrohen nën direktivat e Beogradit, bashkësia ndërkombëtare, duke mos e kushtëzuar Serbinë që t’i dorëzojë grupet terroriste me në krye kryeterroristin Radoiçiq dhe 41 të tjerë për gjykim në vendin e krimit, ata heshtin, tolerojnë dhe – merreni me mend – e fajësojnë shtetin e Dardanisë për çfarëdo hapi që merr në kuadër të kompetencave, ndërsa në anën tjetër, sipas propagandës së Vuçiqit, serbët e veriut i sulmojnë organet e sigurisë shtetërore.

Gjithë kjo, nën arsyen se duan që Serbinë ta “shkëpusin” nga orbita ruse, ndërsa në anën tjetër Vuçiqi nuk ndalet me vizitat e tij në Kremlin në shenjë përkrahjeje të Putinit dhe injorimit të Evropës. E Evropa, hesht.

Në aspektin e brendshëm, pas takimit të Presidentes me udhëheqësit e të gjitha partive politike – veprim i qëlluar – duhet që përfundimisht të lëvizin nga pozicionet e tyre partiake, duke i lënë anash interesat për pushtet, pa marrë parasysh sqarimet, komentimet dhe arsyetimet e tyre, por të fillojnë me pjesëmarrjen në seanca dhe duke votuar për ta kryer obligimin kushtetues dhe qytetar.

Seanca e 41-të duhet të jetë fundi i kësaj odisejade të turpshme për botën demokratike dhe të dëmshme për shtetin dhe qytetarin.

Trump do të thoshte: “America First” (Amerika e para), ndërsa ne duhet të themi dhe veprojmë për:

“Dardania e Para.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat