Vjosa ka të drejtë, Radomir Llaban është i rrezikshëm për shtetin

Opinione

Vjosa ka të drejtë, Radomir Llaban është i rrezikshëm për shtetin

Nga: Faton Mehmeti Më: 6 gusht 2025 Në ora: 15:55
Autori Faton Mehmeti

Së fundi, presidentja Osmani e tërhoqi nga Gjykata Kushtetuese kërkesën për interpretim nga kjo gjykatë lidhur me zhvillimet politike. Por, meqenëse ky rast iu besua Radomir Llabanit, presidentja, si shenjë proteste, reagoi. Të kujtojmë se Radomir Llaban, i votuar nga 71 deputetë të PDK-së, AAK-së, NISMËS, AKR-së dhe Listës Serbe, dhe i dekretuar nga presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, u ngjit në pozitën më të lartë të drejtësisë, jo për integritet, por për interes politik e servilizëm ndaj Serbisë. Kur një njeri i dënuar për korrupsion në Serbi, i dyshuar nga institucionet e sigurisë si rrezik për rendin kushtetues, gjen strehë në zemër të drejtësisë në Kosovë – në Gjykatën Kushtetuese – atëherë nuk kemi të bëjmë me një gabim, por me krim institucional të miratuar me vota.

Kur një person me të kaluar të errët, që në Serbi do të duhej të përballej me burg për korrupsion, shpërblehet në Kosovë me post në Kushtetuese, atëherë nuk është çudi pse drejtësia jonë është patericë e pushteteve. Ndërsa shërbimet e sigurisë ngritën shqetësime, Llaban vazhdoi mandatin me fytyrë të ngritur, si simbol i kompromisit politik me nderin e shtetit. Që atëherë, vetëm Lëvizja VV ngriti zërin. Dhe në vitin 2024, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më në fund e refuzoi kërkesën e Llabanit për t’u bërë noter — duke e bazuar këtë në raportet e sigurisë që e përshkruajnë si rrezik për shtetin.

Radomir Llaban është simboli i sistemit të kapur nga kompromisi, ku kushtetuta përdhoset nga votat që mbajnë erë pazari politik dhe nënshtrim. Derisa të mos largohen të tillët nga drejtësia, shteti do të mbetet peng i atyre që e shohin kushtetutën si letër të zbrazët dhe drejtësinë si instrument të pazareve nacionale.

Radomir Llaban është simbol i krimit brenda sistemit të drejtësisë, njeri i rrezikshëm për sigurinë e shtetit dhe, si i tillë, duhet të largohet sa më parë nga pozita që e mban.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat