Ndonjëherë lajmet skandaloze të bëjnë të humbësh arsyen. Në Kosovën e vitit 2025, nuk është vetëm lajmi ai që trondit – por fakti se shumë prej tyre prodhohen enkas për t’u konsumuar, për të krijuar krizë ose për të tërhequr klikime. Statuset në “X” (ish-Twitter), “Facebook Live”-t e improvizuara dhe videot e portaleve nuk janë më pasqyrim i realitetit – ato janë realiteti që prodhohet me vetëdije.
Nga çajtoret e Hamamit te studiot me LED
Në vitet e para të pavrësisë shihnim njerëzit që komentonin politikën mes tymit të duhanit e zhurmës së zarit, sot të njëjtët diskutime zhvillohen në “live stream”-e, ku “like”-u është valuta e re politike. Por narracioni është po ai: kush ka mikrofonin, ka monopolin mbi të vërtetën.
Në këtë mjedis, kemi parë sesi përplasja e presidentes me Gjykatën Kushtetuese, tërheqja e saj nga një kërkesë zyrtare dhe akuzat për delegjitimim të gjykatës nuk trajtohen vetëm si çështje ligjore – por si spektakël politik. Ky spektakël ushqehet nga një industri të tërë mediash të ndara sipas linjave partiake. Dhe rezultatet shihen në statistika: Kosova ka pësuar rënie të ndjeshme në Indeksin e Lirisë së Shtypit të RSF, duke zbritur nga vendi i 75-të në të 99-ën, rënia më e madhe në rajon.¹
Korrupsioni mbetet një plagë kronike, edhe pse ka shenja përmirësimi. Transparency International e vendosi Kosovën me 44 pikë nga 100 në indeksin e perceptimit të korrupsionit për 2024, një nga performancat më të mira në Ballkan, por raporti i Komisionit Evropian thekson të njëjtin problem prej vitesh: ligjet ekzistojnë, por zbatimi është i dobët, sidomos kur bëhet fjalë për gjykime të profilit të lartë. Strategjia kombëtare anti-korrupsion 2024–2027 ende nuk ka dhënë rezultate të matshme.²
Si dikur, edhe sot “patriotët e kostumit” vazhdojnë traditën e “patriotëve me uniformë”: dikur grabisnin depot e shoqërisë, sot menaxhojnë koncesione të dyshimta dhe shesin asete strategjike. Uniforma e vjetër është zëvendësuar nga kostumi i firmës italiane, por dorashka është e njëjta.
Ndërkohë, çështjet strategjike – integrimi në BE, zbatimi real i liberalizimit të vizave, zhvillimi ekonomik – mbeten shpesh dekor në panele televizive. Në vend që të prodhojnë vizion, politikanët prodhojnë narrativë, duke mbajtur publikun të zënë me skandalin e radhës.
Ashtu si shkruaja edhe në vitin 2009: mos tregoni me gisht pa pasur fakte. Sot kjo është edhe më urgjente. Pa prova të ndjekura në gjykata, çdo gjë është thashethem, dhe çdo akuzë bëhet armë politike. Rreziku është që qytetarët të dorëzohen para logjikës së kaosit dhe të pranojnë një demokraci të improvizuar, ku pushteti matet me klikime, jo me rezultate.
Kosovës i nevojiten ende njerëz të mençur, jo vetëm njerëz të famshëm. Sepse nëse dikur politikanët prodhonin lajmet për të marrë vota, sot i prodhojnë për të marrë “views” – dhe kjo është po aq e rrezikshme, sepse në fund nuk ushqehet demokracia, por vetëm egot.