Nuk ka turp më të madh për politikën lokale sesa kur partitë bëhen “zdrukthëtarë të përçarjes” brenda familjeve tona. Në komunën e Vitisë, nominimi i kandidatëve për asamble nuk është më një proces i bazuar në meritë, integritet apo shërbim ndaj qytetarëve, por një lojë e shëmtuar ku kriteri i vetëm është lidhja familjare.
Si është e mundur që në të njëjtën familje, vëllezër e motra, kushërinj e nipa të shfaqen kandidat në parti të kundërta? A nuk e kuptojnë kryetarët e partive se kjo nuk është demokraci, por instrumentalizim i lidhjeve më të shenjta njerëzore familjes, për interesa të ulëta politike?
Ky është turp i madh, mjë turp që bie mbi kryetarët e partive që i kanë lejuar këto nominime pa kriter. Në vend që të mbrojnë harmoninë dhe unitetin e komunitetit, ata po mbjellin përçarje, rivalitet dhe urrejtje brenda shtëpive tona. Politika nuk duhet të ndaje nënat nga bijtë, vëllezërit nga motrat, kushërinjtë nga njëri-tjetri.
Kur nominimet bëhen pa kritere, pasoja janë të qarta:
• Asambletë mbushen me emra të pavlerë, që nuk kanë vizion e as kapacitet për të udhëhequr.
• Qytetarët ndihen të tradhtuar, sepse shohin se vendet përfaqësuese nuk u takojnë më atyre që punojnë me ndershmëri, por atyre që kanë mbiemrin e duhur.
• Familjet dëmtohen, sepse aty ku duhet dashuri, hyn rivaliteti politik.
Ky është krim moral ndaj shoqërisë. Një parti që shkatërron harmoninë familjare vetëm për disa ulëse në asamble nuk ka as moral, as vizion, as të ardhme.
Prandaj, unë them hapur: kryetarët e partive në Viti kanë dështuar. Ata nuk kanë pasur guximin e meritokracisë, por janë strukur pas rehatisë së nepotizmit.
Politika duhet të shërbejë si urë lidhëse mes njerëzve, jo si mjet përçarjeje. Nëse kjo nuk ndryshon, qytetarët e Vitisë dhe të gjithë Kosovës duhet të kuptojnë se ndarja e vërtetë nuk ndodh mes partive, por mes njerëzve dhe ky është turpi më i madh që mund t’i ndodhë një kombi.