Serbia mes zjarrëve: Sanksionet amerikane, protestat masive, shantazhi dhe triumfi i Kosovës

Opinione

Serbia mes zjarrëve: Sanksionet amerikane, protestat masive, shantazhi dhe triumfi i Kosovës

Nga: Beqir Sina, New York Më: 6 tetor 2025 Në ora: 17:28
Autori Beqir Sina

Serbia qëndron në një udhëkryq të flaktë, e rrethuar nga zjarri ekonomik i sanksioneve amerikane ndaj NIS-it, të shtyra deri më 8 tetor 2025, dhe nga varësia ndaj gazit rus që furnizon 80% të energjisë së vendit.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, duke u ulur në “dy karrike” mes Moskës dhe Perëndimit, po luan me zjarrin e retorikës së luftës në Kosovë, siç paralajmëroi më 3–4 tetor: “Do të ketë luftë, të gjithë po përgatiten për të.”

Ndërkohë, sukseset diplomatike të Kosovës në OKB nxjerrin në pah izolimin e Serbisë, që kulmoi me “snub-in” e Vuçiçit në Mar-a-Lago.

A mund të gjejë Beogradi një rrugëdalje, apo do të digjet mes këtyre flakëve?

Sanksionet e Thesarit Amerikan dhe goditja energjetike

Sanksionet e Departamentit të Thesarit Amerikan, të nisura në janar 2025 kundër “Gazprom Neft”-it (pronarit të 44.9% të NIS-it), që duken të pashmangshme, godasin rafinerinë e vetme serbe në Pançevë, me kapacitet prej 4.8 milionë tonësh në vit.

Tubacioni kroat JANAF, që furnizon naftën, ka licencë vetëm deri më 8 tetor, duke rrezikuar mungesë karburanti dhe rritje çmimesh në prag të dimrit. Rezervat dy-mujore ofrojnë lehtësim të përkohshëm, por refuzimi i Serbisë për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë e lë vendin të izoluar, si “dëm kolateral” i luftës në Ukrainë, sipas Vuçiçit.

Familjet serbe rrezikojnë kaos në stacione, ndërsa bizneset po vuajnë nga inflacioni. A po e shtyn ky zjarr Vuçiçin drejt pavarësisë energjetike, apo më pranë Putinit, duke e kthyer “Open Balkan”-in në një ëndërr të shuar?

Retorika e luftës dhe jehona e së kaluarës

Vuçiçi po luan me zjarrin e “dy karrikeve”, duke refuzuar sanksionet kundër Rusisë, ndërsa negocion me SHBA-në për dialogun Beograd–Prishtinë. Por retorika e tij e fundit – “Të gjithë po gërmojnë gropat e tyre, duke pritur luftën e pashmangshme” – duket si shantazh për të fituar kohë, pas takimeve me Sekretarin e Shtetit Rubio dhe liderin e NATO-s, Rutte, më 3 tetor.

Kjo jehonë ngjall fantazmat e Millosheviqit, kohë kur Vuçiçi ishte shef propagande në vitet ’90, duke nxitur urrejtje që çuan në varre masive dhe izolim global.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur këtë “jehonë të rrezikshme të historisë së errët”, duke theksuar se “lufta nuk është mjet udhëheqjeje, por strehë e atyre që kanë humbur legjitimitetin.”

A po e përdor Vuçiçi këtë për të mbajtur elektoratin pro-rus, apo rrezikon të ndezë Ballkanin, duke e shtyrë Serbinë drejt një “epic fail” diplomatik?

Izolimi në Mar-a-Lago dhe triumfi diplomatik i Kosovës

Ky shantazh amplifikohet nga izolimi i fundit, pasi në maj 2025, Vuçiçi mbërriti në Mar-a-Lago për një event të RNC-së dhe darkë donatorësh me Trumpin, duke paguar për akses dhe duke shpresuar për biseda mbi tarifat dhe Kosovën.

Por u largua pa takim, duke e justifikuar me “arsye shëndetësore” – dhimbje gjoksi nga presioni i lartë, kundër këshillës së mjekëve amerikanë. Raportet flasin për “snub” nga shefja e stafit, Susie Wiles, me spekulime se Trumpi refuzoi për shkak të lidhjeve serbe me Rusinë dhe protestave antikorrupsion në shtëpi.

Shtëpia e Bardhë e mohoi si “fake news”, por kontrasti mbetet i hidhur.

Ndërsa Vuçiçi mungon në fotot familjare me Trumpin në OKB, Osmani shkëlqen pranë tij dhe Melanias – simbol i njohjeve globale të Kosovës. Pretendimet serbe për pengim të Prishtinës, si mbështetja nga Somalia, u shpërfillën si propagandë.

A po e shfrytëzon Kosova këtë moment për të fituar më shumë aleatë, duke amplifikuar izolimin serb dhe duke e kthyer Ballkanin në një skenë “proxy” globale? Kjo është pyetja.

Udhëkryqi serb: “Shpëtim apo shkatërrim?”

Serbia, mes zjarreve të sanksioneve, shantazhit të luftës dhe “snub”-ave si ai në Mar-a-Lago, përballet me një dimër që mund të djegë xhepat e qytetarëve dhe ëndrrat për BE.

Vuçiçi, duke intensifikuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën, rrezikon të ndezë kaos rajonal, duke e shfrytëzuar Ballkanin si urë për të anashkaluar sanksionet ruse. Nisma “Open Balkan” rrezikon të shuhet nën peshën e këtyre sfidave.

A do të nxisë ky presion një rrugë drejt pajtimit dhe pavarësisë, apo do ta shtyjë Serbinë më thellë në flakët e historisë?

Dhe, me Kosovën të forcuar, a do të ngrejë Prishtina flamurin e saj më lart – në selinë e OKB-së – duke e lënë Beogradin të digjet mes sanksioneve, protestave masive dhe qëndrimit me “dy karrike”?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat