Shaip Kamberi – deputeti që merr pagë të lartë, por nuk shkon në kuvend!

Opinione

Shaip Kamberi – deputeti që merr pagë të lartë, por nuk shkon në kuvend!

Nga: Kujtim Sadriu Më: 9 tetor 2025 Në ora: 09:52
Kujtim Sadriu

Rezoluta për shqiptarët e Luginës së Preshevës dështoi, dhe bashkë me të u zbulua edhe një herë fytyra e vërtetë e politikës përfaqësuese në Serbi: mungesë serioziteti, mungesë përgjegjësie dhe një paradoks që fyen çdo qytetar të Luginës. Deputeti Shaip Kamberi mungoi në seancën e Kuvendit të Serbisë, me arsyetim familjar – një rast vdekjeje në familje. Deri këtu, gjithçka njerëzore e e kuptueshme.

Por problemi i vërtetë nuk qëndron në këtë mungesë, por në bojkotin e vazhdueshëm që Kamberi e ka kthyer në strategji politike, ndërkohë që vazhdon të marrë rrogë mujore më të lartë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në mungesë të tij dhe të deputetëve boshnjakë, shumica parlamentare hodhi për votim “Rezolutën për pozitën e shqiptarëve të Luginës”, një dokument që do të duhej të ishte i rëndësishëm për fatin e komunitetit shqiptar në jug të Serbisë. Rezultati: dështim total. Në anën tjetër, deputetët boshnjakë që po ashtu bojkotojnë Kuvendin për “arsye politike” — vazhdojnë të marrin pjesë në nisma që lidhen me pasivizimin e adresave dhe me çështje të ndjeshme si vrasjet enigmatike të ushtarëve shqiptarë në ish-JNA. Pra, bojkot kur duhet të flasin për të drejtat e njerëzve, por aktivizëm selektiv kur u leverdis politikisht. Ironinë e situatës e thelloi drejtori i Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, i cili shfrytëzoi mungesën e Kamberit për të ironizuar me “seriozitetin” e nismave të shqiptarëve në Kuvend.

Dhe fatkeqësisht, pati të drejtë në një gjë: mungesa e përfaqësuesit të vetëm shqiptar në momentin më kritik është simbol i një dështimi politik të shumëfishtë. Reagimi i Rahim Salihit, sekretar organizativ i PVD-së, ishte i ashpër dhe i drejtë: ai e quajti këtë “akt perfid dhe tinëzar”, duke theksuar mungesën e vullnetit politik nga ana e Beogradit. Por nuk mund të fshihemi vetëm pas fajit të Serbisë.

Edhe shqiptarët kanë përgjegjësi për mungesën e tyre. Sepse kur deputeti që paguhet më shumë se kryeministri i Kosovës nuk shkon në punë, kur përfaqësuesit e pakicave bojkotojnë aty ku duhet të flasin, dhe kur rezolutat për Luginën dështojnë pa zërin e vetë Luginës, atëherë ky nuk është më vetëm dështim politik — është turp përfaqësimi. Në vend që të luftohet për të drejta, kemi përfaqësim që jeton me paga të majme, retorikë boshe dhe mungesa të zhurmshme. Kamberi nuk mund të jetë zëri i Luginës nëse nuk është në Kuvend. Dhe derisa ky realitet të mos ndryshojë, çdo rezolutë e ngjashme do të ketë të njëjtin fat: dështim dhe zhgënjim. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat