Demonstrata, si ngjarje që në thelb është e natyrës politike, që në nisje, ka prodhuar përçarje të dukshme – fillimisht në opinionin publik dhe në raportet e tensionuara mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, si edhe në qëndrimet e partive politike në të dy vendet. Por tashmë duket se kjo vijë ndarëse po shtrihet edhe më tej: edhe përfaqësuesit e besimeve kryesore fetare në Shqipëri po pozicionohen ndryshe, duke reflektuar jo vetëm dallime bindjesh, por edhe qasje të ndryshme mbi rolin e fesë në çështjet e brendshme politike.
Fakti që Bektashinjtë dhe Myftinia u pozicionuan publikisht, ndërsa Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse zgjodhën heshtjen, e shndërron këtë situatë në një test më të gjerë: a kemi të bëjmë me një ndërgjegje fetare shqiptare të brendshme, apo ende operojmë brenda kufijve të padukshëm që vijnë nga qendrat e jashtme të autoritetit?
Dhe më thelbësorja: po rrezikon kjo ngjarje të kthehet në një pikë tjetër ndarjeje mes nesh – përtej politikës, tashmë edhe në shtresën simbolike të identitetit fetar dhe kombëtar?
Ky është rezultati i veprimeve të pamatura, të pakoordinuara dhe me interesa parciale, që nuk marrin parasysh realitetin më të gjerë politik.
Në vend që të përqendrohemi te çështja themelore – gjykimi në Hagë – po e zëvendësojmë qenësoren me gjeste simbolike që krijojnë njëqind probleme të reja. Ndoshta për ta shmangur thelbin.