“Patriotizëm me pasuri nuk ka”: Kadri Kryeziu zbërthen Bardhyl Mahmutin dhe “sojin e tij”

Opinione

“Patriotizëm me pasuri nuk ka”: Kadri Kryeziu zbërthen Bardhyl Mahmutin dhe “sojin e tij”

Më: 20 tetor 2025 Në ora: 22:21
Foto ilustrim

Polemika e hapur mes Kadri Kryeziut dhe Bardhyl Mahmutit është thelluar në rrjetet sociale. Dy shkrime të njëpasnjëshme të Kryeziut, ish-i burgosur politik dhe pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981, kanë sjellë reagime të forta, ku ai e akuzon Mahmutin për përvetësim të historisë, mungesë burrnie dhe deformim të idealeve të lirisë.

Në shkrimin e parë, me titull “Patriotizmi dhe hajnija nuk futen në një thes”, ai thekson se ata që u ngritën kundër Jugosllavisë nuk e bënë luftën për përfitime personale. Kryeziu e akuzon Mahmutin dhe “sojin e tij” për pasurim pa turp dhe përpjekje për ta shndërruar luftën e drejtë në biznes personal.

Në reagimin e dytë, me titull “Kur hajnat vazhdojnë e flasin për patriotizëm”, Kryeziu mohon rolin e Mahmutit në organizimin e demonstratave të 11 marsit 1981, duke sqaruar se ato kishin rrënjë në lëvizjen studentore të vitit 1968. Sipas tij, Mahmuti nuk ishte pjesë e grupit organizator dhe “ishte vagon, jo lokomotivë”.

Të dy shkrimet e Kryeziut përmbajnë tone të forta akuzuese dhe rikthejnë në vëmendje përplasjet e vjetra brenda radhëve të disidentëve shqiptarë kundër regjimit jugosllav.

Më poshtë i sjellim të plota të dy reagimet e Kadri Kryeziut:

PATRIOTIZMI DHE HANIJA NUK FUTEN NË NJË THES

Nga mënyra si është sjellë, Bardhyl Mahmuti, pa i hyrë në hak, e ka marrë stafetën e shpifjeve kundër meje. Kam pritur që do të reflektonte dhe do të korrigjonte fjalët e tij, por mungesa e burrnisë për ta bërë këtë më zhvesh nga çdo arsye për t’u përmbajtur.
Bardhyli më mirë në një burg. E di fort mirë sa larg mund të shkoj, prandaj ky reagim është vetëm fillimi. Le ta bëjmë si të duan: kur të duan, ku të duan dhe me çfarë të duan, sepse për sojin e Bardhylit nuk jap pesë pare.

Edhe pse dikur ishim të burgosur si disidentë të regjimit jugosllav, me Bardhyl Mahmutin dhe sojin e tij — që përfshin burra të ligë në Kosovë e Maqedoni — unë i kam ndarë rrugët moti. Kontributi i tyre si disidentë, madje edhe pjesëmarrja në luftë, janë venitur përballë pisllëqeve që kanë bërë pas saj.

Ne nuk u ngritëm kundër Jugosllavisë së Titos e pastaj kundër Serbisë së Millosheviqit që disa, sot, ta ndiejnë veten të autorizuar të grabisin, të përvetësojnë e të pasurohen pa fre e pa turp.
Jo! Nuk ua takon. Nuk ua ka takuar kurrë dhe nuk do t’u takojë asnjëherë. Pangopësia, llupësia dhe pisllëqet e këtij soji janë fyerje për vuajtjet që kemi kaluar në burgje, për gjakun që është derdhur dhe për sakrificat e popullit tonë.

Bardhyli dhe soji i tij duhet ta dinë mirë: patriotizmi dhe hajnija nuk futen në një thes. Pikërisht pisllëqet dhe pangopësia e tyre janë arsyeja pse, për një pjesë jo të vogël të popullit, lufta ka marrë shije të hidhur. Ata që e betuan për drejtësi e dinjitet, por më pas e shndërruan luftën në biznes personal, ia kanë prishur njerëzve ëndrrën për lirinë. Dhe ky mëkat nuk u falet.

Populli nuk është kundër luftës çlirimtare, siç përpiqen të thonë ata për t’i larë mëkatet. Populli e nderon luftën, por ka njohur e i ka gjykuar ata që kanë dezertuar nga misioni i saj fisnik. Milionat që kanë mbledhur dhe banditët që mbajnë përreth nuk do t’u bëjnë asnjë dobi, sepse mllefit të popullit nuk mund t’i shpëtojë askush.

KUR HAJNAT VAZHDOJNË E FLASIN PËR PATRIOTIZËM

Parulla “Kushtetutë, Republikë, o me hatër o me luftë” nuk është shpikje e vitit 1981.
Ajo ka gjenezën në demonstratat e vitit 1968. Ne, studentët e vitit 1981, që nuk u pajtuam me luksin dhe glamuorin jugosllav, ishim të edukuar dhe kalitur në frymën që nisi në pranverën e vitit 1968.

Bardhyli nuk mund t’i dijë gjërat që lidhen me organizimin e 11 marsit 1981, sepse ai nuk ka qenë pjesë e grupit organizator. Nuk është e vërtetë që demonstratat e 11 marsit ishin vetëm për “kushte”. Kushte ishin vetëm pretekst për të shpërthyer mllefin, pakënaqësinë dhe disidencën tonë ndaj regjimit jugosllav.

Po, në marshin që bëmë duke dalë nga menza, ne i thamë parullat:
“Duam kushte!”, “Duam Republikë!”, “Lironi shokët nga burgu!” — fjala është për ideologun tonë, Bacën Adem Demaçi.

Pa organizimin tonë, pa veprimin e pesë shokëve që e nisëm demonstratën, nuk do të kishte pasur demonstrata më vonë — ato të fundmarsit 1981 që u rritën dhe u bënë gjithëpopullore. Bardhyli aty ishte vagon, jo lokomotivë.

Dhe jo, Bardhyl, nuk është e vërtetë që nuk ke pranuar pozita. Ti i ke pasur ato — por gjithmonë i pakënaqur, gjithmonë duke kërkuar më shumë. I soji yt, që nuk di kurrë ç’është “boll” e “mjaft”. Kur nuk i arrite ato që dëshiroje dhe nuk munde të grabisësh çfarë synoje, fillove t’i shpallje shokët tradhtarë e spiunë. Kështu i ke bërë të gjithëve — madje edhe Ali Ahmetit. Dhe në fund, ike e u strehuve në Zvicër.

Soji yt — matrapaz, hajdut, llupës pa fre, përvetësues pa kandar — ka përfunduar në bërllokun e historisë. Ju nuk keni më asgjë të përbashkët as me veten tuaj të dikurshme, e lëre më me ndonjë gjë tjetër fisnike. Populli ju ka parë, ju ka njohur dhe ju ka gjykuar. Prandaj sot nuk ju do më askush.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat