Anomalite e kohes: Deputetet i keqperdoren dy milion euro!

Opinione

Anomalite e kohes: Deputetet i keqperdoren dy milion euro!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 22 nëntor 2025 Në ora: 20:51
Ismail Muçiqi

Të ashtuquajturit pseudo-deputetë të ish-Parlamentit të Kosovës, me 54 seanca të dështuara përgjatë mbi shtatë muajve, pa i sjellë vendit asnjë rezultat pozitiv, shpenzuan mbi dy milionë euro për paga dhe mëditje – mjete të taksapaguesve të Kosovës. Ky është turpi më i madh që mund t’i ndodhë një shoqërie në kohën në të cilën po jetojmë. Këta demagogë, të cilët e mbajtën të bllokuar Parlamentin dhe institucionet e tjera të shtetit duke u eksponuar para publikut e duke derdhur "lot krokodili" për fatin e Kosovës, jo vetëm që e lanë shtetin pa institucione, por nuk u turpëruan aspak kur i morën të ardhurat mujore, mëditjet dhe beneficionet e tjera, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo klasë politike i ka tejkaluar të gjitha kodet etike, morale dhe njerëzore – nuk ka nevojë për koment.

Shtrohet pyetja: ku është përgjegjësia dhe ndërgjegja e karakterit të njeriut që quhet deputet (politikan)? Çfarë morali ka një intelektual i vetëquajtur, i cili thirret në emër të popullit, e në anën tjetër e tradhton interesin e qytetarit? Është interesante të theksohet se asnjë deputet nuk doli para opinionit të deklarojë se, për shkak të gjendjes që vetë e krijuan, nuk do të duhej të përfitonin financiarisht, duke marrë paga pa dhënë asnjë kontribut.

Një proverb popullor thotë: “Mirë që ra bora për ti parë tragjet,” e cila në këtë rast shpalos qartë veprat e secilit. Nuk ka dyshim se historikisht populli Shqiptar ka vuajtur nga elitat politike të cilat, për interesa karrieriste e për bajraktarizëm, i kanë sjellë dëme të pariparueshme vendit. Sot, për shkak të papërgjegjësisë, tekeve dhe inateve të pjesës dërrmuese të ish-deputetëve, qytetarët e Kosovës po detyrohen që, në muajin më të ftohtë të dimrit, të dalin përsëri në votime – për herë të tretë brenda një viti.

Ky është një maltretim që qytetarët nuk e meritojnë. Përveç kësaj, buxheti i Kosovës po dëmtohet edhe për 26 milionë euro të tjera, mjete që do të shpenzohen nga institucionet përkatëse dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili edhe ashtu nuk ka arritur të konsolidohet, duke zvarritur proceset e numërimit të votave dhe duke përsëritur një mori lëshimesh nga zgjedhjet paraprake.

Kjo është Kosova e patriotëve të vetëshpallur, e komandantëve, e gjeneralëve, e pseudo-analistëve, e mafisë biznesore, dhe e atyre që ideal të vetëm kanë paranë dhe pasurimin, pa respektuar ligjet, normat dhe interesin e qytetarëve. Andaj ka ardhë momenti që kësaj radhe qytetarët të vetëdisohen se kënë duhet ta votojnë me 28 Dhjetor të këtij viti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat