Kosova sot po përballet me një krizë serioze energjetike, rrënjët e së cilës nuk janë të reja, por lidhen drejtpërdrejt me vendime të gabuara strategjike të qeverive të mëhershme. Një nga momentet kyçe që kontribuoi në këtë situatë ishte shitja e Distribucionit të energjisë elektrike në vitin 2013, kur ai u shkëput nga sistemi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe u privatizua për rreth 26 milionë euro.
Ky veprim rezultoi të ishte një gabim i madh strategjik. Me privatizimin e distribucionit filloi dobësimi gradual i KEK-ut, pasi menaxhimi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë kaloi në duart e një kompanie private jashtë Kosovës. Vendimi u arsyetua atëkohë me narrativa si: pamundësia për të ndalur hajnit e energjisë elektrike dhe mungesa e kapaciteteve për investime në zgjerimin e rrjetit elektroenergjetikë. Në thelb, mesazhi ishte se shteti i Kosovës nuk ishte i aftë të menaxhonte vetë sektorin elektroenergjetik.
Pas kësaj, KEK-u filloi t’ia shesë energjinë elektrike KEDS-it me një çmim prej rreth 26.9 euro për MWh, ndërkohë që e njëjta energji u plasua tek konsumatorët me çmime shumëfish më të larta: për amvisëritë rreth 134% më shtrenjtë, ndërsa për bizneset deri në 245% më shtrenjtë. Ky disproporcion i thellë midis çmimit të blerjes dhe atij të shitjes ka prodhuar pasoja afatgjata për konsumatorët dhe për sigurinë energjetike të vendit.
Për më tepër, në periudhën 2013–2017, konsumi i energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes u rrit në rreth 60% të prodhimit total vendor, që do të thotë se një pjesë disproporcionale e energjisë së prodhuar nga KEK-u përdorej për ngrohje. Për ilustrim, nëse prodhimi mesatar ishte rreth 750 MWh, afërsisht 430 MWh destinonin për këtë qëllim. Një strukturë e tillë e konsumit është e paqëndrueshme edhe për ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Ne duhet ti ndjekim praktikat e vendeve të rajonit, bie fjala në vitin 2020 në Republikën e Sllovenisë, konsumi i energjisë elektrike për ngrohje ishte vetëm 19% nga prodhimi total. Metaforikisht, kjo situatë i ngjan përdorimit të parketit për ngrohje në vend të drurit; një shfrytëzim joefikas i burimeve. Gjatë kësaj periudhe, vendi u qeveris nga koalicione të udhëhequra nga PDK dhe LDK. Ndërkaq, politikat energjetike të ndjekura nga ato dëshmojnë mungesë të një vizioni afatgjatë dhe prioritizim të pamjaftueshëm të interesit publik dhe qëndrueshmërisë energjetike.
Për këtë problem kam paralajmëruar që në prill të vitit 2015, në një artikull të botuar në mediat tona por, atëherë mendoj nuk iu dha rëndësia e duhur. Sot, kriza që po përjetojmë dëshmon se neglizhenca e atëhershme ka prodhuar pasoja reale për qytetarët dhe ekonominë.
Si mund të zgjidhet kjo krizë sot? Natyrisht, jo nga qeveritë e kaluara të mëhershme, por tash jo edhe shpejtë. Ajo që mund të bëjë qeveria e ardhshme është të emërojë një Ministër/e të Energjisë me vizion dhe integritet, i/e aftë të ndërtojë rreth vetes një mekanizëm profesionistësh të përgatitur për të marrë vendime strategjike që përcaktojnë drejtimin e zhvillimit të këtij sektori.