Në nderim të njëzet vjetorit të shkuarjes në amshim të presidentit historik dhe arkitrktit të pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova

Opinione

Në nderim të njëzet vjetorit të shkuarjes në amshim të presidentit historik dhe arkitrktit të pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova

Nga: Major Nazif Ramabaja Më: 21 janar 2026 Në ora: 08:20
Autori Major Nazif Ramabaja

Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, mbetet figura më emblematike, markante dhe shumëdimensionale e historisë moderne të popullit shqiptar të Kosovës. Ai ishte arkitekti i rrugës paqësore drejt lirisë, simbol i mençurisë politike, urtësisë dhe vizionit shtetformues.

Me një filozofi të thellë humaniste dhe orientim të qartë euro-perëndimor, presidenti Rugova e udhëhoqi popullin e Kosovës në kohët më të vështira, duke mbrojtur identitetin kombëtar dhe duke fituar përkrahjen e botës demokratike.

Ai besonte se liria dhe pavarësia arrihen me durim, unitet dhe respekt për vlerat universale të paqes e demokracisë.

Si themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova la një trashëgimi të paharrueshme politike dhe morale.

Emri i tij është i lidhur ngushtë me Dardaninë, me rezistencën paqësore, por jo vetëm me të; ai u bë i adhuruar dhe simbol i aspiratës së përhershme për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përherë në historinë e Kosovës dhe në zemrat e qytetarëve të saj.

Rugova nuk ishte vetëm president, por edhe udhërrëfyes shpirtëror i një populli që besoi në fjalën e urtë, në dialog dhe në të ardhmen. Përveç kësaj, njësitet operative në Rrafshin e Dukagjinit, me kolonel Tahir Zemajn, si dhe komunikuesit e kësaj fjale rasti, e njohën për komandant suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Filozofia politike rugoviane, pra rugovizmi, nuk ka alternativë. Çdo tentim për të shpikur ndonjë rrugë të re, përveç asaj rugoviane, reflekton negativisht në rezultate dhe elektorat, çka u dëshmua edhe kohët e fundit.

Në kohën kur shumëkush e quante Rugovën anti-UÇK, njësitet operative të UÇK-së, nën komandën e ministrit të parë në rrethana lufte, kolonel Ahmet Krasniqi, i dhanë mbështetje të parezervë dhe institucionale. Përveç kësaj, dy shtabet e këtyre njësive, Brigada 134 e udhëhequr nga kolonel Tahir Zemaj dhe Brigada 131 nga Nazif Ramabaja, mbanin në shtabet e tyre në Prapaqan (134) dhe Baran (131) fotografinë e presidentit Rugova.

Fotografia e presidentit Rugova qëndronte në hollin e Parlamentit Evropian si laureat i Çmimit Saharov, ndërsa në të njëjtën kohë ne i bëmë ballë ultimatumeve dyminutëshe për ta hequr foton e presidentit Rugova nga muri në shtabin e Brigadës 131 në Prapaqan, kur të tjerët e largonin foton nga holli i Kuvendit të Kosovës, e madje edhe nga intervistat me gazetarin Cim Peka.

Presidenti Rugova mori mbështetje nga njësitet operative të UÇK-së edhe atëherë kur ishte mbajtur peng, së bashku me familjen e tij të ngushtë, dhe u dërgua pa dëshirën e tij në takim me kasapin e Ballkanit, Millosheviqin, duke u shpallur edhe “tradhtar” nga përfaqësues politikë dhe nga kreu i shtetit amë.

Përkrahja ndaj presidentit Rugova nga njësitet operative të UÇK-së në verën e vitit 1998 u bë konkretisht përmes komunikatave të lëshuara në mes dhe në fund të gushtit nga njësitet operative të UÇK-së në Lugun e Baranit – Baran, ku personalisht veproja me Brigadën 131.

Ja disa nga komunikatat e lëshuara për opinion përmes telefonit satelitor të gazetarit Zekë Sinani, të dërguara në QIK, më konkretisht te Enver Maloku:

Prishtinë, 18 gusht 1998 (QIK)

Popullata, subjektet politike dhe njësitë operative të UÇK-së të Lugut të Baranit, me 25 fshatra nga Raushiqi deri në Nepole, me më shumë se 30 mijë banorë, i japin përkrahje të parezervë presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, dhe grupit negociues të caktuar për bisedime. Kërkojmë që në afat sa më të shkurtër të formohet qeveria dhe institucionet e tjera përkatëse në bazë të vullnetit të popullit, të dalë nga vota e 22 marsit, thuhet në komunikatë.

Kjo trevë nuk njeh kurrfarë grupesh e fraksionesh që dëshirojnë të flasin në emër të popullit të këtushëm. Nuk lejojmë që persona si Demaçi, Qosja, Hajrizi dhe satelitët e tyre të dështuar të luajnë me fatin e popullit, e as të jenë prijës të njësive operative të UÇK-së në Lugun e Baranit. Për fatin e popullit mund të vendosin vetëm ata që kanë bekimin e tij, e ata janë Parlamenti dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, theksohet në komunikatë.

Popullata e Lugut të Baranit, me rreth 20 mijë të strehuar nga regjionet e përfshira nga lufta, do të detyrohet të niset këmbë nëpër postblloqe drejt Prishtinës, sepse nuk mund t’i lejohet askujt të bëjë komoditet politik në emër të popullit, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga subjektet politike të Lugut të Baranit: LDK-ja, PSHDK-ja dhe PPK-ja, kurse në anën tjetër, për njësitë operative të UÇK-së, është nënshkruar komandanti për Lugun e Baranit. Edhe e dyta, siç e dinë në Lugun e Baranit, kam vepruar unë me njësitë operative të UÇK-së, Brigada 131 në Lugun e Baranit: përkrahje vetëm për institucionet shtetërore.

Prishtinë, 25 gusht 1998 (QIK)

Rrok Berisha, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga PSHDK, përcolli me telefon një kërkesë të përbashkët të subjekteve politike, njësive të UÇK-së dhe komuniteteve fetare të kësaj ane, me anë të së cilës kërkohet nga kryetari Rugova që sa më parë të emërojë mandatarin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas vullnetit të popullit, të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të këtij viti.

Në vazhdim të kërkesës thuhet: “Edhe njëherë po potencojmë se dështakët si Demaçi dhe mendimtarët e tij nuk e kanë përkrahjen e këtyre subjekteve dhe të njësive operative të UÇK-së të Lugut të Baranit. Njëherësh theksojmë se presidenti Rugova është i vetmi që gëzon përkrahjen e 98% të popullatës së këtushme, çka do të thotë se ky nuk është president ‘vetëm në letër’, por president i popullit.

Njësitë operative të UÇK-së së Lugut të Baranit nuk pranojnë kurrfarë krahu politik, përveç institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Kërkojmë zhbllokimin e menjëhershëm të të gjitha mjeteve të informimit, e në veçanti të Televizionit Shqiptar – programi satelitor, të financuar nga djersa e mërgimtarëve tanë, dhe ndaj atyre që i keqpërdorën këto mjete, të ndërmerren masa adekuate.

Kërkesës së popullatës shqiptare të Lugut të Baranit i bashkëngjitet edhe popullata shqiptare nga këto fshatra të komunës së Klinës: Grabanica, Bokshiqi, Çeskova, Këpuzi dhe Dollova, fshatra këto që janë shkatërruar dhe djegur nga agresori serb.”

Këtë kërkesë të përbashkët e nënshkruan: Forumi i Intelektualëve Shqiptarë të Lugut të Baranit, përfaqësuesit e klerit katolik Dom Kelmend Spaqi, të fesë islame hoxhë Llukman Geci, tri nëndegët e LDK-së në Lug të Baranit, bashkësitë e degëve të PSHDK-së, degët e PLK-së, Shoqata e Gruas, Forumi i Rinisë i LDK-së dhe njësitë operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Lugun e Baranit.

Komandanti i njësive operative të UÇK-së në Lugun e Baranit – Baran, Brigada 131,
Nazif Ramabaja

Suedi, 21.01.2026

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat