Këta të BDI-së, ditëve të fundit, janë krekosur dhe nuk po përmbahen nga lavdërimet publike se nënkryetari i tyre, Bujar Osmani, është prezent në Capitol Hill të SHBA-ve për të marrë pjesë në ngjarjen tashmë tradicionale “Lutjet e Mëngjesit”. Një ngjarje kjo vërtet e rëndësishme ndërkombëtare, ku nuk merr pjesë vetëm Bujari i BDI-së, por çdo vit marrin pjesë qindra burrështetas dhe politikanë nga vende të ndryshme të botës.
Madje, mediat e afërta me BDI-në, në përpjekje për t’u vetëlavdëruar se një përfaqësues i tyre po merr pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, kanë bërë një tentim të pavend dhe të pabazë për të nënçmuar njërin prej liderëve të VLEN-it, Izet Mexhitin, duke theksuar se ai nuk është i pranishëm në SHBA. Mirëpo, këtu parashtrohet një pyetje tjetër logjike: në rregull, nëse Izeti nuk është ftuar në SHBA, atëherë pse edhe lideri i Bujar Osmanit, Ali Ahmeti, nuk është ftuar gjithashtu për të marrë pjesë në këtë ngjarje shumë të rëndësishme ndërkombëtare?
Pra, le ta pranojmë hipotetikisht pretendimin e BDI-së se gjoja Izet Mexhiti nuk qenka në nivelin e duhur të përfaqësimit ndërkombëtar, por siç u theksua më lart, pyetja e logjikshme dhe me vend përsëritet: pse Ali Ahmeti nuk është pjesë e “Lutjeve të Mëngjesit” amerikane?
Kjo për faktin se përfaqësuesit e BDI-së, për një kohë të gjatë, e kanë lodhur dhe bezdisur opinionin publik duke deklaruar me mburrje e lavde se lideri i tyre, Ali Ahmeti, është personalitet shumë i rëndësishëm, mjaft i fuqishëm dhe me ndikim të madh politik, madje edhe njeri shumë i afërt me SHBA-të.
Nëse kjo është vërtet ashtu siç pretendojnë megafonët e BDI-së, atëherë pse ai nuk u ftua në “Lutjet e Mëngjesit”? Nëse kjo ngjarje organizohet nga Zyra e Presidentit të SHBA-ve, atëherë niveli më i përshtatshëm dhe më adekuat i përfaqësimit të BDI-së do të ishte pjesëmarrja e kryetarit të kësaj partie, Ali Ahmeti, e jo e nënkryetarit Bujar Osmani.
Në fund, duhet theksuar se Izet Mexhiti, gjatë vitit 2025, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë dhe si njëri prej liderëve të VLEN-it, ka qenë i pranishëm në “Lutjet e Mëngjesit”, ndërsa lideri i Bujar Osmanit jo. Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja: pse Ali Ahmeti asnjëherë nuk ka qenë pjesëmarrës në “Lutjet e Mëngjesit” amerikane?