6000 shqiptarë të zhdukur nga diktatura, presin drejtësi zoti kryeministër!

Opinione

6000 shqiptarë të zhdukur nga diktatura, presin drejtësi zoti kryeministër!

Nga: Besim Ndregjoni Më: 10 shkurt 2026 Në ora: 15:38
Autori Besim Ndregjoni

Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, në podcastin e tij (meqë nuk i mjaftojnë mediat që i paguan vetëm për propagandën e tij), me lot krokodili deklaroi se nuk prehen të qetë të vrarët e protestës së 21 janarit dhe kërkoi drejtësi për familjarët e tyre. Të kërkosh drejtësi për një krim shtetëror që kryhet ndaj atyre shqiptarëve që kanë mendim ndryshe dhe nuk e duan një qeveri është më se normale, dhe i jap gjithë mbështetjen time morale qytetare dhe mbështetjen e gjithë ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, bashkëvuajtësve të mi.

Por të kërkosh drejtësi vetëm për ata që ti i ke militantë të partisë tënde dhe të heshtësh ndaj atyre që u është marrë jeta nga ish-partia që trashëgoni ju si Kryeministër, është racizëm politik, që një Kryeministri nuk i lejohet. Përkundrazi, kjo tregon urrejtje klasore ndaj kundërshtarëve politikë, për të cilën diktatura i vrau dhe u mori jetën mbi 6000 qytetarëve shqiptarë nga të gjitha krahinat e vendit.

Si forcë politike, të heshtësh për tre dekada ndaj krimit të hidhur tragjik që i ka ndodhur kombit tënd me humbjen e jetëve njerëzore të bashkëkombësve tuaj, është e papranueshme në një sistem ku jeta është e shenjtë dhe të bën palë me xhelatët që i kryen këto krime.

Heshtja juaj si Kryeministër përballë gjenocidit shtetëror që kreu Partia e Punës e Shqipërisë ndaj mbi 6000 qytetarëve shqiptarë që kundërshtonin diktaturën është këmbanë alarmi për paqen mes shqiptarëve. Këto krime çnjerëzore duhet ta trondisin shtetin e ashtuquajtur demokratik dhe duhet të ndërgjegjësojnë jo vetëm Kryeministrin dhe Kryetarin e opozitës, por çdo shqiptar që flet shqip.

Kush ishin këta shqiptarë që u pushkatuan në kohë paqeje dhe jo lufte? Ata i kishin dhënë kombit pavarësinë, kishin ndërtuar shtetin e parë shqiptar, ishin antifashistët e parë shqiptarë ndaj pushtimit fashist. Ata mbrojtën jetë njerëzore, hebrenjtë, përballë makinerisë çfarosëse të nazizmit, duke rrezikuar jetët e familjeve të tyre. Me veprën e tyre humane e vendosën kombin shqiptar në plejadën e nderit botëror. Këta korifej të lirisë dhe mendimit ndryshe u vranë që Shqipëria të ishte pjesë e Europës, që vendi të kishte sistem demokratik, që qytetarët të kishin lirinë dhe pronën e tyre.

Këta martirë, zoti Kryeministër, sot nuk kanë një varr dhe nuk dihet se ku i kanë kufomat. Jetët e tyre i vrau ideologjia staliniste e diktatorit më famëkeq që ka njohur Europa pas Luftës së Dytë Botërore, kriminelit Enver Hoxha. Ajo ideologji që Europa e dënoi në vitin 1956, fatkeqësisht vetëm Shqipëria, që sundohej nga një parti kriminale staliniste, nuk e dënoi.

Dhe forca politike që doli në vitet ’90 jo vetëm që nuk e dënoi këtë ideologji çfarosëse, por përkundrazi pranoi të kishte bashkëudhëtare në sistemin pluralist partinë që i kreu këto krime. Partia që drejtoni ju, zoti Kryeministër, ndërroi emrin në vitin 1991 dhe u vetquajt Partia Socialiste, të cilën e drejtoni prej 20 vitesh.

Këto familje që provuan plumbat, vuajtjet dhe burgjet politike dhe dolën në liri në vitet ’90, falën që Shqipëria të mos kishte gjak dhe urrejtje, por kërkuan nga partia juaj që të dënoheshin këto krime. Ju si forcë politike ndoqët një rrugë të gabuar, aspak ligjore dhe njerëzore, që nuk i shërbente pajtimit kombëtar. Nën petkun e demokracisë zgjodhët të mbroni ideologjinë dhe diktaturën në rrugën e pluralizmit.

Ju sjellim në vëmendje se para tre muajsh, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shërbim të paqes, shpalli Javën Antikomuniste në nëntor 2025, ku deklarohej:
“Në 34 vitet që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, bota ka dëshmuar si triumfin e demokracisë, ashtu edhe këmbënguljen e tiranisë në forma të reja. Zërat e rinj përsërisin gënjeshtrat e vjetra, duke i veshur ato me gjuhën e ‘drejtësisë sociale’ dhe ‘socializmit demokratik’, por mesazhi i tyre mbetet i njëjtë: ‘Hiqni dorë nga liria juaj, vendosni besimin tuaj te pushteti i qeverisë dhe shkëmbeni premtimin e mirëqenies me ngushëllimin e zbrazët të kontrollit’. Amerika e refuzon këtë doktrinë të ligë.”

A e refuzoi Shqipëria këtë doktrinë të ligë? Jo. Përkundrazi, vazhdoi mbrojtjen e diktaturës duke u fshehur pas gënjeshtrave të pjesëmarrjes së komunistëve në Luftën e Dytë Botërore. Shqipëria heshti ndaj krimeve të diktaturës. Dy forcat politike, PS dhe PD, “formalisht” në vitet ’90 e shpallnin veten antidiktaturë, por gjatë tre dekadave nuk e dënuan diktaturën me ligj.

Zgjodhën heshtjen ndaj krimeve makabre të partisë së diktatorit Enver Hoxha. Pas 35 vitesh, sot janë ndërtuar institucione “formale” demokratike, por të komanduar nga partia-shtet. Sot zgjedhjet janë monopol i partisë dhe jo i popullit. Nga një “shtet demokratik” që menduam në ’90 se do të ndërtonim, sot jemi kthyer në një shtet ideologjik partiak.

Vlerat e individëve i përcaktoni ju si Kryeministër dhe jo kontributi i qytetarëve ndaj kombit. Nëse nuk i përket partisë tënde dhe jetën ta japësh për kombin, nuk mund të quhesh atdhetar, por armik. Edhe diktatura, zoti Kryeministër, bënte zgjedhje “formale” me 99% votuesish; e njëjta gjë po ndodh sot në vendin tonë. Dy parti kanë kapur sistemin demokratik dhe e kanë kthyer në një sistem partiak, dhe nuk e lënë as të jetojë, as të vdesë.

Nëse nuk ke lidhje me diktaturën, kundërshtarit politik nuk i lejohet të votohet, jo më të drejtojë institucione. Sot drejtësia është në kllapi të pushtetit ekzekutiv. Shoqëria civile, media, nëse nuk i shërbejnë pushtetit, penalizohen. Sindikatat nuk ekzistojnë sepse nuk ka ekonomi tregu, por ekonomi formale dhe aspak kapital e biznese që i shërbejnë zhvillimit të vendit.

Militantët që u vranë më 21 janar janë shqiptarë dhe drejtësia duhet të veprojë! Dhe ata djem që u vranë në Vlorë në ’97 nga forcat militante të partisë suaj janë shqiptarë dhe ata duan drejtësi. Por partia juaj, zoti Kryeministër, ata që vranë Besnik Hidrin dhe Lekë Çokun, të përndjekur politikë, vrasësit i bëri deputetë!

Mbi 6000 shqiptarë janë të vrarë dhe të zhdukur, pa u gjetur kufomat. 35 vite presin drejtësi, zoti Kryeministër! Sot, pas 35 vitesh, 6000 bashkëkombës tuaj janë shqiptarë që nuk kanë një varr për t’i nderuar, sepse këta martirë të lirisë nuk janë militantë politikë të forcës suaj politike.

6000 familje shqiptare nuk kanë një ditë kujtese, siç e kanë hebrenjtë, për t’i nderuar jetët e tyre. Mbi gjakun e pafajshëm të këtyre korifenjve, ju politikanët e pas ’90 nuk zgjodhët kujtesën, por harresën. Këta 6000 shqiptarë kërkojnë drejtësi, zoti Rama, dhe drejtuesi i opozitës, Dr. Berisha. Heshtja e pozitës dhe opozitës ndaj krimit të zhdukjes së kufomave të mbi 6000 shqiptarëve ju bën bashkëfajtorë para shoqërisë dhe kombit shqiptar.

Të fshehur nën petkun e demokracisë, luftuat për tre dekada të fshinit krimet kundër njerëzimit. Dhe as nuk skuqeni, as nuk zverdheni si shqiptarë, por silleni si sundues barbarë ndaj këtyre familjeve, vetëm pse ato kundërshtuan diktaturën.

Familjarët e të zhdukurve nuk kërkuan hakmarrje, por vetëm drejtësi. Sjellja e pushtetit ndaj këtyre familjeve, duke u mohuar të drejtat më elementare për gjetjen e kufomës, është krim që sjell pasoja.

Të mendosh se me anën e pushtetit mund t’i fshish krimet dhe të frikësosh shqiptarët të bën bashkëfajtor me xhelatët e djeshëm që i ekzekutuan këto krime ndaj qytetarëve që kërkonin liri. Ku vemi, zoti Kryeministër? Pse hesht Dr. Berisha ndaj krimit komunist?

E vërteta, zoti Kryeministër, nuk mbulohet me pushtet as me dhunë. Ajo është e hidhur, por na bën qytetarë të lirë të këtij vendi. Si mund ta keni ndërgjegjen të qetë kur mbi 6000 shqiptarë nuk kanë mundësi të ndezin një qiri apo të bëjnë një lutje për gjyshin, babain, nënën, motrën, vëllain, dajën? A mund të ketë paqe Shqipëria kur ka 6000 shqiptarë të zhdukur?

Kur lotët e atyre familjeve nuk janë tharë dhe ju, si drejtues të këtij vendi, nuk nderoni jetët e tyre.

Sot, publikisht, ju bëj thirrje juve si Kryeministër dhe Dr. Berishës si Kryetar i opozitës: në emër të të zhdukurve të komunizmit, kërkoni falje publike familjeve të 6000 të zhdukurve të Partisë së Punës së Shqipërisë. Mos pengoni ligjin për të dënuar krimet e komunizmit! E kundërta që keni bërë deri tani ju ka njollosur para kombit për heshtjen tuaj. “Gjaku nuk bëhet ujë”, thotë një fjalë e urtë shqiptare.

Drejtësi për të gjithë shqiptarët që i vrau politika enveriste për interesat e saj! Si katër të vrarët e 21 janarit, ashtu edhe 6000 të vrari e të zhdukurit pa kufoma janë shqiptarë, bashkëkombësit tuaj — kërkojuni falje dhe jepuni drejtësi!

Drejtësia ndaj këtyre shqiptarëve na fut në Europë, sepse këta ishin lajmëtarët e parë të Europës në një kohë kur Shqipëria nuk mund të merrte frymë.

Kemi 35 vite që presim drejtësi për të zhdukurit. Është detyra juaj si Kryeministër dhe e opozitës, që drejtohet nga Dr. Berisha, të dënonit krimet e komunizmit, të kërkoni falje dhe ta drejtoni shoqërinë drejt një pajtim kombëtar. Kur drejtësia të veprojë e barabartë, Shqipëria do të ketë liri dhe paqe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat