Për presidentin/en, opozita po kërkon një kandidat unifikues që do të zgjidhet përmes një marrëveshje apo konsenzusi mes spektrit politik, për ndryshe nuk e japin votën. Mirëpo, opozita, me kandidat unifikues, nënkupton presidentin që rreshtohet dhe i bindet kërkesave dhe apetiteve të partive opozitare, ashtu siç i konstituan institucionet shtetërore, me « marrëveshje » duke manipuluar dhe kontrabanduar vullnetin dhe votën e sovranit. Në kuptimin fisnik të fjalës, figurë unifikuese do të duhej të ishte presidenti/ja që përfaqëson unitetin dhe interesin e popullit dhe shtetit, e jo të dëshirave të opozitës, sepse për dy dekada presidentët janë zgjedhur përmes pazareve politike duke dhënë terminale doganore, poste të ambasadorit, dhe jo vetëm, kurse «president unifikues », Kosova nuk ka patur që nga Ibrahim Rugova.
Duke u nisur nga fakti se, opozita me këmbëngulje është kundër Vjosa Osmanit, dhe se data fatidike për zgjedhjen e presidentit/es erdhi drejt fundit, e vetmja alternativë emergjente, për t’a shpëtuar vendin nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, si kandidat të « sigurtë » që do t’ë votohej edhe nga opozita, në urgjencë, u propozua Murat Jashari, anëtar i familjes legjendare të Jasharajve. Mirëpo, Murat Jashari publikisht deklaroi se nuk ishte i interesuar për postin e presidentit dhe se familja Jashari i takon të gjithë shqiptarëve. Një përgjigje shumë e matur, duke ia bërë me dije politikanëve të papërgjegjshëm se familja Jashari refuzon të bëhet pjesë e lojrave të ndyta politike. Konsideroj se, është e papranueshme, skajshmërisht e papërgjegjshme dhe e pandershme që, për t’a shpëtuar vendin nga një krizë të ardhshme institucionale, propozohet Murat Jashari si « gomë rezervë », sidomos kur dihet se edhe dy herë më parë në zgjedhjen e presidentit kjo familje është manipuluar në të njejtën mënyrë. Ky është keqpërdorim dhe manipulim me familjen Jashari për qëllime politike, vetëm e vetëm, për t’ia plotësuar egon dhe epshet primitive politike të opozitës së inkriminuar, e cila për shkaqe inati nuk don t’a votojë Zonjën Osmani.
E gjithë kjo maskaradë dhe cirk po bëhet nga matrapazët politik që sunduan dhe shkatërruan shtetin për interesa dhe përfitime personale, me qëllim që Zonja Osmani mos të zgjidhet edhe për një mandat, edhe pse, ata e dinë shumë mirë se ajo ka shkëlqyer në prezentimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe se për momentin Zonja Osmani nuk ka konkurencë reale e as alternalivë.
Koalicioni i LVV-ës në krye me kryeministrin Kurti, pa kalkulime politike, duhet t’a përkrahin kandidaturën e Zonjës Osmani, sepse konstalacionet ndërkombëtare e imponojnë një figurë që përkrahet, jo vetëm nga qytetarët, por që preferohet dhe pranohet nga faktori ndërkombëtar. Vjosa Osmani ka dëshmuar se posedon aftësi politike, përvojë në diplomaci, ka kontakte të privilegjuara me SHBA-të si asnjëherë më parë, në veçanti me presidentin Trump, është e çmuar në ambintin diplomatik, mbrojtëse e fuqishme dhe pa kushte e sovranitetit dhe pavarsisë së Kosovës. Kam bindjen e thellë se në mandatin e ardhshëm, Zonja Osmani do t’i shtyjë dhe intensifikojë përpara preçeset eurointegruese të Kosovës si askush tjetër, sepse ka ndërtuar një imazh, autoritet, besueshmëri dhe raporte politike me politikanët më të fuqishëm të botës perëndimore. Ajo do të garantojë kontinuitetin e angazhimeve të suksesshme në arenën ndërkombëtare, krijimin dhe forcimin e aleancave të reja nëpër botë.
Në të kundërtën, nëse kryeministri Kurti nuk e propozon dhe përkrahë kandidaturën e Zonjës Osmani, konsideroj se, së pari, humbësi më i madh do të ishte Kosova si shtet, dhe së dyti, LVV-ja dhe LDK-ja, të cilat elektorati do t’i konsideroj si fajtor kryesor për mos zgjedhjen e Zonjës Osmani. Sëkëndejmi, nëse dështon Zonja Osmani, ajo do të konsiderohej si viktimë e kalkulimeve të padrejta politike, do të fitonte një simpati të madhe në elektorat, dhe me subjektin e saj politik që do t’a formonte, gjykoj se, do t’a tërhiqte një pjesë të elektoratit të LVV-ës, LDK-ës, Listës « Guxo », dhe jo vetëm, dhe një zgjedhjet e ardhshme do të shndërrohet në një parti të konsoliduar.
Opozita është deklaruar se kanë mundër të kenë kandidatët e tyre, por pa i bërë publike emrat dhe pa u debatuar për kompetencat, begraundin dhe aftësitë që mund t’i kenë, përballë Vjosa Osmanit.
Është e pakuptimtë se LDK-ja si partia humbëse, i propozon marrëveshje koalicionit LVV-ë për zgjedhjen e presodentit/es, duke iu kërkuar që, kandidatin duhet t’a propozojë LDK-ja, kurse koalicioni i LVV-ës duhet t’a pranojë dhe votojnë ! Kjo nuk është marrëveshje, por imponim, kushtëzim dhe nënshtrim i papranueshëm.
Edhe pse opozita deklarohet se nuk ka vota për Vjosa Osmanin, ajo është e obliguar, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, të qëndrojë në sallën e Kuvendit gjatë votimit, kurse se si do të votojnë, është e drejtë e deputetëve. Çdo largim i deputetëve nga salla gjatë votimit duke mos e bërë kuorumin, do të konsiderohej si sabotim në zgjedhjen e institucionit të presidentit/es, si një grushtshtet në heshtje, që do t’a çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mirëpo besoj se kjo nuk do të ndodhë, sepse do të ishte një rrezik dhe barrë shumë e madhe për opozitën, e cila në zgjedhje eventuale do të pësonte edhe më keq.
Prandaj, duke u nisur nga fakti se zgjedhja e presidentit gjithnjë është bërë përmes pazareve politike, siç kam shkruar edhe vite më parë, është koha e fundit që kjo çështje të trajtohet në mënyrën më serioze dhe më të qëndrueshme, përmes Referendumit, duke u deklaruar sovrani drejtëpërsëdrejti.