Libri në duart e një fëmije në rrugë – pasqyra dhe akuza e një shoqërie

Opinione

Libri në duart e një fëmije në rrugë – pasqyra dhe akuza e një shoqërie

Nga: Ilir Çumani Më: 9 mars 2026 Në ora: 13:49
Autori Ilir Çumani

Ndonjëherë shohim skena që na kalojnë përpara syve tanë si fragmente të zakonshme të jetës urbane, por që në thelb mbartin një dramë të heshtur njerëzore.

Janë momente që nuk bëjnë zhurmë dhe nuk kërkojnë vëmendje me forcë, por që, sapo i sheh, të mbeten gjatë në kujtesë si një pyetje e hapur që kërkon një përgjigje.

Një nga këto skena është ajo e një fëmije të vogël në rrugë, ndoshta duke kërkuar kafshatën e bukës për të mbajtur gjallë ditën e tij, ndërsa në duar mban një libër.

Image
Libri në duart e një fëmije në rrugë

Është nga ato çaste që, në pamje të parë, vjen si një kontrast i fortë ku përballë të shfaqen bashkë edhe varfëria edhe dija, nevoja dhe ëndrra, realiteti dhe shpresa.

E, pikërisht ky kontrast e bën skenën edhe më të thellë e tronditëse, ngase aty, në mes të asfaltit të ftohtë, në bulevardin e qytetit, në mes të zhurmës së makinave dhe nxitimit të kalimtarëve, shfaqet një figurë e vogël që duket sikur mbart mbi shpatulla një pyetje të madhe për shoqërinë tonë.

Ai fëmijë nuk flet. Nuk bën thirrje dhe nuk kërkon me zë të lartë, por vetëm qëndron i vendosur në atë që di dhe do të bëjë. Në atë qëndrim të heshtur ka diçka që të kujton figurën e një filozofi të vogël të rrugës, pa tribunë, pa auditor, pa librari të mëdha përreth, por me një libër në duar dhe me një jetë që e ka vënë shumë herët përballë provës së ekzistencës.

Kjo skenë është pothuajse një nga metaforat e gjalla që në çdo kohë ka frymëzuar dhe frymëzon shumë poetë, shkrimtarë, kineastë apo kompozitorë.

Libri në duart e një fëmije që kërkon bukën e përditshme është simboli më domethënës i dy botëve që shpesh ecin paralelisht, por rrallë takohen me drejtësi: bota e dijes dhe bota e mbijetesës.

Në teori, qytetërimi modern premton që këto dy botë duhet të bashkohen, që dija duhet të jetë rruga për të dalë nga varfëria. Por realiteti shpesh na tregon një tjetër tablo: dija dhe varfëria ndonjëherë takohen në të njëjtin trotuar, por pa e ndryshuar menjëherë fatin e njëra-tjetrës.

Prania e një fëmije të tillë në rrugë është një pasqyrë e një shoqërie që ende nuk ka arritur të mbrojë më të brishtët. Fëmija, që në çdo kulturë konsiderohet simbol i së ardhmes dhe i pafajësisë, këtu shfaqet si një qenie e detyruar të përballet me realitetin shumë më herët seç duhet.

Në vend që të jetë i ulur në një bankë të një klase të ngrohtë, në një oborr shkolle, në një botë ku loja dhe mësimi janë pjesë e natyrshme e rritjes, ai ndodhet në trotuarin e një qyteti që ecën me shpejtësi, shpesh pa e vënë re.

Një skenë e tillë përmban një dramë të thellë të formimit të hershëm të vetëdijes. Fëmijët që përballen me vështirësi të tilla zhvillojnë shpesh një maturi të parakohshme.

Ata mësojnë shumë shpejt se bota nuk është gjithmonë e drejtë, se mbijetesa kërkon përpjekje dhe se shpresa nuk është gjithmonë një premtim i sigurt.

Dhe pikërisht në këtë përplasje mes pafajësisë dhe realitetit lind një forcë e veçantë e shpirtit njerëzor: aftësia për të ëndërruar edhe kur rrethanat janë të vështira.

Libri në duart e atij fëmije është ndoshta simboli më i fortë i kësaj force. Ai libër mund të jetë i thjeshtë, mund të jetë i vjetër, ndoshta edhe i përdorur nga dikush tjetër. Por në të njëjtën kohë, ai përfaqëson një dritare drejt një bote tjetër, ku mendimi është i lirë, ku imagjinata hap horizonte dhe ku njeriu mund të projektojë një të ardhme ndryshe nga e tashmja.

Figura e fëmijës me librin në rrugë është një simbol i përhershëm i tensionit mes kulturës dhe kushteve materiale të jetës.

Historia e njerëzimit ka treguar vazhdimisht se kultura dhe dija shpesh lindin edhe në kushtet më të vështira.

Bibliotekat e mëdha të qytetërimeve nuk janë ngritur gjithmonë në kohë begatie; shpesh ato kanë lindur nga nevoja e njeriut për të kuptuar botën dhe për t’i dhënë kuptim vuajtjes dhe përpjekjes së tij.

Në këtë kuptim, ai fëmijë nuk është vetëm një figurë e varfërisë, por edhe e shpresës, sepse fakti që në duart e tij ndodhet një libër do të thotë se, pavarësisht gjithçkaje, dija ka arritur deri tek ai. Dhe dija, edhe kur është e brishtë, edhe kur është e vetmuar, mbetet gjithmonë një farë që mund të mbijë.

Por prania e tij ngre një pyetje që nuk mund të shmanget: çfarë vlere ka qytetërimi ynë, nëse një fëmijë duhet të mbajë njëkohësisht në duar librin dhe nevojën për bukë? Çfarë kuptimi kanë zhvillimi, teknologjia dhe përparimi, nëse trotuaret e qyteteve tona vazhdojnë të jenë vendi ku fëmijëria përballet me realitetin më të ashpër të jetës?

Këtu fillon edhe ana tjetër e medaljes – ajo që lidhet me përgjegjësinë politike dhe morale të shoqërisë, sepse varfëria e fëmijëve nuk është vetëm një tragjedi individuale apo familjare; ajo është gjithashtu një tregues i dështimeve të një sistemi.

Një shoqëri që lejon që fëmijët të përballen me rrugën shumë herët, ndërkohë që institucionet e saj flasin pa pushim për zhvillim, reformë dhe progres, duhet të pyesë veten me ndershmëri për thelbin e këtij progresi.

Shpesh, në sallën e parlamentit, në zyrat dhe sallat e komisioneve parlamentare, si dhe në ambientet e qeverisë apo Presidencës, politika e ditës zhvillohet përmes debateve të shterpëta e të zhurmshme, përplasjeve retorike dhe sherrnajave të pafundme, që ngjajnë më shumë me duelin e egove sesa me përpjekjen për të zgjidhur problemet reale të shoqërisë.

Në vend që energjia e institucioneve të përqendrohet tek plagët e vërteta sociale – varfëria, pabarazia, mungesa e mundësive për fëmijët – ajo shpesh shteron në luftëra politike që ushqejnë më shumë interesat personale sesa interesin publik.

Në këtë teatër të lodhshëm të politikës së ditës, ku protagonizmi individual shpesh zë vendin e përgjegjësisë kolektive, harrohen pikërisht ata që kanë më shumë nevojë për mbrojtje: fëmijët. Ata nuk kanë zë në parlament, nuk kanë fuqi në vota, nuk kanë tribunë për të kërkuar të drejtat e tyre. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, shpesh mbeten në periferi të vëmendjes së politikës.

Ndërkohë që disa politikanë humbasin kohën në debate pa produkt dhe në luftëra të pafrytshme për pushtet, realiteti i përditshëm vazhdon të prodhojë skena si ajo e fëmijës me librin në rrugë. Një realitet ku varfëria nuk është vetëm mungesë e të ardhurave, por shpesh edhe pasojë e abuzimeve me pushtetin, e aferave korruptive dhe e një sistemi ku interesat private vendosen përpara interesit publik.

Në këtë kuptim, imazhi i fëmijës në trotuar bëhet edhe një akuzë e heshtur morale ndaj një klase politike që shpesh e harron misionin e saj themelor. Sepse politika, në thelbin e saj më të pastër, duhet të jetë arti i shërbimit ndaj njerëzve, jo mekanizmi i pasurimit të disave në kurriz të shumë të tjerëve.

Kur pushteti përdoret për përfitime personale, kur korrupsioni gërryen institucionet dhe kur përgjegjësia publike zëvendësohet nga ambicia individuale, viktimat më të mëdha janë pikërisht ata që nuk kanë asnjë faj: fëmijët. Ata paguajnë çmimin e një sistemi që nuk funksionon siç duhet, të një drejtësie që shpesh vonon dhe të një politike që shpesh harron pse ekziston.

Megjithatë, edhe përballë këtij realiteti të ashpër, libri në duart e atij fëmije mbetet një simbol i papërkulur i shpresës, ngase historia e njerëzimit ka treguar se ndryshimet më të mëdha shpesh kanë lindur nga vetëdija e re e brezave të rinj. Nga fëmijë që, pavarësisht vështirësive, kanë gjetur te dija një rrugë për të ndryshuar fatin e tyre dhe, ndonjëherë, edhe fatin e shoqërisë.

Prandaj, ndoshta ajo skenë e thjeshtë në dukje ka një domethënie shumë më të thellë sesa mund të mendohet në fillim. Ajo është një pasqyrë ku shoqëria mund të shohë veten: me arritjet, me dështimet, me premtimet dhe me përgjegjësitë e saj.

Dhe ndonjëherë, për ta kuptuar këtë, nuk nevojiten analiza të gjata apo shpjegime të ndërlikuara. Mjafton një moment i thjeshtë: një fëmijë në trotuar, një libër në duar dhe një heshtje që flet më shumë se çdo fjalë.

Ndodh që vetëm një fotografi të duket vërtetë si një libër më vete ku shkruhen mijëra e mijëra fjalë. Ndonjërëherë edhe më shumë se kaq; që vjen si një akuzë morale për të gjithë shoqërinë…

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat