Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe nevoja për eliminimin e zbraztirave juridike që i ka ligji për përdorimin e gjuhëve

Opinione

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe nevoja për eliminimin e zbraztirave juridike që i ka ligji për përdorimin e gjuhëve

Nga: Ejup Berisha Më: 11 prill 2026 Në ora: 20:07
Ejup Berisha

Si po qëndron kjo punë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut? Ajo është zyrtarizuar, por e njëjta nuk mund të përdoret zyrtarisht, sepse disave nuk po u pëlqen veprimi i “zyrtarizuesve” të saj. Prandaj, disa shqiptarë tërë kohës trumbetojnë se e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe, ndërsa disa të tjerë thonë se ajo nuk është zyrtarizuar. Pra, këta të dytët nuk u besojnë fjalëve të zyrtarizuesve të gjuhës shqipe.

Paramendoni, kemi ardhur në një situatë delikate: gjuha shqipe në RMV mund të përdoret në komunikim zyrtar, sepse ka ligj për përdorimin e saj, por në anën tjetër nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Dhe tani, çështja thelbësore që parashtrohet para të gjithë shqiptarëve është: a është zyrtare gjuha shqipe në vendin tonë apo nuk është? Në mesin tonë ka një debat, por ai është shterp, sepse zhvillohet vetëm verbalisht, në relacionin “është” dhe “nuk është”, pa argumente reale dhe konkrete.

Kur jemi te pyetjet, duhet të parashtrohet edhe një tjetër, dhe ajo është kjo: nëse është zyrtarizuar, pse gjuha shqipe kontestohet nga disa? Pse po ndodh ky kontestim? Kur jemi te çështja e zyrtarizimit, gjithashtu duhet pyetur edhe kjo: po të ishte gjuha shqipe me të vërtetë zyrtare, a do të mund ta kontestonte dikush atë këtu te ne?

Të mos keqkuptohem: tentime për kontestim ka pasur dhe ka, por mundësi për kontestim real nuk do të kishte, nëse kjo do të ishte rregulluar si duhet me ligj. Pra, jo, nuk do të kishin mundësi dhe as të drejtë ta kontestonin as kontestuesit e tjerë e as disa shqiptarë që po e kontestojnë të njëjtën.

Këtu është shumë e dukshme se diçka nuk është e qartë. Të jeni të bindur se, po të ishte i rregulluar si duhet me ligj përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, atëherë atë askush nuk do të mund ta kontestonte, e lëre më ta pamundësonte. Ripërsëris: në çështjen e zyrtarizimit të gjuhës shqipe ka diçka që ka mbetur e pasaktësuar apo e paqartësuar si duhet. Ose duhet thënë se në dispozitat ligjore të ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve ekzistojnë disa zbrazëti juridike.

Prandaj, diçka nuk është në rregull jo vetëm me ligjin në fjalë, por edhe me debatet ekzistuese që po zhvillohen në opinion në vendin tonë rreth zyrtarizimit apo moszyrtarizimit të gjuhës shqipe. Po të ishte gjithçka në rregull me të njëjtin ligj, as ata të palës maqedonase që vuajnë nga “rejting-mania” nuk do të mund ta kontestonin, e lëre më disa shqiptarë të tjerë që janë ngritur në këmbë jo të mbarë dhe e kontestojnë gjuhën tonë shqipe të “zyrtarizuar”.

Kështu që çështja kryesore është: a është zyrtarizuar gjuha shqipe si duhet dhe sa duhet këtu në RMV apo jo? Të gjitha lëvizjet dhe ngjarjet e fundit rreth kësaj çështjeje, që i kanë ngritur në këmbë të gjithë këtu në RMV, lënë të kuptohet se gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar ashtu si është dashur të zyrtarizohet, sepse përndryshe kundërshtitë e sotme nuk do të kishin asnjë bazë të shëndoshë, as juridike e as jo juridike, që të lindnin. Pra, të njëjtat do të ishin pa bazë e pa vend.

Gjuha shqipe dhe ekzistimi i kushtit për ta përdorur atë në nivel zyrtar

Në bazë të ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve këtu në RMV, gjuha shqipe mund të jetë në përdorim zyrtar, por me kusht, dhe ai është ky: nëse në një territor të caktuar ka 20 për qind të pjesëtarëve të një bashkësie etnike që e flasin një gjuhë të caktuar, atëherë gjuha që e përdorin pjesëtarët e saj mund të jetë zyrtare.

Pra, për këtë arsye edhe gjuha shqipe mund të përdoret zyrtarisht vetëm nëse plotësohet kushti i 20 përqindëshit. Prandaj gjërat duhet të thuhen realisht dhe ashtu siç janë, pa tendenca. Ndërsa, nëse duhet të thuhet e vërteta, ajo duhet të thuhet domosdoshmërisht, dhe dikush këtu e ka për obligim që ta thotë atë.

Dhe realiteti është ky:

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe nuk është rregulluar si duhet dhe sa duhet me ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Disa dispozita të ligjit në fjalë janë të përgjithshme dhe të paqarta në formulim, prandaj krijojnë konfuzion gjatë interpretimit të tyre.

Ka zbrazëti juridike në ligjin ekzistues për përdorimin e gjuhëve.

Gjuha shqipe mund të përdoret zyrtarisht, por vetëm nëse plotësohet kushti. Prandaj debati rreth kësaj çështjeje duhet të zbresë nga selitë e partive politike te baza, pra te qytetarët.

Është më mirë dhe me vend që rreth saj, me kompetencë të plotë dhe me dituri të mjaftueshme, të debatojnë ekspertët juridikë dhe ata gjuhësorë, e jo të dëgjohen vetëm komentet dhe sqarimet e politikanëve të të dyja taboreve politike – atyre maqedonase dhe atyre shqiptare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat