Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pak ditë para se ta dorëzojë detyrën, në mënyrë klandestine ndau mbi 200 dekorata për individë dhe institucione të ndryshme. U interesuam të dimë se cilat ishin kriteret dhe kujt iu ndanë dekoratat nga kabineti i ish Presidentes, por asnjëherë nuk arritëm të marrim përgjigje, pasi që faqja e saj si Presidente është mbyllur në mënyrë joligjore.
Për këtë, kryetarja e tanishme e Parlamentit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e kritikoi ish-presidenten Vjosa Osmani, e cila e ka riemëruar faqen zyrtare të Presidentes në Facebook pas përfundimit të mandatit të saj. Zonja Haxhiu ka deklaruar se faqet zyrtare në rrjetet sociale janë pronë e institucioneve dhe jo e individëve.
Trajtimi i faqeve zyrtare si pronë individuale është gabim, duke shtuar se institucionet janë të obliguara të informojnë qytetarët për punën e tyre. U interesuam të dimë më shumë për përbërjen e anëtarëve të komisionit, por fatkeqësisht në faqen e kabinetit të ish-presidentes thuhet se emrat e anëtarëve të Komisionit për Dekorata nuk janë të publikuar në mënyrë zyrtare.
Shtrohet pyetja: çfarë kuptimi kanë dekoratat dhe çfarë vlere e besueshmërie mund të kenë ato, derisa nuk jepen publikisht emrat e anëtarëve të komisionit apo CV-të e kësaj përbërjeje, e cila harton listat për individë dhe institucione pa transparencë për qytetarët e këtij vendi? Është interesante të theksohet se u interesuam disa herë përmes email-eve për të ditur se kush ishte kryetari i Komisionit për Dekorata, por nuk arritëm që në mënyrë zyrtare të njoftohemi.
Më thotë mendja se kjo formë e komunikimit nga institucioni më i lartë i shtetit është e papranueshme dhe e pafalshme. Kështu, përditë e më shumë po dëshmohet se nuk po mbetet kush në këtë vend pa u koritur. Ekziston dyshimi i bazuar se ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka qenë drejt e njoftuar për personat meritorë dhe institucionet e propozuara për dekoratë nga ana e këtij komisioni enigmatik, ku thuhet se emrat e anëtarëve të tij nuk janë të publikuar në faqen zyrtare.
Andaj, e vërteta është se faqet zyrtare në rrjetet sociale janë pronë e institucioneve dhe jo e individëve, duke e theksuar rëndësinë e transparencës institucionale. Kështu, me vite disa institucione të shtetit kanë punuar “shkel e shko”, me improvizime, duke favorizuar individë të caktuar pa e arsyetuar punën dhe veprimtarinë e tyre në jetën publike.
Në fund, po theksojmë se po dëshmojmë që jemi një shoqëri me plot defekte, dukuri këto që kanë depërtuar thellë deri në kabinetet e institucioneve më të larta, si rasti i përpilimit të listës së komisionit enigmatik pranë kabinetit të ish-presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Askush në politikën e Kosovës dhe në institucionet e shtetit nuk është pa gjynahe.