Në historinë moderne të Shqipërisë, pak periudha kanë prodhuar kaq shumë shpresë dhe njëkohësisht kaq shumë zhgënjim sa këto 35 vite të pluralizmit politik.
Breza të tërë hynë në vitet ’90 me bindjen se rrëzimi i diktaturës do të sillte jo vetëm lirinë politike, por edhe drejtësi sociale, shtet ligjor, meritokraci dhe dinjitet njerëzor.
Asokohe, të gjithë besuan dhe shoresuan se pluralizmi do të hapte rrugën e një republike ku pushteti do t’i nënshtrohej qytetarit dhe jo qytetari pushtetit.
Por pas më shumë se tri dekadash, Shqipëria vazhdon të përballet me një pyetje të rëndë dhe të pakëndshme: a u ndërtua vërtet demokracia, apo thjesht një sistem i ri kontrolli me emra dhe flamuj të ndryshëm?
Dy partitë kryesore që alternuan pushtetin përgjatë më shumë se tre dekada, ndonëse u paraqitën vazhdimisht si kundërshtare të papajtueshëm, në thelb ndërtuan një mekanizëm pothuaj identik sundimi.
Rotacioni politik nuk solli ndryshim sistemi, por prodhoi vetëm ndërrimin periodik të administratorëve të të njëjtit model pushteti.
Përplasjet e tyre publike shpesh kanë qenë të ashpra në retorikë, por në momentet kyçe historike ato kanë ditur gjithmonë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të mbrojtur strukturën nga e cila ushqeheshin të dyja.
Kështu, në emër të demokracisë, gradualisht u konsolidua një oligarki politike dhe parapolitike.
Shteti pushoi së qeni instrument i qytetarëve dhe u kthye në pronë e dy partive kryesore që e dominuan skenën politike shqiptare. Administrata u politizua deri në qelizë. Drejtësia dhe media u përdor sipas interesit të radhës.
Ekonomia u deformua nga klientelizmi, koncesionet selektive dhe lidhjet mes pushtetit politik e kapitalit ekonomik.
Ndërsa mediat, në pjesën më të madhe, u shndërruan në zgjatime propagandistike të qeverisë ose të opozitës së radhës.
Qytetari mbeti gjithmonë në fund të zinxhirit: i pambrojtur, i papërfaqësuar realisht dhe gjithnjë e më i zhgënjyer nga politika.
Një nga tragjeditë më të mëdha të tranzicionit shqiptar nuk ishte vetëm varfëria ekonomike, por deformimi psikologjik dhe moral i vetë shoqërisë.
Shqiptarëve iu kultivua për vite me radhë bindja se politika nuk ndryshon dot, se çdo alternativë është e kotë dhe se pushteti është një mekanizëm i mbyllur ku hyn vetëm ai që pranohet nga sistemi.
Kjo prodhoi një shoqëri të lodhur, cinike dhe të demoralizuar, ku emigracioni masiv u kthye jo vetëm në arratisje ekonomike, por në akt mosbesimi ndaj shtetit dhe së ardhmes.
Kur propaganda tradicionale nisi të humbte efektin e saj, sistemi ndërtoi forma më të sofistikuara kontrolli.
U krijuan figura parapolitike, “alternativa” të fabrikuara, lëvizje të kontrolluara dhe spektakle morale që synonin jo ndryshimin real, por kanalizimin dhe neutralizimin e revoltës qytetare.
Në vend që të hapej gara politike, u zgjerua iluzioni i pluralizmit, ndërsa mekanizmi real i pushtetit mbeti pothuaj i pandryshuar
Por instrumenti më i sofistikuar i ruajtjes së këtij pushteti gjatë këtyre 35 viteve ka qenë vetë Kodi Zgjedhor.
Në teori, ai duhet të ishte garancia themelore e barazisë politike dhe e përfaqësimit demokratik.
Në praktikë, ai u shndërrua gradualisht në një mekanizëm mbrojtës për dy partitë kryesore, një mur i pathyeshëm juridik i projektuar jo për të garantuar demokracinë, por për të kontrolluar hyrjen në të.
Sa herë që sistemi ndjeu rrezik nga forca të reja politike apo nga lëvizje qytetare jashtë kontrollit tradicional, rregullat e lojës ndryshuan, jo për të zgjeruar përfaqësimin, por për ta kufizuar atë.
Pragjet elektorale, formulat e shpërndarjes së mandateve, administrimi i zgjedhjeve, kontrolli mbi komisionet, financimi i partive, koalicionet parazgjedhore dhe listat e kandidatëve u përdorën si instrumente inxhinierie politike në funksion të mbijetesës së establishmentit.
Kodi Zgjedhor në Shqipëri rrallëherë është ndërtuar mbi filozofinë e përfaqësimit të drejtë.
Ai është negociuar në forma okulte pothuaj gjithmonë si një marrëveshje pushteti mes dy forcave të mëdha politike, të cilat, pavarësisht retorikës publike, janë bashkuar sa herë që është dashur të mbrojnë monopolin e tyre mbi sistemin.
Pikërisht këtu qëndron paradoksi më i madh i tranzicionit shqiptar: partitë që para publikut shfaqen si armike ekzistenciale, në momentet vendimtare janë bërë bashkautore të të njëjtit model mbyllës.
Përmes ndryshimeve të njëpasnjëshme të Kodit Zgjedhor, politika shqiptare ndërtoi një demokraci me hyrje të kontrolluar.
Qytetarëve iu dha e drejta për të votuar, por jo domosdoshmërisht mundësia për të zgjedhur realisht. Sepse zgjedhja fillonte të kufizohej që në projektimin e rregullave të garës
Listat e mbyllura prodhuan deputetë që i detyroheshin kryetarëve dhe jo qytetarëve. Kandidatët nuk konkurronin më për besimin e elektoratit, por për favorin e udhëheqjes partiake.
Kjo deformoi vetë thelbin e përfaqësimit parlamentar dhe e ktheu Kuvendin në një strukturë gjithnjë e më pak të pavarur dhe sovrane, ku individi politik humbi identitetin përballë disiplinës së verbër partiake.
Ndërkohë, partitë e vogla dhe lëvizjet e reja u përballën me barriera pothuaj të pakalueshme. Jo sepse mungonte mbështetja qytetare, por sepse sistemi ishte projektuar që energjia e revoltës të fragmentarizohej dhe të mbetej jashtë qendrave të vendimmarrjes.
Miliona vota përgjatë viteve janë deformuar nga formulat matematikore të mandateve ose janë shpërdoruar nga logjika e polarizimit artificial që i shërben vetëm dy poleve tradicionale të pushtetit.
Në thelb, Kodi Zgjedhor u përdor si një formë moderne kontrolli politik: jo më përmes dhunës së hapur të regjimeve autokrate, por përmes manipulimit procedural të vetë demokracisë.
Parë në këtë kënvështrim, ky është deformimi më i rrezikshëm i një sistemi politik, sepse krijon iluzionin e lirisë ndërsa kontrollon rezultatet përmes strukturës së lojës.
Në aspektin sociologjik, kjo ka prodhuar pasoja të rënda për vetë kulturën demokratike të shoqërisë shqiptare.
Kur qytetarët kuptojnë se rregullat shkruhen nga ata që përfitojnë prej tyre, lind ndjesia e pafuqisë kolektive. Vota nis të humbasë kuptimin moral dhe demokracia reduktohet në një ritual formal pa besim real.
Pikërisht kjo është arsyeja pse sot një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk ndihen më qytetarë aktivë të republikës, por spektatorë të një sistemi të mbyllur ku pushteti riciklon vetveten.
Dhe megjithatë, edhe sistemet më të forta mbartin brenda vetes krizën e tyre. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk rrëzohet fillimisht nga goditja e madhe; ai çahet fillimisht nga krisja e parë.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia simbolike e çdo force antisistem që arrin të depërtojë në hapësirën e mbyllur politike.
Jo domosdoshmërisht sepse ka ende fuqinë të ndryshojë gjithçka, por sepse thyen mitin se sistemi është i pathyeshëm.
Në të vërtetë, frika më e madhe e establishmentit nuk është humbja e një pale zgjedhjeje, por shembja e besimit kolektiv te përjetësia e pushtetit të tij, ngase momenti kur qytetarët kuptojnë se mekanizmi mund të sfidohet, është pikërisht çasti kur fillon çlirimi politik i shoqërisë.
Sot Shqipëria nuk përballet vetëm me krizë ekonomike apo institucionale, por më së shumti e mbi të gjitha me krizën e besimit.
Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk besojnë më te partitë tradicionale që kanë sunduar arenën politike, as te zgjedhjet, as te drejtësia, as te meritokracia dhe as te mundësia reale e ndryshimit.
Në një shtet që humbet besimin e qytetarëve të vet, nis gradualisht të humbasë edhe legjitimitetin moral mbi të cilin mbështetet.
Por historia nuk mbyllet me cinizëm, sepse shoqëritë sado të manipuluara dhe të frustuata të jenë, nuk jetojnë pafundësisht në nënshtrim. Sa më shumë që pushteti përpiqet të blindojë vetveten përmes kodeve, pragjeve, propagandës dhe kontrollit institucional, aq më shumë rritet energjia e revoltës që grumbullohet nën sipërfaqe.
Ndoshta ligjet mund të kontrollojnë përkohësisht mekanizmat e përfaqësimit, por nuk mund të neutralizojnë pafundësisht ndjenjën e padrejtësisë që grumbullohet në vetëdijen e një populli.
Pyetja më e rëndësishme që duhet të bëjë sot çdo shqiptar nuk është më se: “Cila parti do të vijë në pushtet?”, por: “A mund të ndërtohet më në fund një republikë ku pushteti t’i frikësohet qytetarit dhe jo qytetari pushtetit….?!”