Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më së fundmi, më 14 prill 2026, ka deklaruar me bindje se “nuk ka korrupsion në vende ku ka rritje ekonomike!?” Ka të ngjarë që kjo thënie apo pandehmë e tij, mbështetur në një parim teorik, me raste shumë të rralla përjetimi apo vërtetimi, “të ketë bërë me vështrue njeri-tjetrin të verbrit dhe me u gajas edhe krejt të shurdhrit nga të dy veshët” Sepse, në SPAK e GJKKO dosjet e korrupsionit në porte, aeroport, inceneratorë; miniera, në “Bankers Petrolium”, nëpër plazhe, kulla, rrugë, sheshe, spitale, depo farmaceutike dhe ushqimore; në dogana, supermarkete...janë në stiva më të larta se shtati kryeministror...!?
Ndryshe nga sa mendojnë kryeministri Edi Rama dhe disa që i mbajnë iso..., analizat dhe statistikat tregojnë se ka korrupsion në nivele shqetësuese edhe në vende që vetëmburren ose vlerësohen për nivele të lartë rritjeje ekonomike, përfshirë edhe Shqipërinë.
Sipas FMN-së, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2026, para nisjes së luftës së SHBA dhe Izraelit kundër Iranit dhe fluturimit drejt qiellit të çmimeve të karburanteve e të shumicës së ushqimeve, ilaçeve, artikujve të higjienës dhe kozmetikës..., të shumicës së shërbimeve komunale...,parashikohet të jetë jo 3.6%, sa nxitoi ta publikonin mediat proqeveritare të Tiranës, por 3.4%-3.2%. Nuk mund të vlerësohet si shifër e lartë, sidomos edhe nga fakti se deri më sot nuk ka dhënë efekte të ndjeshme pozitive në rritjen e nivelit të të ardhurave mujore dhe vjetore si dhe të jetesës së shumicës së popullit, aq shumë sa të mos ketë më si në dhjetor 2025 hapësirë për korrupsion të lartë.
Siç dihet, përpilimi i indeksit të korrupsionit bazohet në disa aspekte të shfaqjes apo veprimit të tij, përfshirë ryshfetin, kryesisht në formën e shpërndarjes së parave ose të përfitimeve për të ndikuar në vendimmarrje; devijimin e fondeve publike; përdorimin e fondeve që janë paraparë për shërbime publike në mënyrë të pasaktë ose të paligjshme; keqpërdorimin e funksioneve zyrtare e publike për përfitime private...
Përveç këtyre janë edhe burokracia e tepërt, procedurat administrative të ndërlikuara, që mund të krijojnë mundësi për korrupsion; emërimet nepotike; mungesa e zbatimit të ligjeve dhe e sinqeritetit për deklarimin e pasurive; mbizotërimi i grupeve të fuqishme që kontrollojnë shtetin për përfitime private; mungesa e transparencës.
Analizuar apo verifikuar nivelin e vërtetë të korrupsionit në Shqipëri mbi bazën e këtyre kritereve dhe duke qenë të informuar se janë shkelur e vazhdojnë të shkelen me të dy këmbët, nuk i jepet e drejtë dhe besueshmëri askujt, as kryeministrit Edi Rama të mendojë dhe mburret se rritja ekonomike rreth 3.% në prill 2026 e rreth 3.6-3.2% në dhjetor 2026, do të na shpëtojnë nga fenomeni, sindromi apo “përbindëshi” i korrupsionit!
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i Transparency International për vitin 2025 e ka vlerësuar Shqipërinë me 39 pikë, nga 42 pikë që kishte në vitin 2024. Shqipëria ka humbur kështu 3 pikë e ka rënë me 11 vende në renditjen globale të Transparency International.
Në raportin e vitit 2025, Shqipëria renditej e 80 mes 180 vendeve, ndërsa sot renditet e 91-ta. Kosova është vlerësuar me 43 pikë, duke shënuar një rënie për një pikë krahasuar me 2024. Gjithsesi, Kosova renditet 15 vende më mirë se Shqipëria, e 76-ta në botë nga gjithsej 182 vende, apo tri pozita më poshtë se më 2024.
Sipas raportit të Transparency International arsyet e këtij përkeqësimi për të gjitha vendet e Ballkanit gjenden tek përqendrimi i pushtetit në 1-2 duar; ndikimi i padrejtë i institucioneve qeverisëse mbi gjyqësorin dhe presioni ndaj shoqërisë civile, “harresa” apo mungesa e transparencës.
Në vitin 2025, ekonomia e dytë më e madhe e globit, ekonomia kineze, shënoi një rritje të qëndrueshme prej 5 përqind...Sipas informacioneve të freskëta nga Kina, edhe me këtë rritje ekonomike të lartë, ky vend nuk mund të mburret para vetes dhe botës se ka shpëtuar nga tentakulet e korrupsionit!?
Sipas Komisionit Qendror për Inspektimin e Disiplinës dhe Komisionit Kombëtar të Mbikëqyrjes, gjatë vitit 2025 në Kinë u hetuan më shumë se një milion raste korrupsioni dhe u ndëshkuan 938 mijë persona...Sipas agjensive kineze dhe asaj britanike Reuters, në fund të javës së parë të majit 2026, dy ish-ministrat e Mbrojtjes Wei Fenghe dhe Li Shangfu u dënuan me vdekje për korrupsion në fatura të mëdha.
Në fund të vitit 2025, Irlanda regjistroi rritjen më të fortë në krahasim me vendet e tjera të OECD-së, me rreth 10.%. Pas saj vijnë Turqia me 3.6% dhe Polonia me 3.4-3.6%, vend ku rastet e korrupsionit kanë ardhur në rrallim të vazhdueshëm. Më i freskëti është me burim nga Kontrolli i lartë i shtetit, (NIK) në fillim të prillit 2024.
Sipas një relacioni për prokurorinë polake, ish-kryeministri, Mateusz Morawiecki, në kuadër të dhënies së subvencioneve për komunat, i ka shkaktuar buxhetit të tyre një humbje në rreth 1 miliardë euro. Qeveria e kryeministri Donald Tusk u zotua që do ti ndëshkojë të gjithë ata që akuzohen për shkelje të ligjit gjatë qeverisjes tetëvjeçare të koalicionit PiS.
Por, deri tani ka mbetur në fushën e fjalëve...!? OECD parashikon që Turqia do të ketë rritjen më të lartë në vitin 2027 midis 27 vendeve evropiane me 4%. Për të kuptuar se sa nivel të lartë korrupsioni ka vendi ynë na ndihmon krahasimi me 3 vende që kanë nivelet më të ulët, saktësisht, Danimarka, e para për nivelin më të ulët( me 89 pikë) për të tetin vit radhazi, e ndjekur nga Finlanda (88) dhe Singapori (84), Pandehma apo përralla e kryeministrit Edi Rama se “ nuk ka korrupsion në vendin ku ka rritje ekonomike” ka gjetur zbatim në Singapor, por ndryshe nga Shqipëria me SHTET LIGJOR të vërtetë dhe funksional dhe me DREJTËSI, që nuk telekomandohet nga kryeministri.
Ekonomia e këtij qyteti-shtet më 2025 shënoi rritje të fortë prej 4.8% në vitin 2025, duke tejkaluar pritshmëritë. Sektori i shërbimeve dhe teknologjisë (AI) ishin faktorët kryesorë. Singapori njihet si një nga vendet më pak të korruptuara në botë, duke u renditur rregullisht në pesëshen e parë globale.
Qeverisja karakterizohet nga toleranca zero ndaj korrupsionit, paga të larta për zyrtarët për të parandaluar ryshfetin joshës për korrupsion dhe një sistem i fortë ligjor. Korrupsioni është bërë temë në gjykata e media në një rast të rrallë të vitit 2023, që përfshiu S. Iswaran, ish-ministrin e Transportit, i pari ministër që u dënua me një vit burg, në gati 50 vjet, me akuzën e pranimit të dhuratave të paligjshme.
Është shprehës dhe shqetësues fakti se sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik, kanë treguar rënie edhe disa vende me performancë të fortë prej kohësh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara , Kanadanë , Mbretërinë e Bashkuar dhe Suedinë.
Indeksi i vitit 2025 zbuloi se numri i vendeve që shënuan mbi 80 pikë — dikur një pikë referimi për qeverisje të pastër e korrupsion minimal — është zvogëluar ndjeshëm nga 12, që ishte një dekadë më parë në vetëm pesë këtë vit. Njëkohësisht, është dhënë alarmi se korrupsioni po i hap gjithnjë e më shumë derën krimit të organizuar për të depërtuar në politikën e Amerikës Latine.
Prej tyre është vënë në dukje me shqetësim se edhe Kosta Rika dhe Uruguai - të konsideruara prej kohësh demokracitë më të forta të rajonit me renditjet më të larta të CPI-së - tani po përjetojnë llojet e presioneve të korrupsionit të vërejtura në Kolumbi, Meksikë dhe Brazil.
Sipas një raporti nga Transparency International, “nivelet e korrupsionit janë "të larta, të qëndrueshme dhe të vështira për t'u ulur, kur korrupsioni bëhet sistematik dhe i ngulitur thellë si në strukturat politike. ashtu edhe në ato administrative". Francois Valerian, shef i Transparency International, e shpjegoi më tej këtë për DW, në intervistën e tij më 10 shkurt 2026: "Sa më i përqendruar të jetë pushteti juaj, aq më i lartë është abuzimi me pushtetin. Dhe sa më sekret të jetë pushteti juaj, aq më e lehtë është të abuzoni me atë pushtet."
Duhet theksuar se indeksi i ri i korrupsionit për vitin 2025 nuk pasqyron pjesën më të fundit të dosjeve korruptive të Jeffrey Epstein dhe të efekteve apo reflektimeve të tyre, të cilat kanë implikuar zyrtarë në disa vende....Transparency International vuri në dukje gjithashtu se regjimet autoritare, përfshirë ato në Venezuelë dhe Azerbajxhan, kanë performancën më të keqe në renditje, pasi "korrupsioni është sistemik dhe manifestohet në çdo nivel". Në indeksin e fundit, më shumë se dy të tretat e kombeve ranë nën 50, gjë që shpreh se ka "probleme serioze të korrupsionit në shumicën e pjesëve të planetit". Po sipas këtij raporti vendet e renditura nën 25 janë kryesisht të prekura nga konflikti dhe regjimet shumë shtypëse, duke përfshirë Libinë, Jemenin dhe Eritrenë, të cilat u vlerësuan të gjitha me nga 13 pikë, së bashku me Somalinë dhe Sudanin e Jugut, të cilat u vlerësuan të dyja me nga nëntë pikë.
Pra, mesazhi apo përgjigja dalin vetvetiu: rritja e lartë ekonomike nuk e ul në minimum e jo më ta zhdukë krejt korrupsionin! Kushdo që e mendon dhe e thotë këtë deh, ekstazon, gënjen... jo vetëm vetveten!