Hec e bjeri në fije disa shqiptarëve, jo vetëm këtu te ne, por edhe në vendet e tjera të rajonit. Këta, sa mbyll e hap sytë, u ngjesin etiketa njerëzve të tjerë. Fjalën e kam për etiketa shumë të rënda dhe ofenduese, e jo për ato pak më të lehta. Dhe çfarë është më e çuditshme, të njëjtët këtë veprim e bëjnë pa menduar, pa analizuar dhe pa logjikuar mirë, drejtë dhe mjaftueshëm. Kështu, pa kaluar shumë kohë, ata e marrin guximin dhe vetëautorizohen për t’i etiketuar njerëzit e tjerë.
A ka etiketë më të rëndë dhe më të shëmtuar se t’i thuash dikujt spiun apo tradhtar? Jo, nuk ka. Dhe për ta nuk është me rëndësi nëse njeriu që etiketohet është i ndershëm apo patriot, por me rëndësi është se ata, si etiketues, kanë shprehur dëshirë dhe kanë vendosur të etiketojnë dikë. Pastaj nuk është e rëndësishme nëse etiketuesi e njeh mirë dhe prej kohësh të etiketuarin, por për ta ai tani e tutje do të jetë tradhtar apo spiun, pavarësisht se faktet mund të dëshmojnë të kundërtën.
Vlen të thuhet se kjo praktikë e etiketimeve të shpejta, pa bazë dhe pa vend, është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Pse disa njerëz u ngjesin etiketa të tjerëve? Do të thoja se në të shumtën e rasteve kjo bëhet për inat, bile edhe për çejf të etiketuesit. Mjafton vetëm të mos u shkojnë për shtat dikuj, dhe ky i fundit me procedurë të përshpejtuar do ta etiketojë dikë keq dhe rëndë.
Për këtë arsye, dua të theksoj se ngjitja e etiketave nuk është e ndaluar dhe e shëmtuar vetëm nëse, në saje të sjelljeve dhe veprimeve reale dhe konkrete, dikush spiunon e tradhton realisht. Pra, në këtë rast etiketimi bëhet me bazë, me fakte reale dhe me dëshmi konkrete, pra është në rregull etiketimi. Por kjo duhet ndaluar rreptësisht nëse etiketuesi etiketon me tendencë apo kot, vetëm për ta etiketuar dikë pa vend.
Prandaj, gjeni dhe prezantoni spiunët dhe tradhtarët e vërtetë të kombit, por mos i etiketoni njerëzit kot dhe pa lidhje. Mos e bëni këtë gjë me njerëzit e ndershëm dhe patriotët e vërtetë dhe të denjë, sepse ky veprim është i dëmshëm dhe i shëmtuar, jo vetëm për njerëzit që etiketohen pa vend dhe pa të drejtë, por edhe për kombin në përgjithësi, sepse krijohet revoltë dhe amulli e kotë, gjë që është e panevojshme.
Dhe për fund, do të marr guximin të them se jo që sot njerëzit këtu te ne nuk po merren me tradhti dhe spiunazh, por me këto veprime kohëve të fundit po etiketohen njerëz pa fakte e pa argumente reale.