Një shtet nuk humbet vetëm atëherë kur pushtohet nga ushtri të huaja. Ndonjëherë humbjet më të mëdha fillojnë në heshtje: me nënshkrime, me marrëveshje politike, me votime parlamentare dhe me ngritjen e një kartele në emër të “interesit shtetëror”. Historia ka treguar se kufijtë rrallë zhduken me një goditje të vetme; më shpesh ata gërryhen gradualisht nga vendime të cilat në kohën kur merren duken procedurale, por me kalimin e viteve shndërrohen në plagë politike.
Është domethënëse se edhe Kushtetuta e vitit 1974 e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në Nenin 3, përcaktonte:
“Territori i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e Kuvendit Krahinor.”
Ky nuk ishte thjesht formulim teknik juridik. Ishte një parim politik: territori nuk trajtohet si pasuri private dhe as si monedhë negociimi. Edhe në kohën kur Kosova nuk ishte republikë e pavarur, por një krahinë autonome brenda Jugosllavisë, ekzistonte vetëdija se kufijtë përfaqësonin identitetin, sovranitetin dhe të drejtën historike.
Ironia historike qëndron pikërisht këtu: në vitin 1974, një Kosovë pa sovranitet të plotë kishte të shkruar në kushtetutën e saj mbrojtjen institucionale të territorit; ndërsa në Kosovën e pavarur, disa deputetë pranuan të hyjnë në procese që u perceptuan nga një pjesë e madhe e opinionit si dëmtim territorial.
Debati për demarkacionin me Malin e Zi dhe çështjet tjera kufitare mbetet ende i diskutueshëm. Institucionet shtetërore dhe komisionet zyrtare kanë deklaruar se nuk ka pasur humbje territori, ndërsa kundërshtarët politikë dhe ekspertë të caktuar kanë pretenduar se Kosova humbi rreth 10,800 hektarë në total, duke përfshirë pretendimet për rreth 8,300 hektarë ndaj Malit të Zi dhe rreth 2,500 hektarë ndaj Maqedonisë së Veriut. Këto shifra mbeten pjesë e debatit politik dhe nuk paraqesin konsensus të pakontestueshëm.
Por përtej numrave, mbetet pyetja më e rëndë: a e përmbushën deputetët detyrimin e tyre kushtetues dhe moral për mbrojtjen e territorit?
Deputeti nuk zgjidhet për të qenë makinë votimi. Ai nuk është i thirrur të shërbejë si zgjatim i vullnetit të liderëve partiakë. Ai është zgjedhur si garantues i interesit publik dhe si mbrojtës i sovranitetit të shtetit. Kur vjen puna te territori, barra e përgjegjësisë bëhet edhe më e madhe, sepse një ligj mund të ndryshohet nesër, një qeveri mund të rrëzohet, por kufijtë e shtetit mbeten pas shumë më gjatë sesa mandatet politike.
UÇK-ja nuk luftoi për tkurrje territoriale dhe as për krijimin e një shteti me kufij të paqartë. Lufta u zhvillua për liri, dinjitet dhe për të drejtën e popullit që të jetojë i lirë në tokën e vet. Prandaj shumë qytetarë vazhdojnë ta shohin me dhimbje çdo proces që perceptohet si lëshim territorial.
Historia shpesh është më e ashpër se gjykatat dhe më e pamëshirshme se debatet e ditës. Ajo nuk pyet se kush ishte në pushtet, kush ishte në opozitë dhe as kush kishte shumicën e votave. Ajo pyet vetëm një gjë:
Kur ngritët dorën për të votuar, a e mbrojtët territorin që ju ishte besuar, apo mbrojtët interesin politik të çastit?