Pushteti është privilegj, por më shumë është obligim

Opinione

Pushteti është privilegj, por më shumë është obligim

Nga: Ejup Berisha Më: 3 qershor 2026 Në ora: 15:59
Ejup Berisha

Pushteti sa është dëshirë dhe privilegj, po aq është edhe bartje e përgjegjësisë si dhe detyrim për të vepruar në realizimin e premtimeve të dhëna ndaj qytetarëve. Pra, pushteti është më shumë kjo e dyta sesa e para.

Si individ dhe si grup individësh, kur ndodhen në pushtet, ata duhet të angazhohen që të zgjidhin probleme reale, e jo të mos zgjidhin asgjë ose të zgjidhin vetëm pjesërisht. Kur je në pushtet, duhet të adresosh çështje konkrete që janë nevojë e domosdoshme për shtetin dhe qytetarët. Kur zgjidhet një çështje, në radhë vjen menjëherë çështja tjetër. Pushtetarët, në këtë rast, nuk duhet të kenë hapësirë për mosveprim apo për zgjatje të pafund të afateve të zgjidhjes së problemeve.

Në të kaluarën, kur ka qenë përpara çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, kjo është dashur të bëhet si duhet dhe në mënyrë të plotë. Në këtë mënyrë, pushtetarët do t’i hapnin rrugë zgjidhjes së çështjeve të tjera, siç është përdorimi i simboleve kombëtare. Pasi të zgjidhej kjo çështje, ata është dashur të vazhdonin më tutje.

Nuk është mirë që pushtetarët t’i zgjidhin çështjet pjesërisht, por ato duhet t’i mbyllin plotësisht. A e kanë pasur përpara çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike në RMV? Po, por si është zgjidhur kjo çështje? Është zgjidhur me përfaqësim të tepruar partiak dhe të pabalancuar.

Këtu, disa subjekte politike kanë ngritur shumë çështje më herët për t’i zgjidhur, por fatkeqësisht shumicën e tyre i kanë zgjidhur në mënyrë gjysmake, ndërsa disa nuk i kanë zgjidhur si duhet. Edhe pse kanë deklaruar se i kanë zgjidhur tërësisht, kjo shpesh nuk ka rezultuar e vërtetë. Prandaj, sot shqiptarët përballen ende me probleme dhe vështirësi në RMV.

Edhe njëherë: çfarë është pushteti? A është më shumë privilegj apo obligim?

Pushteti mund të shihet si privilegj, por edhe si obligim; megjithatë, kuptimi i tij i vërtetë shprehet më së miri përmes përgjegjësisë që ai imponon. Nga njëra anë, pushteti është privilegj sepse u jep atyre që e ushtrojnë të drejtën të marrin vendime të rëndësishme, të menaxhojnë shoqërinë dhe të ndikojnë në jetën e shumë njerëzve. Pushtetarët shpesh kanë prestigj, autoritet dhe mundësi më të mëdha, gjëra që nuk janë në dispozicion të qytetarëve të zakonshëm. Kjo është arsyeja pse shumë e shohin pushtetin si një pozitë të veçantë që sjell përparësi të caktuara.

Nga ana tjetër, pushteti është para së gjithash një detyrim. Personat që mbajnë funksione shtetërore dhe publike duhet të punojnë në interes të qytetarëve, të respektojnë ligjet dhe të marrin vendime në të mirën e përbashkët. Çdo vendim i tyre mund të ketë pasoja të mëdha, ndaj përgjegjësia është shumë e madhe. Qëndrimi në pushtet kërkon ndershmëri, përkushtim dhe gatishmëri për t’i shërbyer shtetit dhe shoqërisë, e jo interesave personale.

Prandaj, mund të konkludohet se pushteti është një privilegj, por më shumë është obligim. Vlera e vërtetë e pushtetit nuk qëndron në privilegjet që ofron, por në mënyrën se si përdoret ai për të mirën e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat