Uniteti kombëtar dhe sfidat e fragmentimit politik në hapësirën shqiptare

Opinione

Uniteti kombëtar dhe sfidat e fragmentimit politik në hapësirën shqiptare

Nga: Nehat Hyseni Më: 4 qershor 2026 Në ora: 18:27
Nehat Hyseni

Në historinë moderne të kombit shqiptar, pak vlera kanë pasur rëndësi më të madhe sesa uniteti kombëtar.

I ndarë padrejtësisht në gjashtë shtete të Ballkanit dhe i shpërndarë në diasporë në të gjitha kontinentet, kombi shqiptar ka mbijetuar dhe ka ruajtur identitetin e tij falë ndjenjës së përkatësisë së përbashkët, solidaritetit kombëtar dhe vetëdijes historike se liria, barazia dhe zhvillimi nuk mund të arrihen pa bashkëpunim ndërshqiptar.

Për shqiptarët, uniteti nuk është vetëm slogan politik apo aspiratë romantike. Ai është nevojë ekzistenciale, kusht për mbijetesë dhe faktor i pazëvendësueshëm i avancimit kombëtar. Për këtë arsye, uniteti shqiptar duhet ruajtur si gjëja më e shtrenjtë, si sytë e ballit, sepse çdo përçarje e brendshme është një fitore për ata që historikisht kanë synuar dobësimin e faktorit shqiptar në Ballkan.

Megjithatë, uniteti kombëtar nuk duhet kuptuar si uniformitet politik apo ideologjik.

Përkundrazi, ai duhet të jetë një unitet demokratik, pluralist dhe shumëdimensional. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe diasporë kanë realitete të ndryshme politike, juridike dhe institucionale. Secili segment i kombit përballet me sfida specifike dhe ka nevojë për mekanizma të veçantë për realizimin e interesave të veta.

Prandaj, uniteti kombëtar duhet të ndërtohet mbi respektimin e demokracisë, autonomisë politike dhe përfaqësimit autentik të secilës pjesë të kombit.

Askush nuk duhet të pretendojë monopolin mbi interesin kombëtar, as të imponojë orientime politike mbi shqiptarët që jetojnë në shtete të ndryshme në Ballkan.

Një ndër parimet themelore të bashkëpunimit demokratik ndërmjet shqiptarëve duhet të jetë mosndërhyrja në proceset politike të njëri-tjetrit.

 

Kjo nuk nënkupton indiferencë ndaj problemeve të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë, por respektim të autonomisë politike të tyre.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërhyrja në proceset zgjedhore të shteteve të tjera konsiderohet cenim i sovranitetit demokratik. Një logjikë e ngjashme duhet të vlejë edhe në raportet ndërshqiptare.

Shqiptarët e Kosovës duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë vetë përfaqësuesit e tyre politikë. Shqiptarët e Shqipërisë duhet të vendosin vetë për qeverisjen e tyre. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të zgjedhin vetë subjektet që i përfaqësojnë. Po kështu, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi duhet të ruajnë pavarësinë e vendimmarrjes së tyre politike.

 

Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet barazia ndërmjet pjesëve të kombit dhe të shmanget krijimi i marrëdhënieve paternaliste apo hegjemone që në afat të gjatë prodhojnë mosbesim dhe konflikt.

Historia politike e Ballkanit ofron shembuj të shumtë të ndërhyrjeve që kanë prodhuar destabilizim. Serbia për dekada të tëra ka tentuar të ndikojë në proceset politike jashtë kufijve të saj, veçanërisht në Kosovë. Këto përpjekje janë kritikuar vazhdimisht si cenim i proceseve demokratike dhe si tentativë për të ruajtur ndikimin politik mbi komunitetet serbe jashtë territorit të Serbisë.

Pikërisht për këtë arsye, shqiptarët kanë qenë tradicionalisht kundërshtarë të ndërhyrjeve të tilla dhe kanë kërkuar respektimin e parimeve demokratike dhe të vetëvendosjes së lirë të qytetarëve.

Kjo përvojë historike duhet të shërbejë si mësim edhe për vetë faktorët politikë shqiptarë. Çdo model që synon eksportimin e konflikteve politike nga një hapësirë shqiptare në tjetrën rrezikon të prodhojë pasoja të ngjashme me ato që shqiptarët i kanë kundërshtuar tradicionalisht.

Solidariteti mbarëkombëtar është detyrim historik. Askush nuk mund të mohojë të drejtën e institucioneve të Kosovës apo Shqipërisë për të mbështetur shqiptarët e diskriminuar në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë e Veriut apo në Mal të Zi.

Mirëpo ekziston një dallim i madh ndërmjet mbështetjes institucionale dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë në rivalitetet partiake të komuniteteve shqiptare jashtë kufijve shtetërorë.

Mbështetja për arsimin, kulturën, zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, avancimin e gjuhës shqipe dhe fuqizimin e institucioneve përfaqësuese është në interes të të gjithë shqiptarëve.

Por kur çështjet kombëtare identifikohen me interesa të ngushta partiake, atëherë rrezikohet që kauza kombëtare të humbasë karakterin e saj gjithëpërfshirës dhe të shndërrohet në objekt konfliktesh politike.

Preshevë, më 4 qershor 2026

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat