A do të rikthehet sërish Lindsey Vonn?

Skijim

A do të rikthehet sërish Lindsey Vonn?

Nga: B.S Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 17:14
Rrëzimi i saj në Cortina i dha fund në mënyrë të papritur misionit të saj për të fituar medaljen e artë olimpike.

Pas lëndimit të rëndë në këmbë në Lojërat Olimpike, Lindsey Vonn ende nuk e ka shpallur pensionimin. Rainer Salzgeber, drejtues i garave në kompaninë e saj sponsorizuese Head, beson se skiatorja amerikane do të rikthehet në gara.

Lindsey Vonn, njëra prej skiatorëve më të suksesshme amerikane, ka lënë gjurmë të mëdha në skijimin alpin gjatë shumë viteve të karrierës së saj.

A do të rikthehet Vonn një ditë në pistat e garave?

Lindsey Vonn pësoi lëndime të rënda dhe komplekse në këmbë gjatë garës së lëshimit në Lojërat Olimpike.

Së fundmi, ajo iu nënshtrua një tjetër operacioni, ndërsa njerëzit e afërt me të do ta mirëprisnin një rikthim në gara.

Rainer Salzgeber beson se ajo mund të garojë sërish, madje edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2030, shkruan mediumi zviceran “Blick”.

Fillimisht, gjithçka kishte të bënte me shpëtimin e këmbës së saj, pasi në një moment ishte në rrezik edhe amputimi. Diagnoza ishte një frakturë komplekse e tibias, e pllajës tibiale dhe e kokës së fibulës. Përveç kësaj, ajo pësoi edhe sindromën e kompartimentit.

Ndërhyrja kirurgjikale ishte e suksesshme. Para dy javësh, Vonn iu nënshtrua një tjetër operacioni, i cili gjithashtu rezultoi i suksesshëm. Pas ndërhyrjes, ajo publikoi një fotografi të një qeseje me tri pllaka metalike dhe më shumë se dhjetë vida.

“E gjithë kjo më në fund doli nga këmba ime”, shkroi ajo në Instagram.

Vonn është 42-vjeçare. Megjithatë, ylli amerikan i disiplinave të shpejtësisë, me 45 fitore në lëshim dhe 23 në super-G në Kupën e Botës, ende nuk e ka njoftuar pensionimin.

Mediumi “Blick” ka kontaktuar Rainer Salzgeberin, i cili u shpreh:

“Ky është vetëm mendimi im personal. Besoj se ajo do të rikthehet edhe një herë. Shpresoj shumë që ajo të provojë sërish”. 
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat