Borxhe dhe gara të anuluara, federatat sportive përballen me vështirësi financiare

Sporti

Borxhe dhe gara të anuluara, federatat sportive përballen me vështirësi financiare

Më: 24 tetor 2026 Në ora: 11:48
Pamje nga takimi

Federatat sportive në Kosovë po përballen me vështirësi të mëdha financiare si pasojë e vonesave në ekzekutimin e mjeteve të parapara me memorandumet e mirëkuptimit me Ministrinë e Rinisë dhe Sportit.

Përfaqësues të federatave dhe ish-zyrtarë të sportit thonë tregojnë për KosovaPress, se kjo situatë po ua vështirëson funksionimin e rregullt, pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare dhe organizimin e aktiviteteve sportive.

Kryetari i Federatës së Kickboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, thotë se problemet financiare me të cilat po përballen, po e detyrojnë këtë federatë që të kufizojë numrin e sportistëve në garat ndërkombëtare.

Federata e Kickboksit të Kosovës po përballet me shumë probleme financiare

“Si çdo federatë, edhe ne jemi duke u ballafaquar me këtë problem. Dihet se për të marrë pjesë në kampionat, kupa botërore apo diçka në arena ndërkombëtare, nuk mund të shkosh pa mjete. Federata e Kickboxit të Kosovës gjithmonë është duke u tkurrur, për të shkuar në numër sa më të vogël për shkak të mjeteve. Këtë vit diçka, nuk e di, çfarë po bëhet që s'ka funksionuar. Ne i kemi nënshkruar memorandumet, gjithmonë na kanë përkrahur. Unë nuk e di çfarë është problemi tani te Qeveria... Besoj se Ministria e Sportit duhet të bëjë çmos të na i kryejë obligimet, sepse ne kemi obligime. Çdo federatë, çdo kryetar ka obligime ndaj dikujt”, tha Makolli.

Ai thekson se sportistët janë ndër përfaqësuesit më të mirë të shtetit në arenën ndërkombëtare dhe se mbështetja financiare për federatat nuk duhet të jetë çështje e diskutueshme, pasi ato kanë obligime që nuk mund t’i përmbushin pa mjete të mjaftueshme.

Makolli: Sportisti është ambasadori më i mirë i shtetit

“Unë nuk e lë federatën të shkojë dëm për 200 euro, se më së pari e sakrifikoj atë 200 euro për me i dhënë, se e dua sportin dhe nuk dua me mbet keq për 100 apo 200 euro. Por, kur janë mjetet shumë, askush nuk ka mjete të jep ashtu. Kur ne e prezantojmë shtetin, e ngremë shtetin në arenën ndërkombëtare. Mjetet as nuk duhet të diskutohen, as nga Ministria e Sportit, as nga shteti i Kosovës, sepse dihet që ambasadori më i mirë i shtetit është sportisti”, theksoi Makolli.

Problemet me financimin i ka theksuar edhe Lavdim Zylfiu, zëvendësdrejtor i Federatës së Golfit të Kosovës. Ai thotë se vonesat në ekzekutimin e mjeteve po e vështirësojnë funksionimin e federatës, veçanërisht duke pasur parasysh natyrën sezonale të këtij sporti dhe kufizimet në aktivitetet gjatë muajve të dimrit.

Mungesa e financave, edhe Federata e Golfit të Kosovës është në telashe

“Federata e Golfit për çdo vit e nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Sportit, ashtu siç bëjnë edhe kolegët tanë. Ne kemi nënshkruar edhe këtë vit një memorandum për të cilin tash jemi në prag të muajit nëntor dhe janë vonuar mjetet e gjysmë mujorit të dytë, e ne jemi në mujorin e katërt, pra pothuajse po mbyllet viti. Edhe javën e ardhshme, pothuajse mbyllen shumica absolute e fushave të golfit në Evropë dhe loja e golfit zhvendoset në Spanjë, Portugali, Turqi, Qipro, pra në vende që kanë diellin më të gjatë. Edhe kjo na shkakton shumë problem ashtu siç i shkakton problem për shembull Federatës së Skitarisë mungesa e financave gjatë dimrit... Besoj që do ta kemi së shpejti edhe një takim me ministrin, zyrtarët e Ministrisë së Sportit, për arsye se këtë vit ka ndodhur një ndryshim ku federatat janë obliguar t’i bëjnë disa ndryshime për arsye të kategorizimit të sporteve që do të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm”, bëri të ditur Zylfiu.

Ndërkohë, ish-sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, vlerëson se pasojat e mungesës së financave tashmë janë të dukshme në aktivitetet e federatave sportive.

Sipas tij, një pjesë e tyre janë detyruar të anulojnë gara e aktivitete, ndërsa të tjerat kanë krijuar borxhe për të vazhduar funksionimin dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e sportistëve në garat ndërkombëtare.

Haxhijaj: Shumë federata kanë anuluar aktivitet në mungesë të financave

“Shumë federatave iu është dashur t’i anulojnë aktivitetet dhe garat. Një pjesë e federatave nuk kanë marrë pjesë në kampionate evropiane, kampionate botërore ose shumica e tyre janë të manovruara me borxhe. Dhe një federatë nëse i merr 30 mijë, 50 mijë euro borxh, ato duhet t’i kthejë. Kur kthehen pastaj? I merr një herë, por jo vazhdimisht, se nuk mund askund t’i gjesh 30 mijë, 50 mijë euro e 100 mijë euro për të funksionuar. Plus, kur nuk e ke mbështetjen e sigurinë se do t’ju kthehen. Këto veprime sportin e dëmtojnë, do ta dëmtojnë tejet mase. Duhet me qenë të vetëdijshëm institucionet”, deklaroi Haxhijaj.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Rinisë dhe Sportit lidhur me vonesat në ekzekutimin e mjeteve financiare për federatat sportive dhe arsyet që kanë çuar në këtë situatë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat