Gauff është mbretëresha e re e US Open

Tenis

Gauff është mbretëresha e re e US Open

Më: 10 shtator 2023 Në ora: 15:32
Gauff

Tenistja 19-vjeçare amerikane Coco Gauff është shpallur sot fituese e grand slam të US Open, pas fitores 2-1 (2-6, 6-3, 6-2) ndaj bjelloruses Aryna Sabalenka, ndeshje e luajtur në Nju Jork. Ky është triumfi i parë për tenisten e re amerikane në një turne të madh dhe këtë gjë e bëri para publikut të saj.

Një teniste amerikane rikthehet të fitojë në US open pas 6 vitesh nga hera e fundit (Sloane Stephens 2017). Ndeshja zgjati pak më shumë se dy orë, me Gauff që përmbysi disavantazhin e setit të parë, ku Sabalenka dominoi e fitoi me meritë. Më pas fusha flet vetëm për tenisten amerikane, që e mbështetur  edhe nga publiku bëri mrekullinë.

Ngushëllimi i vetëm për tenisten bjelloruse është fakti se nga dita e hënë do të jetë “numri 1” në botë, duke zbritur nga froni polaken Iga Swiatek.

Sabalenka dukej favorite, sidomos pas dominimit të setit të parë, por shpejt humbi shkëlqimin. Kjo për meritë edhe të Gauff, që hoqi emocionet, duke bërë një lojë të shkëlqyer dhe vuri në vështirësi rivalen.

Triumfi në US Open ishte deri diku i pritshëm për Gauff, që më herët këtë verë pat fituar në turnetë e Uashington e më pas në Sinsinati (Masters). Roger Federer pat parashikuar se ajo do të ketë të ardhme të ndritur e ndoshta fjalët e tij po realizohen. Për Gauff kjo ishte hera e dytë që dilte në finalen e një grand slam dhe ia doli mbanë të fitojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat