Pas triumfit në Indian Wells dy javë më parë, tenisti italian Jannik Sinner (numri 2 në botë për meshkuj) fitoi edhe në turneun Masters 1000 të zhvilluar në Majemi pa humbur asnjë set, duke kompletuar “Sunshine Double”.
Në finale, Sinner mundi 2-0 (6-4, 6-4) çekun Jiri Lehecka, duke fituar titullin e tij të 26-të në karrierë dhe trofeun e shtatë në një Masters.
Falë këtij triumfi, italiani i afrohet edhe më shumë spanjollit Carlos Alcaraz në renditje.
Një ndeshje e ekuilibruar ajo ndaj Lehecka, por Sinner arriti të bëjë diferencën në momentet kyçe, duke arritur të fitojë nga një “game” me shërbimet e kundërshtarit në të dyja setet dhe e meritoi fitoren.
Edhe shiu që ra gjatë ndeshjes, duke e ndalur lojën në fund të setit të parë, nuk e ndali italianin, në formë të mirë. Dy synimet e tij të radhës janë Montekarlo (luhet në fushat me dhè) dhe kryesimi i renditjes botërore.