Kur Zendaya promovoi filmin e saj Challengers, në të cilin luajti rolin e një tenisteje të talentuar, e cila më pas u bë trajnere, ajo u shfaq me një fustan të personalizuar nga Loewe, të kombinuar me taka të larta të zbukuruara me topa të verdhë tenisi.
Aktorja u pa më vonë në tribunat e Wimbledonit, duke ndjekur finalet e vitit 2024, e veshur me disa kostume nga Ralph Lauren. Paraqitjet e saj tërhoqën vëmendjen edhe të bashkëshortit të saj, Tom Holland, yllit të filmave Spider-Man, i cili e komplimentoi.
Aktori, i cili u rrit vetëm gjashtë kilometra larg, në Kingston upon Thames, dhe ndoqi shkollën në Wimbledon College, i tha revistës GQ: “Ajo dukej kaq e bukur dhe sikur ishte në vendin e saj. Për të kishte shumë rëndësi të ishte në një vend që unë e quaj shtëpi dhe të dukej si pjesë e komunitetit tonë”.
Tani çifti, i cili u njoh në xhirimet e Spider-Man dhe u martua në fillim të këtij viti, ka blerë një shtëpi në zemër të Wimbledonit, pranë klubit All England Lawn Tennis and Croquet Club, ku zhvillohet turneu.
Prona, me vlerë gati nëntë milionë paund, ka jo më pak se katër dhoma pritjeje dhe, sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, “ofron një ndërthurje të jashtëzakonshme të hapësirës, privatësisë dhe fleksibilitetit”.
Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej gati një hektari dhe përfshin edhe një vilë të veçantë. Në mënyrë të përshtatshme për këtë zonë, prona ka edhe një fushë tenisi, ku çifti mund të ushtrojë sportin e tyre të preferuar.
Por kjo privatësi mund të mos zgjasë shumë, pasi shtëpia ndodhet pranë klubit historik të golfit Wimbledon Park, një fushë luksoze e ndërtuar në formën e një patkoi gjigant rreth një liqeni dhe e zbukuruar me lisa të mbjellë nga arkitekti i njohur i peizazhit, Lancelot “Capability” Brown.
Klubi All England dëshiron të ndërtojë në këtë terren një stadium me 8.000 vende dhe 38 fusha tenisi.