E tmerrshme, raportohet se djali 13 vjeçar nga Kosova, vret babain 33 vjeçar në Francë

Diaspora

E tmerrshme, raportohet se djali 13 vjeçar nga Kosova, vret babain 33 vjeçar në Francë

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 08:59
Policia

Në natën mes të mërkurës dhe të enjtes së javës së kaluar, gjegjësisht rreth orës 3:00 të mëngjesit, në qytetin Nancy të Francës, një person u qëllua për vdekje nga një armë e zjarrit.

Viktima në këtë rast ishte një 33-vjeçar me prejardhje nga Kosova.

Mediat në Francë raportuan për këtë rast, duke e shpallur si të dyshuarën kryesore për këtë vrasje partneren e tij, e cila para organeve të drejtësisë kishte dhënë deklarata të paqarta për ngjarjen.

Megjithatë, Prokuroria e Republikës së Nancyt të shtunën njoftoi se për këtë vrasje është ndaluar djali 13-vjeçar i tashmë viktimës, raporton “France Bleu”.

Ai dyshohet të ketë vrarë babanë e tij me një plumb në kokë.

Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur si pasojë e problemeve martesore të çiftit. I pandehuri, vëllai i tij dhe nëna e tyre i thanë policisë se 33-vjeçari kishte konsumuar shumë alkool atë natë dhe më pas e kishte goditur bashkëshorten e tij.

“Pikërisht në këtë moment djali 13 vjeç, më i madhi nga pesë fëmijët e çiftit, kishte shkuar për të marrë armën e babait të tij. Ka hyrë në kuzhinë ku ishte babai i tij dhe ka shtënë me armë, duke e goditur babanë e tij në kokë”, ka sqaruar François Perain, prokuror i qytetit të Nancyt.

Viktima, që nuk ka pasur precedent të mëhershëm për dhunë, tha prokurori, vdiq po atë ditë në spitalin e Nancyt.

Djali 13 vjeç më pas kishte ikur bashkë me vëllain e tij dhe ishte shëtitur nëpër qytetin Nancy për një kohë në tentim për ta fshehur armën e vrasjes, para se të dorëzoheshin të nesërmen në polici.

Edhe nëna e tyre, që po ashtu gjendej nën masën e ndalimit, ka rrëfyer se djali i saj ishte autori i vrasjes, version ky i konfirmuar edhe nga vajza e tyre 7-vjeçare, e cila kishte qenë po ashtu dëshmitare e ngjarjes.

Të gjithë fëmijët e çiftit janë vënë nën kujdes të përkohshëm.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat