Një 21-vjeçar shqiptar është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Kurorës në St Albans, pas një aksidenti tragjik me pasojë vdekjen e një 34-vjeçari në Hertfordshire, Britani.
I riu, Erald Kamberi, më 1 gusht 2025 po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi ekstreme, në krahun e gabuar të rrugës, ndërsa përpiqej t’i shpëtonte ndjekjes nga policia.
Ai u përplas me nj motor, shoferi i të cilit ndërroi jetë në vend si pasojë e përplasjes fatale.
Kamberi rezultoi se nuk kishte as patentë, as siguracion dhe as adresë të qëndrueshme banimi. Menjëherë pas aksidentit, ai u largua nga vendngjarja në këmbë, por u arrestua nga policia një ditë më vonë.
Në seancën gjyqësore, shqiptari pranoi fajësinë për drejtim të rrezikshëm që solli vdekjen e një personi, si dhe drejtim pa siguracion. Gjykatësi e cilësoi sjelljen e tij si “të çmendur” dhe theksoi se Kamberi kishte vënë në rrezik serioz jetët e përdoruesve të tjerë të rrugës.
Përveç dënimit me burg, Kamberi u ndalua të drejtojë automjete për 15 vite. Ai do të duhet të vuajë të paktën dy të tretat e dënimit, përpara se autoritetet britanike të shqyrtojnë deportimin e tij në Shqipëri.