Mërgimtarët drejt Kosovës për zgjedhje – Visar Robelli jep votën në Gjilan: “E kemi pritur shumë këtë ditë, dilni e votoni!”

Diaspora

Mërgimtarët drejt Kosovës për zgjedhje – Visar Robelli jep votën në Gjilan: “E kemi pritur shumë këtë ditë, dilni e votoni!”

Nga: Dashnim Hebibi Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 11:39
Visar Robelli

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet lokale në komunat që ndodhen në balotazh, dhe pjesëmarrja e mërgatës është e dukshme si rrallëherë më parë.
Burime të portalit Sam24.info bëjnë të ditur se nga Cyrihu dhe Bazeli nuk ka pasur vende të lira në aeroplanë drejt Prishtinës dhe Shkupit, pasi shumë mërgimtarë kanë udhëtuar për të marrë pjesë në votim – disa prej tyre që nga dita e djeshme.

Ndër ta është edhe Visar Robelli, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, njëherësh afarist, bamirës dhe veprimtar i njohur.
Robelli sot ka ushtruar të drejtën e votës në Gjilan, duke u shprehur krenar për mundësinë që ka për të kontribuar në të ardhmen e vendit.

“Sot duhet të dalim të gjithë e të votojmë, pa marrë parasysh kujt ia japim votën – me rëndësi është pjesëmarrja. Ne e kemi pritur shumë dhe kemi dhënë shumë për të qenë të lirë në Kosovën tonë. Të gjithë jemi vëllezër,” – tha Robelli për Sam24.info. Ai shtoi se atmosfera në Gjilan është e qetë dhe moti është i mirë, ndërsa shumë mërgimtarë janë parë në qendrat e votimit.

“Kosova duhet të festojë, duhet të punojë edhe më shumë. Na presin ditë të mira për zhvillimin e Gjilanit dhe të gjithë Kosovës. Ne si mërgimtarë jemi larg fizikisht, por me shpirt jemi gjithmonë në Kosovë. E duam Kosovën dhe ia dëshirojmë më të mirën, drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s,” – shtoi ai.

Në fund, Robelli dërgoi edhe një mesazh motivues për qytetarët e vendit:

“Mirëmëngjes të dashur qytetarë!
E bëre votën sot, apo po pret që dikush tjetër të vendosë për ty?
Prandaj, dil e voto!

Visar Robelli njihet në diasporën shqiptare si veprimtar i përkushtuar, njeri i punës, mik i mirë dhe bamirës i njohur, i cili vazhdimisht kontribuon për kauza shoqërore dhe zhvillimin e lidhjeve mes Zvicrës dhe Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat