Mbrëmë, me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata Kulturore Shqiptare “Shën Nënë Tereza” në Engelholm organizoi një mbrëmje të jashtëzakonshme festive, e cila mblodhi qindra bashkatdhetarë nga e gjithë zona. Atmosfera festive krijoi një emocion të veçantë, ndërsa salla u tregua e vogël për numrin e madh të pjesëmarrësve që kishin ardhur për të nderuar këtë ditë historike për kombin shqiptar.
Hapja e mbrëmjes – Hymni kombëtar dhe përshëndetjet solemne
Mbrëmja festoi filloi me intonimin e Himnit Kombëtar, duke i dhënë aktivitetit tonin solemn dhe kombëtar. Atmosferës festive i shtohej edhe dekorimi i sallës, për të cilin u kujdes Arten Bahtiri, duke vendosur me kujdes flamurin Kombëtar, Dardan, të Republikës së Kosovës, flamurin amerikan dhe suedez, si simbol i lidhjeve tona kulturore dhe historike.
Moderimin e kësaj mbrëmjeje e udhëhoqën me profesionalizëm dhe elegancë dy vajza të talentuara të Shoqatës, njëkohësisht edhe valltare: Helisa Peci – në gjuhën shqipe dhe Vanesa Kelmendi – në gjuhën suedeze.
Ato përshëndetën të pranishmit, si dhe kryesinë e Shoqatës: Rrahman Rrahmani (kryetar), Ali Zejnullahu (sekretar), Ferki Hiseni (arkëtar), Abedin Bahtiri dhe Arben Hasani (anëtarë të kryesisë). Në vijim, për një fjalë rasti u ftua kryetari i Shoqatës, z. Rrahman Rrahmani, i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë e 28 Nëntorit si datë e identitetit, lirisë dhe krenarisë sonë kombëtare.
Të nderuar bashkatdhetarë, zonja dhe zotërinj, fëmi të dashur,
Më lejoni që në emër tim personal si dhe në emër të kryesisë së Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shën Nënë Tereza” në Engelholm, të ju dëshiroj mirëseardhje në këtë mbrëmje festive, njëherit të ju uroj Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Pavaresisë së Shqipërisë.
Sot jemi mbledhur bashkë, me zemër plot dashuri e krenari kombëtare, për të përkujtuar dhe festuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ditën e shenjtë kur Ismail Qemali, së bashku me Isa Boletinin dhe burrat më të ndritur të kombit, ngritën flamurin kuq e zi në Vlorën heroike më 28 nëntor 1912, duke shpallur mëvetësinë e shtetit shqiptar.
Kjo datë për ne shqiptarët, kudo që ndodhemi, është simbol i bashkimit, lirisë dhe identitetit kombëtar. Është dita që na kujton gjakun e dëshmorëve, mundin e rilindësve dhe dashurinë e përjetshme për atdheun tonë të përbashkët – Shqipërinë dhe Kosovën-Dardane.
Në këtë ditë të madhe kombëtare, ne përulemi me nderim të thellë para veprës së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili lindi më 28 nëntor 1955 – pikërisht në ditën e flamurit tonë kombëtar. Sakrifica e tij së bashku me familjen Jashari dhe dëshmorët tjerë që dhanë jetën për pavarësinë e Kosovës -Dardane, u bë themel i lirisë sonë dhe frymëzim për brezat që e duan atdheun me zemër.
Po ashtu, me nderim të veçantë kujtojmë Ideatorin e Pavarësisë së Kosovës-Dardane, Presidentin Historik dhe Shpirtëror, Dr. Ibrahim Rugova, i cili me urtësi, vizion dhe vendosmëri e ndërtoi shtetësinë e Kosovës mbi themelet e paqes, kulturës dhe demokracisë.
Në këtë mbrëmje të shenjtë shqiptare, kujtojmë edhe Nënën Shqiptare dhe Humanisten me përmasa botërore, Shën Nënë Terezën, e cila me dashurinë e saj ndaj njerëzimit na mësoi virtytin e përulësisë dhe të shërbimit ndaj të tjerëve. Ne, me krenari, mbajmë emrin e saj në Shoqatën tonë si një simbol frymëzimi, dashurie e humanizmi.
Në këtë mbrëmje festive, që organizohet me kujdes dhe përkushtim nga Shoqata “Shën Nënë Tereza” – Engelholm, kemi nderin të shijojmë një program kulturor e artistik me vallet tradicionale shqiptare, të përgatitura me dashuri nga valltaret tona: Albertina Hoti, Helisa Peci, Elea Elshani, Edona Smajli dhe Vanesa Kekmendi, si dhe disa poezi kushtuar flamurit dhe atdheut.
Pas kësaj pjese artistike, do të vazhdojmë me programin muzikor deri në mesnatë, ku do të na argëtojë këngëtarja jonë e njohur Lindita Kryeziu, e shoqëruar nga sinti Endrit Krasniqi.
Le të festojmë me këngë, me valle e me krenari shqiptare, duke mbajtur lart flamurin e gjakut të Kastriotit, simbolin e bashkimit dhe identitetit tonë kombëtar.
Për fund edhe mjëhere, Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar!
Emocionet e para – Poezia, fjala e shpirtit
Pjesa artistike nisi me disa poezi të interpretuara nga fëmijë dhe të rritur, të cilët me emocion dhe talent sollën ndjenja të forta për vendlindjen:
Ariana Bahtiri interpretoi poezinë “Sa kohë kanë kaluar”
Arnea Elshani recitoi poezinë “Lamtumirë vendi im”
Poeti i njohur Remzi Basha recitoi dy poezi të tij: “Flamuri Kombëtar” dhe “Kosova Dardane”.
Poezitë u pritën me shumë emocion dhe duartrokitje nga të pranishmit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë atdhetare.
Kulmi i mbrëmjes – Paraqitja e valltarëve në veshje tradicionale shqiptare
Momenti më emocionues i mbrëmjes erdhi në çastin kur në sallë hynë mbi 30 valltarë dhe valltare të Shoqatës, të veshur me kostume të plota tradicionale shqiptare. Pamja e tyre, e mbushur me ngjyra, traditë dhe krenari kulturore, u prit me duartrokitje frenetike.
Valltarët paraqitën disa valle të traditës shqiptare nga treva të ndryshme, duke sjellë, përmes lëvizjeve të harmonizuara dhe kostumeve kombëtare, një emocion të veçantë që i mahniti të gjithë të pranishmit.
Muzikë, këngë dhe valle deri në mesnatë
Pas pjesës artistike, mbrëmja u hap për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët vallëzuan deri në mesnatë nën ritmet e muzikës shqiptare. Atmosferën festive e mbajtën gjallë këngëtarja e njohur Lindita Kryeziu, së bashku me orkestrën e talentuar të Endrit Krasniqit, të cilët krijuan një atmosferë të paharrueshme për të gjithë.
Një mbrëmje e paharrueshme për komunitetin shqiptar në Suedi
Kjo mbrëmje festive e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shën Nënë Tereza” u shndërrua në një manifestim të vërtetë të unitetit, kulturës dhe traditave tona kombëtare.
Pjesëmarrja e madhe, performancat e mrekullueshme dhe atmosfera plot emocion dëshmuan edhe një herë se komuniteti shqiptar në Suedi mbetet i bashkuar, i gjallë dhe ruan me përkushtim vlerat tona të çmuara kombëtare.
Nër vazhdim paraqitendisa fotografi që pasqyrojnë atmosferën madhështore të mbrëmjes-vallet tradicionale dhe emocionet e publikut.