Një investigim i BBC ka zbuluar një skandal të rëndë në rrjetet sociale, ku dy vëllezër shqiptarë që jetojnë në Suedi dyshohet se kanë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme gratë dhe vajzat duke i filmuar fshehurazi në rrugë dhe më pas duke i publikuar pamjet për përfitime financiare në platforma si YouTube, Facebook, Instagram dhe TikTok.
Bëhet fjalë për Florian dhe Roland Reka, të cilët kanë postuar qindra video të filmuara në qytete të ndryshme të botës, ku në pamje shfaqen gra të ekspozuara pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.
Videot paraqiteshin si përmbajtje turistike, të titulluara shpesh si “ëalking tours” apo “nightlife content”, por në realitet fokusi ishte pothuajse ekskluzivisht tek trupat e grave, sidomos ato të veshura me funde apo fustane. Pamjet filmoheshin nga kënde shumë të ulëta ose nga pas, duke kapur pa autorizim pjesë intime dhe duke e kthyer përmbajtjen në material shfrytëzues.
Sipas BBC-së, ky fenomen nuk është i izoluar. Investigimi identifikoi mbi 65 kanale të ngjashme online, të cilat në total kanë grumbulluar më shumë se 3 miliardë shikime gjatë tre viteve të fundit.
Pamjet janë filmuar kryesisht në qytete si Londra, Oslo, Miami dhe Bangkok, ndërsa një nga qendrat kryesore të aktivitetit rezulton të ketë qenë Manchesteri.
BBC raporton se Florian Reka drejtonte një nga kanalet më të mëdha të këtij lloji në YouTube, me rreth 200 milionë shikime dhe afro 399 mijë abonentë. Ai kishte gjithashtu një faqe në Facebook me mbi 600 mijë ndjekës.
Kanali ishte regjistruar si biznes në Suedi, me aktivitet zyrtar të deklaruar si “influencer, marketing dhe reklamë”, ndërkohë që përmbajtja e publikuar ngre shqetësime serioze mbi shkeljen e privatësisë dhe abuzimin seksual në hapësirën digjitale.
Pas kontaktit të BBC-së, YouTube mbylli dy llogari të lidhura me Florian Rekën, por disa video të ngjashme vazhdojnë të jenë ende aktive në platforma të tjera. Vetë Reka nuk pranoi të komentonte dhe shmangu takimet me ekipin investigativ, edhe kur gazetarët udhëtuan në Suedi për ta intervistuar.
Një prej grave të filmuara, e identifikuar me emrin e ndryshuar “Grace”, tha se e mësoi vetëm nga BBC se pamjet e saj, të filmuara në mënyrë poshtëruese, kishin marrë mbi 3 milionë shikime. “Që atëherë ndihem paranojake sa herë dal nga shtëpia,” u shpreh ajo.
Dokumentari i BBC përfshin dëshmi të qindra grave të tjera, të cilat janë shfrytëzuar pa dijeni nga vëllezërit shqiptarë dhe persona të tjerë që operojnë në mënyrë të ngjashme në disa prej kryeqyteteve më të mëdha të botës.
Skandali ka rikthyer në vëmendje problemin e madh të abuzimit me privatësinë dhe seksualizimit të grave në rrjetet sociale, ndërsa presioni ndaj platformave për të forcuar kontrollet dhe për të ndëshkuar autorët pritet të rritet në vijim.