Të fshehur mes turmave të turistëve dhe punonjësve që përdorin çdo ditë metronë e Londrës, disa nga drejtuesit e krimit të organizuar jetojnë të maskuar dhe ndihen të paprekshëm.
Megjithatë, arrestimi i fundit në Londër i një bosi të krimit nga Europa Lindore zbuloi një realitet më të gjerë: për vite me radhë, disa figura të rëndësishme të botës së krimit kanë jetuar në kryeqytetin britanik duke bërë jetë të dyfishtë, nga shtëpi të qeta në periferi deri te biznese të vogla ushqimi.
Për shumë vite, drejtuesi i rrjetit kriminal Ion Gusan shëtiste lirshëm në rrugët e Londrës, ndonëse konsiderohej kreu i një organizate kriminale me shtrirje në gjithë Europën. Situata ndryshoi në dhjetor, kur agjentët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) e arrestuan pranë Tower Bridge, pasi e ndaluan makinën e tij Mercedes. Arrestimi u konsiderua një goditje e rëndësishme ndaj krimit të organizuar.
Megjithatë, fakti që ai kishte qenë në arrati për 3 vite dhe dyshohet se jetonte në një apartament luksoz në Canary Wharf tregoi se Londra është kthyer në një strehë për nivelet më të larta të botës kriminale ndërkombëtare. Shumë bosë të mafias kanë arritur të jetojnë për vite të tëra pa u zbuluar, duke u përzier me miliona banorë të qytetit. Ish-detektivi i policisë metropolitane të Londrës, Peter Bleksley, shpjegon se anonimati i qyteteve të mëdha e bën këtë të mundur.
“Sipas natyrës së qyteteve të mëdha, njerëzit shpesh nuk njohin fqinjët e tyre dhe nuk flasin të njëjtën gjuhë. Kjo e bën shumë të lehtë që dikush të jetojë i padukshëm”, tha ai. Ai shtoi se kriminelët janë të vetëdijshëm për këtë realitet. Sipas tij, vetëm figurat shumë të rëndësishme të krimit të organizuar bëhen objekt i operacioneve të posaçme policore.
Bleksley ngriti gjithashtu pyetjen se sa anëtarë të tjerë të rrjeteve kriminale mund të jetojnë ende në Britani pa qenë në vëmendjen e autoriteteve, ndërsa viktimat e trafikut të njerëzve ose të skllavërisë moderne shpesh nuk raportojnë tek policia. Sipas tij, ekonomia informale shpesh ushqehet nga aktivitetet kriminale.
“Është një ekonomi paralele. Ka komunitete që jetojnë jetë paralele, me shumë pagesa në para dhe me një nivel të lartë anonimati”, tha ai. Edhe Cathy Haenlein, drejtore e studimeve për krimin e organizuar dhe policinë në institutin RUSI, thekson se struktura financiare e Londrës e bën qytetin tërheqës për kriminelët që kërkojnë të fshehin pasuritë.
“Londra është një nga qendrat më të mëdha financiare në botë. Sistemet e sofistikuara financiare mund të shfrytëzohen për të fshehur ose për të legjitimuar pasuri të dyshimta”, tha ajo. Sipas saj, prona të shtrenjta, kompani dhe struktura të tjera financiare mund të përdoren për të futur para të paligjshme në ekonominë legale.
Rrjeti kriminal “The Patron”
Ion Gusan dyshohet se drejtonte një rrjet kriminal të Europës Lindore të njohur si “The Patron”, i cili besohet se ka lidhje me mafian ruse.
Ai ishte në kërkim nga autoritetet franceze dhe në maj të vitit të kaluar u dënua në mungesë për grabitje me armë, zhvatje me dhunë, kontrabandë, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
I lindur në një fshat të vogël në Moldavi, Gusan kishte arritur të shmangte arrestimin për gati 25 vite, pavarësisht hetimeve nga agjenci të ndryshme europiane. Prokurorët moldavë e akuzojnë se kishte urdhëruar një atentat ndaj biznesmenit rus German Gorbuntsov, i njohur si “Bankieri i Zi”. Ai u qëllua 6 herë me pistoletë pranë apartamentit të tij në Canary Wharf, por arriti të mbijetojë. Gusan dyshohet gjithashtu për përfshirje në trafikim migrantësh dhe në kontrabandë armësh ruse, përfshirë një sistem raketor për tanke dhe një hedhës raketash. Sipas inteligjencës, ai kishte arritur rangun e “vor-v-zakone”, një titull shumë i lartë në hierarkinë kriminale të vendeve ish-sovjetike.
Bosi shqiptar i dënuar për vrasje
Në mars të vitit të kaluar, një shqiptar i dënuar për vrasjen e një polici u lejua të qëndrojë në Londër pasi mori lirim me kusht gjatë një beteje ligjore për azil.
Sipas gazetës The Sun, Maksim Cela, 59 vjeç, ka kushtuar dhjetëra mijëra paund taksapaguesve britanikë në përpjekjet e tij për të shmangur deportimin.
Ai argumentoi se kthimi në Shqipëri do ta vendoste në rrezik nga rivalë të botës kriminale.
Cela ishte dënuar në Shqipëri për organizimin e vrasjes së policit Klenti Bano, i cili u qëllua me automatik AK-47 pranë shtëpisë së tij, si dhe për planifikimin e vendosjes së një bombe në një stadium futbolli në vitin 2009.
Ai u dënua me 25 vite burg. Pas lirimit të pjesshëm, tentoi të hynte në Britani me pasaportë false dhe të bashkohej me komunitetin shqiptar, por u ndalua nga autoritetet.
Kontrabandisti që drejtonte një kioskë ushqimi
Në lindje të Londrës, një kontrabandist njerëzish nga komuniteti kurd kishte ndërtuar një jetë të dyfishtë për vite me radhë.
Hewa Rahimpur, 32 vjeç, jetonte si pronar i një kioske ushqimi në Ilford, ndërsa në të njëjtën kohë fitonte mijëra euro nga trafikimi i migrantëve me varka të vogla drejt Britanisë.
Ai kishte hyrë në vend në vitin 2016 i fshehur në një kamion dhe kërkoi azil duke pretenduar se rrezikohej në Iran. Autoritetet britanike i lejuan të qëndrojë në vitin 2020.
Fillimisht hapi një berberhane, më pas një kioskë ushqimi. Megjithatë, fakti që drejtonte një Mercedes S-Class ngriti dyshime për stilin e tij të jetesës.
Hetimet zbuluan se ai ishte një nga kontrabandistët më të njohur të migrantëve në Europë dhe dyshohet se kishte organizuar kalimin e deri në 10,000 personave përmes Kanalit Anglez.
Një hetim i Sky News zbuloi gjithashtu se ai nuk ishte nga Irani, por nga qyteti Erbil në Irak.
Rahimpur u arrestua në vitin 2022 pranë shtëpisë së tij në Ilford nga Agjencia Kombëtare e Krimit dhe u ekstradua në Belgjikë, ku në vitin 2023 u dënua me 11 vite burg.
Bosi mafioz në periferi
Edhe mafia italiane ka pasur praninë e saj në Londër.
Në vitin 2013, autoritetet arrestuan Domenico Rancadore, një nga drejtuesit e mafias siciliane Cosa Nostra, i cili kishte jetuar për 20 vite në arrati në periferinë Uxbridge. Ai jetonte në një shtëpi gjysmë të bashkuar me emrin e rremë Marc Skinner.
Fqinjët e përshkruanin si një njeri të sjellshëm dhe familjar, pa dyshuar se ai ishte i njohur në botën kriminale me nofkën “Profesori” dhe kishte lidhje me zhvatje, trafik droge dhe aktivitete mafioze.
Edhe pse ishte dënuar në Itali në mungesë në vitin 1999, ekstradimi i tij u pengua për shkak se ligji britanik nuk e njihte veprën penale të “anëtarësimit në organizatë mafioze”. Pas arrestimit ai luftoi për 18 muaj kundër ekstradimit. Kur procedura përfundoi, dënimi i tij në Itali kishte skaduar dhe ai u lirua.
Kriminelë të paguar për rrëmbime
Në nëntor, autoritetet arrestuan edhe një shtetas nga Letonia, Ainis Balodis, 45 vjeç, i dyshuar për një plan për të rrëmbyer drejtuesin e një grupi kriminal shqiptar. Balodis punonte si roje sigurie në një pronë luksoze me gjashtë dhoma gjumi në Londër.
Sipas hetimeve, ai ishte pjesë e një grupi personash të trajnuar, disa prej tyre ish-ushtarë të Legjionit të Huaj francez, të cilët kryenin shërbime të dhunshme për rrjetet kriminale.
Operacioni ndërkombëtar që çoi në arrestimet u drejtua nga policia gjermane dhe u koordinua nga Europol.
Në kërkim për trafik kokaine
Autoritetet kërkojnë ende bosin serb të krimit Daniel Dugic, i cili dyshohet për organizimin e një skeme për importimin e 255 kilogramëve kokainë në Britani në vitin 2011.
Ai ndodhet në listën e më të kërkuarve të Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe besohet se mund të fshihet në Londër.
Sipas hetimeve, droga do të transferohej në Kanalin Anglez nga një anije kontejnerësh në një mjet të vogël që vinte nga Britania.
Edhe pse Dugic nuk ndodhej në asnjë nga anijet, autoritetet besojnë se ai kishte rol kyç në organizimin e operacionit të kontrabandës.Ai mbetet ende në arrati.