Kumtesë mbajtur në konferencën shkencore «Abdi Baleta: një jetë në shërbim të kombit»

Diaspora

Kumtesë mbajtur në konferencën shkencore «Abdi Baleta: një jetë në shërbim të kombit»

Nga: Sulejman Gjana Më: 22 shtator 2026 Në ora: 19:11
Sulejman Gjana

Në një intervistë të botuar më dt. 09/09/1992 në gazetën Zëri i Rinisë, me titull “Demokracia e rrezikuar, por jo në udhëkryq”, Abdi Baleta do të deklaronte: “Nëse do të më pyesnit se si do të më pëlqente të më quanin, «zogist», «enverist» apo «ramizist», do të përgjigjesha pa ngurim «zogist», se kështu nuk bëhesh më turp.”

Në atë kohë, duhej guxim për të mbajtur një qëndrim të tillë!

Rënia e regjimit komunist dhe rivendosja e pluralizmit politik në Shqipëri në fillim të viteve ’90 kishin rikthyer në diskursin publik pluralitetin ideologjik, por edhe debate historike që për dekada kishin qenë të ndaluara ose të interpretuara vetëm përmes kornizës zyrtare të regjimit.

Një nga këto debate lidhej me periudhën e monarkisë shqiptare, trashëgiminë e mbretit Zog I dhe përpjekjet e mbretit Leka I.

Me të vërtetë, ishin kohë të vështira!

Ndryshimet në Shqipëri jetësonin disi përpjekjet e kahershme të Mbretit Leka e nacionalistëve shqiptarë për një Shqipni të lirë, etnike dhe demokratike dhe shoqëroheshin me angazhimin edhe më konkret të Mbretit Leka dhe përfshirjen e tij në jetën publike.

Kjo situatë e re për popullin shqiptar kishte krijuar interes të shtuar për mbretin dhe mbretërinë, si dhe për një alternativë serioze, veçanërisht të përkrahur nga shtresat e ish-të dënuarve dhe të persekutuarve politikë, si dhe nga një pjesë e madhe të emigracionit të vjetër politik.

Por, me rënien e sistemit komunist, nuk kishin rënë akoma mitet e rreme të shpikura gjatë diktaturës nga pushteti, historianët sharlatanë dhe historiografia zyrtare.

Madje, ato mite të rreme ishin bërë kalë beteje të opozitës së re gjatë vitit 1991 dhe të pushtetit të ri në vitin 1992 e në vazhdim.

Kategoria e re e politikanëve, që synonte marrjen, trashëgimin dhe mbajtjen e pushtetit, e shihte me sy të keq alternativën që paraqiste monarkia dhe sistemi mbretëror, kauzat që përfaqësonte dhe mbartte, si dhe përkrahjen në rritje që gëzonte mbreti Leka në popull.

Ata, bashkë me shtypin e asaj kohe, kishin filluar një betejë të ashpër kundër nacionalizmit dhe alternativave të djathta që përfaqësoheshin kryesisht nga mbreti Leka.

Natyrisht, këto nocione duhen kuptuar jo në definicionin e tyre klasik dhe politik, por në kontekstin shqiptar.

Kështu, gazeta RD, më datë 17/08/1991, hapte faqen e parë me një shkrim të gjatë dhe të ashpër të z. Sali Berisha kundër mbretit Leka, nën titullin “Aleancë e rrezikshme antishqiptare”, ku, pasi analizon ndryshimet korrente, shkruan:

“Shkurt, e vërteta e pamohueshme është se serbomëdhenjët dhe Millosheviçi janë tani shumë më të shqetësuar për Tiranën sesa për Prishtinën e okupuar. Ata përpiqen me çdo kusht që të rimarrin situatën pothuajse të humbur në dorë. Për këtë qëllim ata kanë gjetur edhe diktatorin. Ai nuk mund të ishte më i kuq, por ekstremist i djathtë e ai është Leka Zogu.”

Më poshtë ai shkruante në të njëjtin artikull:

“Por serbomëdhenjtë e dine se populli shqiptar në mënyrë demokratike nuk do të aprovojë kurrë kurorën e përgjakur me gjakun e demokratëve të tij, L. Gurakuqit, A. Rustemit, B. Currit, H. Prishtinës e I. Totos e dhjetra e qindrave të tjerë.”

Në të njëjtën frymë dhe kohë, në një konferencë shtypi në Pallatin e Kongreseve, Azem Hajdari do të deklaronte, duke folur për veprimtarinë e një grupi të ashtuquajtur ekstremist të djathtë në PD:

“Unë nuk do të lejoj kurrë që bijtë e ish-ministrave të mbretit Zog, që tani janë në PD, të hedhin baltë mbi prindërit tanë. Ata që nuk i mundën dot prindërit tanë, nuk i mposhtin dot bijtë e tyre. Unë e kam për nder që jam biri i një komunisti të ndershëm.”

Është e vërtetë se në atë kohë, kushdo që fliste për pavarësinë e Kosovës ose Shqipninë etnike konsiderohej si ekstremist i djathtë, të cilit duhej t’i shpallej luftë.

Nocionet “atdhe”, “komb”, “nacionalizëm” dhe çdo referencë tek trashëgimia e sistemit mbretëror të para LDB, pra të periudhës para pushtimit fashist, nazist dhe pastaj komunist, konsiderohej si herezi.

Këto qëndrime tashmë zyrtare të opozitës së re ishin rrjedhojë e intervistës dhënë Zërit të Amerikës nga z. Salih Berisha një ditë më parë, pra me dt. 16/08/1991, ku theksonte se:

“Aleanca e komunistëve të fshehtë, elementëve të Sigurimit të shtetit dhe ultranacionalistëve me serbomëdhenjët, ka gjetur dhe përcakton si zgjidhje rikthimin e Lekë Zogut në Shqipni si mbrojtës i Shqiptarëve, dhe kjo jo vetëm për shkak të lidhjeve familjare, por edhe për shkaqe se Beogradi ka marrë premtime të hershme nga Mbreti i Shqiptarëve se ai do të realizojë ato që i ati nuk mundi t’i realizojë me serbët.”

Kjo deklaratë përfaqësonte qëndrimin zyrtar të opozitës së ashtuquajtur demokratike.

Këto qëndrime i komentoi më së miri me dt. 17/08/1991 i ndjeri Gavrosh Levonja në një korrespondencë/raport të pabotuar, kur shkruan:

“Rritja e popullaritetit të Leka Zogut në Shqipni e ka trembur jashtëzakonisht Salih Berishen dhe udhëheqësit e tjerë të partive të opozitës të krijuar nga Ramiz Alia. Për këtë arsye S. Berisha duke shfrytëzuar gogolin e komunizmit, për ta frenuar rritjen e vazhdueshme të popullaritetit të Mbretit Leka mendon se mënyra më e mire është ta demaskojë si… komunist.”

Fushata kundër mbretit Leka synonte një endoktrinim të dytë të popullit në kushtet e pluralizmit politik e mediatik.

Për ilustrim, kujtojmë disa shkrime në përgatitje ose mbështetje të qëndrimit zyrtar të opozitës, si për shembull:

Republika, më 28/04/1991, do të botonte një artikull: “Pas dy monarkëve, pse duhet i treti?!”

Republika, më 04/07/1991, me artikullin: “T’u themi dalë nostalgjive zogiste-fashiste”, nga autori Viron Koka (shkrim ky që nuk u la pa përgjigje nga z. Skender Zogu dhe autori i këtyre rreshtave).

Koha Jonë, më datë 23/08/1991, me artikullin: “Një republikan nuk i trembet ardhjes së Leka Zogut”.

Republika, më datë 19/09/1991, kur botonte një artikull: “Sa gjak mbretëror ka Leka Zogu?”

Madje edhe gazeta Kosova, me një shkrim dyfaqësh, më datë 11/09/1991, me titull “Kush janë Ahmet Zogu dhe Leka Zogu?”, do të shfaqte një lumë akuzash bajate kundër figurave të tyre.

Pra, në njëfarë mënyre aktualizoheshin të njëjtat mite të shpikura gjatë diktaturës komuniste.

Mite, shkrime dhe qëndrime zyrtare që ishin në sinkron me ato të të majtëve zyrtarë dhe që ishin pasqyruar në disa shkrime:

Gazeta Zëri i Popullit kishte filluar më herët të derdhte vrerin e saj, si për shembull më datë 11/01/1990, në artikullin në faqen e parë: “Me Shqipërinë Socialiste nuk mund të luajë askush”, ku shkruhet se “duan të kthejnë gjithë Shqipërinë nën sundimin e egër të bejlerëve dhe të kapitalistëve të kohës së regjimit satrap të Zogut”.

Dhe më poshtë autori flet për mbretin Leka, me epitete qesharake, si “trafikant armësh dhe i drogës”.

Gazeta Bashkimi, më datë 11.3.1991, botoi një artikull “Një mbret kërkon… fronin” dhe shkrimi mbyllet me fjalët “Leka Zogu, pikërisht si Drakula, vampiri”.

Ose, gazeta Bashkimi, më datë 08/08/1991, në artikullin “Alternativa: në të majtë apo në të djathtë”, ku trajtohet, ndër të tjera, amnistia për disa figura, dhe ku autori shkruan: “Për Zogun s’mund të ketë kurrë falje.”

Le të kujtojmë se ishin kohë zgjedhjeje dhe qëndrimet e mbretit Leka për demokracinë në Shqipëri dhe situatën në ish-Jugosllavi, sidomos në tokat e pushtuara shqiptare, shqetësonin klasën e re politike, por edhe disa qarqe antishqiptare jashtë kufijve.

Përballë kësaj fushate duhej vërtet guxim dhe këtë guxim Abdi Baleta e kishte gjetur, jo vetëm kur deklaronte më dt. 09/09/1992 se do të pëlqente të quhej “zogist”, por edhe në qëndrimet e veta brenda PD-së, tashmë si deputet i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Më datë 31/07/1992, në qytetin e Shëngjinit, në kuadrin e fushatës elektorale për turin e dytë të zgjedhjeve lokale, ai kishte deklaruar:

“Unë do të luftoj kundër krahut neokomunist të Partisë Demokratike, si Frrok Çupit, Preç Zogajt, Gramoz Pashkos, Neritan Cekës, Teodor Kekës, Mitro Çelës e plot të tjerëve, të cilët janë në PD.”

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, më dt. 05/08/1992, u miratua një mocion, ku ndër të tjera bëhet thirrje që:

“Të mos i lihet shteg rikthimit në pushtet të socialistëve, ose të kalimit në monarki apo në diktaturë.” (Koja Jonë).

Në kushtet e reja të krijuara nga pluralizmi, Abdi Baleta ishte pozicionuar pra si i djathtë dhe nacionalist.

Nacionalizmi i tij gjente frymëzim dhe burim jo vetëm në formimin e vet si intelektual, jurist e diplomat dhe në literaturën e shumtë që ai kishte konsultuar dhe asimiluar, por edhe në nacionalizmin e mbretit Zog, të cilin shumë autorë vendas dhe të huaj e kanë analizuar dhe përkufizuar si nacionalist, në kuptimin jo irredentist, por si një mbret që, në kushte të vështira, përdori shtetin, centralizimin, ligjet, historinë, politikën e jashtme, arsimin, kulturën dhe fenë për ndërtimin e identitetit kombëtar.

Kështu, Fisher dhe autorë të tjerë, sidomos të huaj, si Swire, Qendra Wilson, studimet mbi politikën e jashtme të Zogut nga Universiteti La Sapienza, përkufizojnë nacionalizmin e mbretit Zog duke e trajtuar Zogun në kontekstin e përpjekjeve për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe stabilitetin politik dhe nxjerrin konkluzionin se ekzistonte një lidhje e fortë mes pushtetit të Zogut dhe ndërtimit të nacionalizmit shtetëror.

Fischer madje shkon më larg kur analizon nacionalizmin e mbretit Zog përballë rrymave fashiste dhe kur argumenton se Zogu kontribuoi në zëvendësimin gradual të besnikërive fisnore dhe lokale me një formë të nacionalizmit modern, shtetëror.

Ai bile e konsideron Zogun më tepër si pragmatist, ku ai kërkonte të ruante sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë, duke shmangur aventurizmin irredentist.

Shumica e autorëve pranojnë se gjatë kohës së Mbretit Zog ndërtimi i shtetit dhe ndërtimi i kombit u shkrinë në një projekt të centralizuar shtetëror dhe identiteti kombëtar u lidh me shtetin.

Studime si ato të universitetit La Sapienza e lidhin politikën e Zogut me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, ku Zogu synonte dobësimin e faktorëve përçarës (si besnikëria rajonale, ndarja veri-jug ose dallimet fetare) në favor të një ndërgjegjeje kombëtare më të unifikuar.

Edhe pse Zogu mund të konsiderohet si një nacionalist jo konvencional, këto vlera ishin ndoshta trashëgimia zogiste kryesore e Baletës.

Për këtë, Abdi Baleta do të shkruante më vonë (Bota Sot, më 19/10/1996): “duke sulmuar Ahmet Zogun është sulmuar nacionalizmi shqiptar.”

Kjo trashëgimi dhe ky nacionalizëm përforcoheshin nga qëndrimet e mbretit Leka, i cili ishte shkruar në traditën e nacionalizmit pan-shqiptar dhe të së djathtës, dhe që konsideronte se kombi shqiptar duhej bashkuar në aspektin etnik.

Gjatë vizitës së parë të Oborrit mbretëror në Shqipni, më 26/06/1993, kishin filluar kontaktet me Abdi Baletën.

Në një raport sekret që z. Skender Zogu i dërgoi Mbretit pas vizitës 1-mujore në Shqipni, theksohet se Abdi Baleta është personaliteti më i vlefshëm në Shqipni.

Nuk ishte pra rastësi që Abdi Baleta ishte i vetmi politikan, madje në cilësinë e deputetit, që shkoi në Rinas më 20/11/1993 për ta shoqëruar disa orë mbretin Leka, në çastet kur ai u dëbua brenda më pak se 24 orësh pas ardhjes së tij në Tiranë, më dt. 19/11/1993.

Për ngjarjen e dëbimit të mbretit Leka më 20/11/1993, Baleta do të botonte një artikull të gjatë “Dëbimi i dytë i Leka Zogut” (Dardania, nëntor 1993, numri 27), ku do të shkruante:

“Si shqiptar dhe si deputet e kam ndjerë veten në pozitë vërtet të pakëndshme, përballë një njeriu që po trajtohej në një mënyrë të paarsyeshme, përpara birit të një burri të shquar e figure të rëndësishme të historisë shqiptare, të cilit atdheu i tij, vendlindja e vendvarrimi i stërgjyshërve të tij po i mohonte atë që s’mund të mohohej: pritjen dhe qëndrimin në truallin e vet.”

Më vonë do të shkruante (E Djathta Kombëtare, 10/10/1995) se:

“Jam takuar për herë të parë me mbretin atë ditë fatkeqe për nderin e Shqipërisë e do të thoja edhe të regjimit politik në Shqipëri, kur e përzunë në mënyrë të turpshme nga Rinasi me një veprim krejt të paligjshëm.”

As nuk ishte rastësi që pushteti i asaj kohe po mbante qëndrime gjithnjë e më të ashpra ndaj të djathtës dhe kauzave të saj.

Më 27/11/1993, gazeta RD shkruante: “PD i thotë jo ekstremit të djathtë”, ndërsa qeveria shpallte vitin 1994 “Vitin e Nolit”, si për t’i bërë karshillet mbretërisë shqiptare dhe mbretit Leka.

Situata politike dhe sociale ishte bërë e rëndë dhe diçka po vlonte.

Përtej kushteve ekonomike të vështira dhe pakënaqësisë në rritje, shtresa të caktuara, esencialisht të djathta, kishin filluar të ndërgjegjësoheshin.

Në këto kushte, mbreti Leka ftoi në Johannesburg, nga data 11 deri më 21 mars 1994, një delegacion prej 11 vetësh nga Tirana, ndër të cilët dalloheshin Abdi Baleta dhe Kurt Kola (bashkë me kryetarin e PLL, Dr. Guri Durollarin).

Procesverbali prej 13 faqesh i bisedimeve me mbretin Leka, që mban datën 17/03/1994, i shkruar nga dora e Abdi Baletës, nuk është botuar asnjëherë deri më sot.

Megjithatë, mund të citojmë disa pasazhe, për të kuptuar frymën katërcipërisht nacionaliste dhe të djathtë të bisedimeve në atë kohë, të cilën Abdi Baleta e quante “strategji për Shqipërinë etnike”:

1. “Të gjithë pjesëmarrësit ishin të një mendimi se problemi më madhor i të gjithë shqiptarëve është e duhet të jetë bashkimi i trojeve etnike shqiptare, krijimi i një shteti kombëtar të lirë, demokratik e të përparuar, në kufijtë e Shqipërisë etnike. U theksua se forcimi politik, ekonomik, ushtarak e moral i shtetit shqiptar ka rëndësi shumë të madhe për të mbrojtur e realizuar të drejtat kombëtare të vëllezërve tanë në Kosovë e në Çamëri, në Maqedoni, në Sanxhak e në Malit të Zi. Përpjekjet për realizimin e Shqipërisë etnike janë e do të mbeten qëllimi më i lartë i Naltmadhnisë së Tij Leka I, Mbret i shqiptarëve, i të gjitha forcave politike atdhetare e nacionaliste shqiptare dhe i shqiptarëve atdhedashës dhe kombdashës.”

2. “Forcat komuniste e neokomuniste janë shumë aktive dhe me ndikim në shtresa të caktuara të popullit. Për këto arsye u shpreh dhe u mbështet mendimi se ka shumë rëndësi, për arritjen e stabilitetit politik në Shqipëri e zgjidhjen e çështjes kombëtare, që të arrihet e forcohet bashkëpunimi midis forcave politike nacionaliste dhe të krijohet një front i djathtë nacionalist.”

3. “Vetëm një front i djathtë nacionalist mund të nxjerrë Shqipërinë nga vështirësitë elektorale, t’i garantojë vendit një qeveri kombëtare të aftë për t’i përballuar të gjithë problemet e brendshme e të jashtme. Do të bëhen përpjekje që në këtë front të djathtë nacionalist të gjejë miratim ideja për organizimin e një referendumi mbarëpopullor për formën e regjimit.”

4. “Në bisedime u theksua se Shqipëria duhet të ketë një politikë të jashtme e veprimtari diplomatike thellësisht kombëtare dhe të aftë që t’ju bëjë ballë stuhive të armiqve. Kombi shqiptar duhet të zejë vend në familjen europiane si një komb i bashkuar, me dinjitetin e personalitetin e vet. Duhet kundërshtuar çdo zgjidhje apo opsion politik e diplomatik që synon të ndajë e coptojë trojet etnike shqiptare në shumë shtete.”

5. “Sot ka shumë rëndësi të mbrohet me vendosmëri autoqefalia e Kishës Kombëtare Ortodokse Shqiptare.”

6. “Në vendet e mëdha e të zhvilluara të Europës e të rajoneve të tjera të Mesdheut e Lindjes së Mesme po rritet interesi për Shqipërinë dhe dëshira e shumë qarqeve politike për të treguar mirëkuptim më të madh për çështjen kombëtare shqiptare. Por detyra e një diplomacie kombëtare shqiptare është që të kërkohen me zemër të pastër e zë më të lartë të drejtat e kombit shqiptar e të kundërshtohet çdo zgjidhje e problemit shqiptar që mund të cenojë të drejtat e kombit tonë për hir të zgjidhjeve që u përshtaten qarqeve diplomatike ndërkombëtare.”

7. “Shqipëria duhet të synojë të ketë marrëdhënie sa më të mira me fqinjët e saj, mbi baza respektive reciproke, por në asnjë mënyrë duke sakrifikuar interesat e veta.”

8. “U gjendën me vend sugjerimet e pjesëmarrësve në takim që forcat politike nacionaliste, që veprojnë në Shqipëri e diasporë, të organizojnë më mirë mjetet e tyre të informimit për t’iu kundërvënë propagandës antishqiptare që zhvillohet në Shqipëri e jashtë saj nga forcat regresive, nga elementë kozmopolitë apo grupe e organe shtypi që financohen nga shovinistët fqinjë.”

9. “Në bisedime u përkrah nga gjithë pjesëmarrësit mendimi se forcat politike të djathta kombëtare nuk janë të dëshirës të bëjnë asnjë veprim që destabilizon gjendjen e sotme shqiptare. Ato janë për respektimin e forcimin e rregullit dhe të shtetit ligjor. Ato nuk janë për qëndrime e parulla mashtruese, si, bie fjala, për zgjedhje të parakohshme. Por forcat nacionaliste e kanë për detyrë të jenë syçela, që të mos zihen në befasi nga manovra të forcave të majta që synojnë përfitime vetjake në dëm të interesave të atdheut.”

Menjëherë pas përfundimit të këtij takimi në Johanesburg dhe kthimit të pjesëmarrësve në Tiranë, më datë 29/03/1994, Drejtoria e Policisë Kufitare të Tiranës merrte nga lart telin numër 572, ku shkruhej:

“Lënda: Mbi Leka Zogun dhe Abedin Mulosmanin. Ju tërheqim vëmendjen që të bëni kujdes të mos lejoni hyrjen në vendin tonë me asnjë lloj dokumenti (pasaportë) të Leka Zogut dhe Abedin Mulosmanit. Merrni masa për të njoftuar pikat e kontrollit kufitar.”

Më datë 02/04/1994, Drejtoria e Policisë Kufitare e përcolli këtë vendim në të gjitha pikat e kontrollit kufitar me anë të telit numër 609.

Abdi Baleta e denoncoi natyrisht këtë veprim, që e konsideronte antikombëtar.

Në fakt, procesi i shkëputjes përfundimtare të Abdi Baletës me Partinë Demokratike ishte në mbyllje.

Ndërkaq, Kryesia e Shoqatës Kombëtare të ish-të Dënuarve dhe të Persekutuarve politikë të Shqipërisë publikoi një komunikatë, me datën 07/04/1994 (Liria, numër 212), pra sapo u kthyen nga Johannesburgu, ku, ndër të tjera, do të theksonte:

“Që vendi të mos ndodhet përpara të papriturave të mundshme, ne jemi për organizimin e një grupimi të fuqishëm nacionalist, esencialisht të djathtë.”

Më 05/08/1994 filloi greva e urisë e Shoqatës së ish-të Dënuarve dhe të Persekutuarve Politikë.

Duke lënë këtu mënjanë trajtimin e kësaj greve nga qeveria e asaj kohe, kujtojmë vetëm se shtypi zyrtar i pushtetit hapte faqen e parë me titullin “Shqipëria qeveriset nga Tirana, jo nga Johannesburgu.”

Në lidhje me këtë deklaratë zyrtare të qeverisë, Abdi Baleta do t’i përgjigjej më vonë (Republika, janar 1995), pyetjes së gazetarit Salih Kabashi: “Në Shqipëri ka zëra që ju akuzojnë për organizimin e grevës dhe që thonë se, pasi u kthyet nga Johannesburg-u, filloi greva”, me këto fjalë:

“Jo vetëm që s’ka gjë të vërtetë, por është një idiotësi dhe një poshtërsi së bashku. Për mua kjo është version politik tipik UDB-ash.”

Në fakt, kushtet ishin pjekur në shoqërinë shqiptare për krijimin e një alternative të djathtë nacionaliste, por qarqe të caktuara përpiqeshin që ta asfiksonin atë në embrion.

Bashkë me krijimin e Partisë së Djathtë Demokratike, më vonë, e riemërtuar Partia Rimëkëmbja Kombëtare (më 21/11/1995), u bënë edhe përpjekje të ndryshme për krijimin e një poli të djathtë.

Fatkeqësisht, këto përpjekje u sabotuan dhe dështuan.

Tentativa të ndryshme u konkretizuan gjithsesi!

E Djathta e Bashkuar ose Lidhja e Djathtë Shqiptare nuk arritën një marrëveshje për një konkurrim të përbashkët në zgjedhjet lokale të vitit 1996.

Megjithatë, në kundërshtim me vendimin e organeve qendrore të tyre respektive, degët e Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar në Shkodër, në kuadrin e të Djathtës së Bashkuar Shkodrane, arritën të fitonin Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet vendore të vitit 1996.

Këto zgjedhje dhe ky rezultat, edhe pse lokal, ishin një sinjal i fortë për qytetarët se një alternativë nacionaliste e djathtë mund të korrte sukses.

Por ishte një sinjal edhe më i fortë për pushtetin dhe forcat e tjera politike të krijuara mbi rrënojat e Partisë së Punës së Shqipërisë.

U përdorën mënyra të ndryshme për minimin dhe sabotimin e një poli të djathtë antikomunist dhe nacionalist!

Marrëzia shkoi deri në atë pikë sa, në kongresin e Partisë Lëvizja e Legalitetit (21.11.1996), në përshëndetjen e vet drejtuar këtij kongresi, presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, u shkruan legalistëve:

“Mbretërorët shqiptarë, duke çmuar kontributin e pamohueshëm të Ahmet Zogut në ndërtimin e shtetit shqiptar, besoj se nuk do të pajtoheshin me likuidimin, për motive politike, të burrave të shquar dhe të mëdhenj të kombit shqiptar, as edhe me braktisjen që ai i bëri vendit në një ndër momentet dramatike të historisë sonë kombëtare.”

Për ironi, as PLL-ja dhe as organi i saj zyrtar, pra gazeta Atdheu, nuk reaguan ndaj kësaj sfide drejtuar legalistëve dhe mbështetësve të Mbretërisë, pikërisht në kongresin e PLL-së.

Por ishte Abdi Baleta i vetmi që, më 26/11/1996, me një shkrim të gjatë në gazetën Rimëkëmbja, u tregoi kufijtë e arës pasuesve ideologjikë të PPSH-së.

Pikërisht ishte po ashtu vetëm Abdi Baleta, nëpërmjet gazetës Rimëkëmbja, që i dha jehonë kthimit të dekoratës që ish-sekretari i përgjithshëm i Legalitetit, doktor Fuat Myftija, i bëri presidentit Berisha për shkak të asaj deklarate në kongresin e Partisë Lëvizja e Legalitetit.

Me ngjarjet e vitit 1997 dhe kthimin e mbretit Leka I në Shqipëri, Baleta do të botonte disa artikuj dhe mbante qëndrim në favor të mbretit dhe monarkisë, edhe pse “intrigat e Pallatit” do të mundësonin një largim ose shkëputjeje.

Për këtë situatë, zoti Skënder Zogu do t’i shkruante mbretit Leka I për t’i shprehur indinjatën e vet se si disa njerëz të Oborrit e kishin pritur Baletën në një mënyrë të tillë, sa që ishte krijuar një ftohje.

Por Baleta nuk ndryshonte qëndrimin dhe bindjet e veta për shkak të disa injorantëve, inatçinjve, intrigantëve ose spiunëve, të cilët i njihte mirë, bashkë me metodat e tyre, dhe e dinte se nuk mund t’i bënin asnjë dëm atij, por se ata vetëm e dëmtonin mbretin dhe kauzën kombëtare.

Në vazhdim gjejmë Abdi Baletën, autor i disa librave dhe të qindra artikujve dhe qëndrimeve për çështjen kombëtare, sidomos gjatë viteve 1998–1999 dhe luftës në Kosovë, si edhe gjatë luftës në Maqedoni dhe në vazhdim.

Këto artikuj dhe këto qëndrime kanë kontribuar padyshim në formimin e ndërgjegjes kombëtare tek shumë shqiptarë në kushtet e pasdiktaturës komuniste dhe në krijimin e një shkolle të nacionalizmit.

Mund të citojmë disa tituj artikujsh për të kuptuar thelbin e mendimit të Abdi Baletës në raport me çështjen kombëtar, si:

“Pa nacionalizëm në Europë s’je kurrgjë” (Rilindja, 23/10/1996)

“Ithtarët e Enverizmit janë ithtarë të shovenizmit serb” (Rilindja, 25/10/1996)

“Në politikë, avokati i tradhëtisë bën tradhëti më të rëndë” (Rilindja, 26/08/1995)

“Kombi është mbi familjen, fisin, krahinën” (Bota Sot, 08/03/2000)

“Falsifikojnë të vërtetat historike për t’u shërbyer sllavo-grekëve” (Bota Sot, 14/03/2000)

“Minoriteti grek, kryeurë ekspansioni në Shqipëri” (Bota Sot, 01/03/2000)

“Vazhdon akuza e marrë dhe qesharake ‘Muslimanizmi i shqiptarëve përbën krim’” (Bota Sot, 16/03/2000)

Si për ta mbyllur ciklin dhe një jetë në shërbim të kombit, shkrimi i fundit i Abdi Baletës, pak ditë para ndarjes nga kjo jetë, do të ishte artikulli “Ahmet Zogu: figurë qendrore e historisë shqiptare”, botuar më dt. 03/09/2025 në revistën Shenja.

Në përfundim, mund të themi pa mëdyshje se Abdi Baleta ishte një ndër trashëgimtarët më besnikë të filozofisë shtetformuese dhe kombëtariste zogiste, një nacionalist guximtar dhe atipik, ashtu si Mbreti Leka.

Ai nuk ishte mbretëror i verbër dhe ishte kundër përdorimit të Mbretërisë për oportunizëm apo interesa politike dhe partiake.

Nuk ishte për rivendosjen e sistemit mbretëror për shkak të një bindjeje ndaj të drejtës së trashëgimisë, por si rrjedhojë e një analize shkencore dhe objektive, si intelektual që ishte, të shtetit, kombit dhe shoqërisë shqiptare.

Në kushtet e pas Luftës së Ftohtë dhe të pas rënies së diktaturës komuniste dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Abdi Baleta ishte dhe vepronte për një shtet unitar shqiptar dhe besonte se Mbreti Leka I ishte njeriu i duhur për ta drejtuar vendin tonë të bashkuar dhe kombin shqiptar drejt një të ardhme të ndritshme.

Sulejman Gjana
Ish-kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat