Me dhimbje të thellë redaksia e gazetës “Bota Sot” mori lajmin për ndarjen nga jeta, në moshën 84-vjeçare, të publicistit, diplomatit dhe politikanit të shquar shqiptar, Abdi Baleta.
Baleta ishte një nga mendjet më të ndritura dhe zërat më të fuqishëm të publicistikës shqiptare në dekadat e fundit. Pasi përfaqësoi Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ai u bë i njohur për publikun e gjerë me fjalimet e tij në Parlamentin e Shqipërisë dhe sidomos me shkrimet e tij në shtyp, ku gjithmonë mbrojti me forcë të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe identitet kombëtar.
Në periudhën para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, Abdi Baleta ishte redaktor përgjegjës i gazetës “Bota Sot” në Tiranë. Nën drejtimin e tij, kjo gazetë u bë tribunë e fuqishme e çështjes shqiptare, duke informuar, ndërgjegjësuar dhe mobilizuar opinionin publik për Kosovën dhe gjithë trojet shqiptare. Shkrimet e tij ishin ndër më të lexuarat, sepse flisnin me guxim e sinqeritet, pa bërë kompromis me të vërtetën.
Baleta ishte publicisti që lexuesit e donin dhe e respektonin, sepse përveç erudicionit dhe njohjes së thellë të ligjit ndërkombëtar e gjeopolitikës, ai kishte një pasion të pashuar për kombin. Shumë nga analizat e tij mbeten aktuale edhe sot, si dëshmi e një mendjeje vizionare.
Redaksia e “Bota Sot” shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë botës intelektuale shqiptare për humbjen e këtij publicisti të madh.
Lavdi jetës dhe veprës së Abdi Baletës!