Vllaznia superiore

Futboll

Vllaznia superiore

Më: 18 prill 2021 Në ora: 15:27
Vllaznia superiore

Pas dy barazimeve radhazi pa gola, sulmi i Vllaznisë “shfryn” në transfertën fierake ndaj Apolonisë dhe dërgon plot 6 herë topin në rrjetë, duke u dhënë fitoren e pastër tenistike 0-6 shkodranëve, që tani ngjiten në krye me 50 pikë, po aq sa ka edhe Partizani.

Ndaj një Apolonie të dorëzuar në garën për mbijetesë, kuqeblutë nuk e patën aspak të vështirë dhe zhbllokuan sfidën që në minutën e 15’ me anën e brazilianit Da Silva, që u harrua në zonë nga mbrojtja vendase dhe mposhti portierin Harizaj.

Vetëm 8 minuta më vonë ishte sërish braziliani Da Silva që kombinoi bukur me Haris Dilaver dhe sulmuesi boshnjak nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë për herë të dytë, duke u rikthyer pas shumë muajsh të shënojë gol me aksion.

Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 3-0, teksa pas një krosimi nga këndi, Ardit Hoxha u harrua në shtyllën e dytë dhe nga fare pranë, zgjati këmbën e devijoi topin në rrjetën e portës së Harizajt.

Edhe 45-minutëshi i dytë nisi mjaft mirë për shkodranët, që në minutën e 53-të shënuan edhe golin e katërt me brazilianin Da Silva, i cili kompletoi edhe dopietën personale në këtë takim.

Ky gol mbylli njëherë e mirë llogaritë dhe i dha mundësinë trajnerit gjerman Thomas Brdaric që të racionalizojë forcat dhe njëkohësisht t’i japë kënaqësinë e debutimit edhe djalit të tij 21-vjeçar, Tim Brdariç.

Ky i fundit iu bashkua shkodranëve vetëm në muajin dhjetor dhe pas disa aktivizimeve me skuadrën B, debutoi edhe me ekipin e parë, duke mbajtur mbi shpinë numrin 5 dhe duke treguar autoritet e saktësi në vendosje e ndërhyrje.

Përveç aftësive mjaft të mira në mbrojtje, Brdariç tregoi nuhatje edhe për sulmin, pasi shënoi fillimisht me kokë, por goli iu anulua nga arbitri për pozicion jashtë loje milimetrik, ndërsa në minutën e 81-të ndoqi mirë aksionin dhe dërgoi sërish topin në rrjetë, këtë herë në mënyrë të rregullt, teksa festës për golin nuk mund t’i mungonte edhe një përqafim me babanë e njëkohësisht trajnerin e tij.

Shkodranët u treguan të pamëshirshëm ndaj vendasve dhe pas dy tentativave nga distanca të ndalura nga harizaj, gjetën edhe golin e 6 në minutën e 90’, me anë të sulmuesit vlonjat Ardit Hoxhaj, që ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi dhe kompletoi gjithashtu dopietën personale.

Kjo ishte fitorja më e thellë e Vllaznisë në kampionat, me kuqeblutë që rigjejnë entuziazmin e duhur për t’u rikthyer në garë për titullin kampion, ndërsa Apolonia duket inekzistente në fushë dhe e dorëzuar totalisht sa i përket garës për titull.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat