VOA: UEFA mund të ndalojë futbollistët e Superligës të marrin pjesë në Euro 2020 dhe Botëror

Futboll

VOA: UEFA mund të ndalojë futbollistët e Superligës të marrin pjesë në Euro 2020 dhe Botëror

Më: 19 prill 2021 Në ora: 19:01
Aleksander Ceferin

Futbollistët e 12 klubeve sportive që po krijojnë Supërligën e tyre mund të ndalohen të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit të këtij vit dhe Botërorin e vitit që vjen, tha të hënën Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin.

Zoti Ceferin foli pas takimit të komitetit ekzekutiv të UEFA-s të zhvilluar vetëm disa orë pasi klubet agleze, italiane dhe spanjolle të futbollit njoftuan projektin që kërcënon përçarjen e futbollit evropian.

“Ata nuk do të jenë në gjendje të përfaqësojnë ekipet e tyre kombëtare. UEFA dhe bota e futbollit qëndron e bashkuar kundër propozimit të turpshëm në interesin vetjak që kemi vënë re në 24 orët e fundit nga disa klube të veçanta në Evropë, që ushqehen thjeshtë nga makutëria mbi të gjitha”, tha zoti Ceferin.

Të 55 federatat, anëtare në UEFA, do të mblidhen të martën për një takim vjetor, përfshirë këtu edhe 24 vende që marrin pjesë në kampionatin Euro 2020.

“Sa më shpejt që të jetë e mundur ato (klubet) dhe lojtarët duhet të ndalohen të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet tona,” tha Ceferin.

Tre nga 12 klubet sportive rebele - Chelsea, Manchester City dhe Real Madrid - janë planifikuar të luajnë një gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve këtë muaj.

Më parë, 12 klubet që planifikojnë të fillojnë Supërligën e tyre u thanë drejtuesve të FIFA-s dhe UEFA-s se ata kanë filluar veprimet ligjore që synojnë të shmangin kërcënimet për bllokimin e pjesmarrjes së tyre në aktivitete.

Grupi në fjalë i dërgoi letrën zotit Ceferin dhe Presidentit të FIFA-s Gianni Infantino. Në të thuhej se Superliga kishte siguruar financimin prej 4 miliardë euro nga banka amerikane JPMorgan Chase.

Aktualisht, ekipet duhet të kualifikohen çdo vit përmes ligave të tyre të brendshme që të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve. Nga ana tjetër, Superliga do të siguronte 15 vende çdo sezon për ekipet themeluese të saj.

Lëvizja sizmike që po trondit sportin është krijuar pjesërisht nga pronarët amerikanë të ekipeve Arsenal, Liverpool dhe Manchester United, të cilët gjithashtu kanë të drejta ekskluze në ligat e mbyllura amerikane, një model që po përpiqen ta përsërisin në Evropë.

UEFA paralajmëroi klubet e Superligës, përfshirë Barcelonën, Realin e Madridit dhe Juventusin, se do të ndërmerren veprime ligjore kundër tyre, duke thënë se ato klube nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat e brendshme ekzistuese si Liga Spanjolle dhe Premier Liga.

“Jemi të shqetësuar se FIFA dhe UEFA mund të reagojnë ndaj kësaj ftese duke marrë masa ndëshkuese për të përjashtuar çdo klub ose lojtar nga garat e tyre përkatëse,” shkruhej në letrën që Superliga u ka dërguar zotërinjve Infantino dhe Ceferin, një kopje të së cilës ka arritur të shtjerë në dorë agjencia e lajmeve Associated Press.

“Deklarata juaj zyrtare na detyron të marrim hapa për mbrojtur veten nga një reagim i tillë i pafavorshëm, i cili jo vetëm që do të rrezikonte angazhimin për financimin, por në mënyrë të dukshme do të ishte i paligjshëm. Për këtë arsye SLCo (Superliga) ka depozituar një kërkesë para gjykatave përkatëse në mënyrë që të sigurojë krijimin dhe funksionimin pa ndërprerje të konkurrenës në përputhje me ligjet në fuqi”.

Emrat e gjykatave nuk përmendeshin në letër. Superliga ka në plan të nisë një garë me 20 ekipe me 15 klubet themeluese por vetëm 12 prej tyre janë regjistruar. Klubet e tjera janë Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester City dhe Tottenham i Anglisë, Atletico i Madridit dhe dy ekipe të Milanos, Inter dhe AC Milan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat