Kosova barazon me Shqipërinë, Fazlija: Rezultat i pranueshëm

Futboll

Kosova barazon me Shqipërinë, Fazlija: Rezultat i pranueshëm

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 22:31
Kosova barazon me Shqipërinë, Fazlija: Rezultat i pranueshëm

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka nisur me barazim fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”. Dardanet, të enjten, në stadiumin “Elbasan Arena” e kanë mbyllur përballjen me Kombëtaren e Shqipërisë, me rezultat 1:1.

Ndonëse të dyja ekipet e dëshiruan dhe u angazhuan për fitore, në fund u detyruan të kënaqen me nga një pikë.

Emocionet e përballjes së të dyja ekipeve të të njëjtit gjak ishin evidente dhe kjo u shfaq që nga intonimi i himneve por edhe në lojë, duke pasur parasysh se shumë lojtare nga Kosova luajnë në ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Të parat në epërsi kaluan futbollistet kuqezi, me golin e Megi Doçit nga penalltia, në minutën e 43-të. Ndërkaq, shifrat i barazoi e rikthyera te Kombëtarja e Kosovës, Valentina Limani, në minutën e 73-të pas asistimit të kapitenes Erëleta Memeti.

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija pas ndeshjes theksoi se në bazë të asaj se si rrodhi ndeshja, atëherë barazimi mund të jetë rezultat i pranueshëm, edhe pse në këtë duel kishin udhëtuar për 3 pikët. Ajo po ashtu e pranoi faktin se ndikim të madh pati edhe ngarkesa emocionale e lojtareve, duke ditur se përballeshin me Shqipërinë.

Këtë ndeshje nga afër e ndoqën edhe presidentët e dy federatave, Agim Ademi e Armando Duka. Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë më 21 shtator në “Fadil Vokrri” kundër Norvegjisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat