Investimet në infrastrukturë, FSHF: Bashkia e Tiranës injoroi projektin “100 fushat”

Futboll

Investimet në infrastrukturë, FSHF: Bashkia e Tiranës injoroi projektin “100 fushat”

Më: 21 janar 2022 Në ora: 17:15
Investimet në infrastrukturë, FSHF: Bashkia e Tiranës injoroi projektin “100 fushat”

Në konferencën e sotme për shtyp Federata Shqiptare e Futbollit i ka kthyer përgjigje edhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë për mungesën e fushave dhe investimet në infrastrukturën sportive në kryeqytet.

Drejtori i Komunikimit në FSHF, Andi Verçani, duke marrë fjalë në këtë konferencë ka sqaruar pretendimet e Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sipas të cilit FSHF është përgjegjëse për mungesën e investimeve në infrastrukturë sportive në kryeqytet.

Ndërkohë që në fakt është krejt e kundërta, teksa Verçani u shpreh se ndjen keqardhje që Bashkia e Tiranës nuk njeh territorin e vet dhe nuk shikon zhvillimet që po ndodhin përmes asistencës së vyer të FSHF-së. Ai ka publikuar edhe shkresat që vërtetojnë kërkesat e vazhdueshme të Federatës për të bashkëpunuar në kuadër të projektit të 100 fushave me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e që nuk kanë marrë përgjigje në asnjë rast, duke u injoruar.

“Kompleksi i Partizanit është rasti më konkret, ku ne e ftojmë edhe Bashkinë e Tiranës ta ndihmojë këtë klub, ku FSHF po investon një shumë të konsiderueshme të projektit. Tre fushat e reja që janë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, në kompleksin ‘Skënder Halili’ janë investim i FSHF-së si edhe fusha e katërt me bar natyral që shumë shpejt fillon procesin e rinovimit. Janë marrë vendime për ndërtimin e tre fushave të reja dhe një prej përfituesve është një anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ne po shohim se fushat e kompleksit Dajti në mes të Tiranës po tjetërsohen e po ndërtohen pallate. Jemi përballë një situate ku FSHF i është drejtuar me një shkresë zyrtare me datë 10.7.2020 Bashkisë së Tiranës ku i kërkon bashkëpunim për rivitalizimin e futbollit në Shqipëri.

E njëjta kërkesë për bashkëpunim i është dërguar 61 bashkive të vendit. I është dërguar edhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila ka dhënë një përgjigje refuzuese për këtë projekt. Duke mos marrë një përgjigje nga Bashkia Tiranë në mënyrë të vazhdueshme, unë si përfaqësues i FSHF-së kam pasur një takim më 7 nëntor me Zv.kryetarin e Bashkisë, Arbjan Mazniku, duke i shprehur shqetësimin e FSHF-së për ndërtimin e fushave të reja në qytetin e Tiranës, rikonstruksionin e tre fushave te Qyteti Studenti, që janë të braktisura dhe FSHF është e gatshme të investojë”, tha Verçani, duke e ftuar edhe një herë tjetër Bashkinë e Tiranës që të bashkëpunojë me FSHF për ndërtimin e fushave të reja dhe për rikonstruksionin e fushave të mbetura në harresë nga pushteti lokal.

“Kompleksi Dajti ku po ndërtohen pallate, për çdo fushë në Tiranë që bashkia ka në inventar, Federata është e gatshme të investojë dhe kërkon vetëm një përgjigje pozitive nga Veliaj. Jemi të hapur që të rikonstruktojmë dhe të bëjmë fusha të reja në gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës.

Presim që ato miliona euro të marra nga taksat për ndërtimin e stadiumit të investohen për infrastrukturën sportive të Tiranës. FSHF është e gatshme të financojë 50 me 50, në raste ekstreme dhe 100% të vlerës. Thjesht kërkojmë bashkëpunim, gjë që ka munguar dhe nuk ka përgjigje zyrtare. Kjo ndodh vetëm në Tiranë, pasi në Bashki të tjera ka ndodhur e kundërta, kemi gjetur mbështetje. Në Lushnje dhe në Kukës ka nisur puna për ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa fushave, në Gjirokastër po firmosim marrëveshje për të ndërtuar fusha të reja dhe për të investuar”, – tha Verçani.

Më poshtë, edhe shkresat që FSHF i ka drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shumë muaj më parë për bashkëpunim në drejtim të infrastrukturës sportiv.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat