Marshojnë drejt titullit të 4-t

Futboll

Marshojnë drejt titullit të 4-t

Më: 25 janar 2022 Në ora: 16:10
Marshojnë drejt titullit të 4-t

Yjet e Manchester Cityt kanë nisur pushimet pas barazimit me Sauthemptonin. Pep Guardiola i ka dhuruar skuadrës së tij një javë pushimi këtë dimër, pasi hoqi dorë nga plani për një grumbullim në Abu Dhabi.

“Qytetarët”, të cilët kryesojnë Premier Ligën +9 pikë nga vendi i dytë, Liverpuli, kishin planifikuar një kamp në temperaturat e ngrohta pas sfidës kundër Brojës me shokë, duke qenë se ndeshjen e tyre të ardhshme do ta kenë pas dy javësh.

Por, duke qenë se ata nuk do të luajnë sërish deri në 5 shkurt, kur kanë edhe përballjen e 1/16-ave të Kupës FA kundër Fulhamit, tekniku katalanas kërkon që ta shfrytëzojë këtë kohë për të rikarikuar bateritë e skuadrës së tij, e cila po marshon drejt titullit të katërt kampion në pesë vitet e fundit.

“Ne folëm me klubin dhe nuk është shumë e sigurt që të shkojmë atje të gjithë së bashku për shkak të virusit. Prandaj vendosëm që gjithkush mund të shkojë me familjen e tij. Ata do të kenë disa ditë pushimi për t’u çlodhur pak. Shumica e tyre nuk kanë për të pasur kurrë një javë pushimi, sepse do të shkojnë në grumbullim me kombëtaret. Ata mund të kalojnë pak kohë me familjarët dhe miqtë e tyre”, tha 51- vjeçari.

Algjeria u eliminua nga Kupa e Afrikës, por Rijad Mahrez mungoi në ndeshjen kundër Sauthemptonit: “Ai ka pushim një javë. Ka leje për të qëndruar një javë jashtë dhe do t’i bashkohet skuadrës javën e ardhshme”.

Guardiola nuk është i shqetësuar për ndalesën e skuadrës së tij këtë fundjavë, pavarësisht se Liverpuli u afrua në – 9, por rivalët kanë edhe një ndeshje më shumë në dispozicion, e cila mund ta shkurtojë akoma më shumë diferencën: “Ne e kishim thënë se titullin nuk do ta kishim fituar kurrë në janar. Më vjen mirë që tani ata që mendonin se kampionati ishte mbyllur, mendojnë të kundërtën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat