Begolli: Interes i lartë, vitin që vjen do të organizojmë një konferencë ndërkombëtare!

Futboll

Begolli: Interes i lartë, vitin që vjen do të organizojmë një konferencë ndërkombëtare!

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 00:08
Begolli: Interes i lartë

Departamenti i Mjekësisë në Federatën Shqiptare të Futbollit organizoi këto dy ditë një kurs të rëndësishëm për ndihmën e shpejtë dhe reanimimin kardiopulmonar me rreth 30 fizioterapistë shqiptarë, një pjesë e të cilëve janë në stafet e klubeve të Kampionatit “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.

Ky kurs që u zhvillua për herë të parë nga ky Departament, me praninë e drejtuesit të këtij Departamenti, Gianluca Stesina, Koordinatorit të Departamentit, Ilvi Begolli dhe mjekut të njohur, Dritan Todhe kishte në fokus të saj përgatitjen për reagimin e shpejtë në rast të situatave të rënda si ajo me Christian Eriksen në Europianin e fundit. Të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë të merrnin dhe të thellonin njohuritë e duhura përgjatë këtyre ditëve, qoftë nga ana teorike, por edhe nga ana praktike.

Në një prononcim për fshf.org, Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilvi Begolli shpjegoi tregoi se kursi ishte mjaft i arrirë dhe interesi i pjesëmarrësve ka qenë mjaft i lartë, për të marrë dhe thelluar njohuritë mbi ndihmën e shpejtë dhe reaniminin kardiopulmonar. “Kursi që zhvilluam këto ditë i është drejtuar fizioterapistëve të ekipeve të Abissnet Superiore, por edhe Kategorisë së Parë dhe kishte të bënte vetëm me ndihmën e shpejtë, reaniminin kardiopulmonar ose ndryshe BLSD dhe përdorimi i defribilatorit. Ka qenë një kurs goxha i arrirë, pasi përveç anës teorike, kemi pasur shumë praktikë. Interesimi i pjesëmarrësve ka qenë shumë i lartë dhe me interes për anën praktike.

Ky kurs zhvillohet për herë të parë në FSHF, është një përmbledhje e të gjithë modulëve që ne kemi zhvilluar përgjatë një viti dhe shpresojmë që të aplikohet nëpër ekipe. Urojmë mos të ketë raste ku të jetë e nevojshme ndërhyrja mjekësore për shpëtimin e jetës por nga informacionet që ne kemi nga klubet mungon koncepti i ndihmës së shpejtë apo reanimimit kardiopulmonar. Ne u munduam t’i ofronim dije se si mund të shpëtohet një jetë dhe sot qëllimi i këtij moduli ishte pikërisht se si ne mund të menaxhojmë ndihmën e shpejtë, se si mund të reanimojmë një sportist – tha Ilvi Begolli për fshf.org, ndërsa theksoi se për vitin që vjen, ky Departament do t’i implementojë këto module jo më vetëm për fizioterapistët, por edhe për mjekët, duke përditësuar edhe modulet sa i përket fushës së mjekësisë.  

“Në vitin që vjen, do ripërsërisim të njëjtin cikël modulesh, ku koncepti nuk do jetë më vetëm për fizioterapinë, por do përpiqemi që të implementojmë edhe ndihmën për mjekët. Shpresojmë që në vitet në vazhdim dhe në modulet që do zhvillojmë të implementojmë edhe anën mjekësore, antidopingun, medikamentet që përdoren, protokollet e trajtimit, infiltrimet që mund të bëjë një mjek ne rast se ka një sportist që do të futet sa më shpejt në fushën e lojës” – vijon Begolli.

Gjithashtu, Koordinatori i këtij Departamenti në FSHF paralajmëroi edhe një konferencë ndërkomëbtare, ku pritet të marrin pjesë mjekët e klubeve europiane për të referuar rreth mjekësisë sportive, një temë delikate dhe mjaft e rëndësishme për zhvillimin e futbollit shqiptar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat