Ore Edi Rama, mos u merr me Zvicrën e Xhakës dhe Shaqirit, ku është Liga Unike? Ja disa fakte për Kosovën...

Futboll

Ore Edi Rama, mos u merr me Zvicrën e Xhakës dhe Shaqirit, ku është Liga Unike? Ja disa fakte për Kosovën...

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 4 dhjetor 2022 Në ora: 12:57
Shaqiri e Xhaka

Edi Rama, merru me punët e tua në Tiranë. Edi Rama, mos u sill nga Kosova dhe Zvicra.

Edi Rama, kurrë mos reago, se reagimi juaj nuk na duhet! Nuk kemi nevojë për reagimin tuaj! Edi Rama, e ke pa edhe vet se miliarda njerëz u frymëzuan nga Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Këta janë djemtë të Kosovës, që janë rritur në frymën kombëtare.

“Nuk jam kryeministri i Zvicrës, por i Shqipërisë.

Nëse do ndaja dy shqiptarët që ne i shohim me dashuri dhe simpati të madhe. Çfarë do të bëja? Do ti përdorja për politikë. Dhe në një mënyrë aspak dinjitoze.

Do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak. Nacionalizimi është sa qesharak edhe i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme dhe kush e bën këtë me vjen keq. Nuk mund të shkëputen dy shqiptarë që janë qytetarë të një shteti si Zvicra.

Dhe nuk mund të përdoren si mish për top për një lojë luftash ballkanike. Sa i përket sanksioneve lidhen me politikën e FIFA-s.

E dini shumë mirë që është politikë strikte për të mos cenuar kuadrin sportiv nga asnjë lloj nuance politike”, kështu ka thënë Rama.

Festa e tyre nuk është politikë dhe askush nuk i ka përdorur për politikë, thjeshtë festë sportive! 

Shqiponja dykrenare nuk është nacionalizëm por është simbol kombëtar. Mbiemri Jashari është mbiemër krenar për gjithë shqiptarët dhe nuk është nacionalizëm! Sa për dijeni tuaj, në kombëtaren e Zvicrës është edhe Ardon Jashari.

Pse Serbia e ka fobi mbiemrin Jashari, nuk mund t’ja ndërrojmë mbiemrin Ardonit!

Edi Rama, ku ishe ore, që Liga Unike e basketbollit Kosovë – Shqipëri, u pezullua para pak kohe, me fajin që dy ekipet shqiptare hoqën dorë!

Edi Rama, Liga Unike kur u themelua, ju keni qenë pjesëmarrës aty! Edi Rama, me pezullimin e Ligës Unike Kosovë – Shqipëri, nuk e the asnjë fjalë! Heshte. Pse ore!

A qenka nacionalizëm edhe Liga Unike? Edi Rama, sa për dijeninë tuaj, në Ligën e Dytë ish jugosllave, me 8 prill të vitit 1990, në stadiumin e Prishtinës, milicia ish jugosllave ka rrahur futbollistët e Prishtinës, Gani Llapashticën, e kanë bërë për spital.

Në ndeshjen Prishtina dhe Proleteri i Zrenjaninit, e cila ka përfunduar baras (0:0) por me penallti ka fituar Proleteri me rezultat 7:6 dhe mori një pikë. Pas kësaj futet në fushë milicia ish jugosllave dhe me shufra gome sulmojnë lojtarët e Prishtinës. 

Edi Rama, a e di se shqiptari i parë që ka vesh fanellën e Kroacisë ende pa vdekur Jugosllavia artificiale, është Kujtim Shala.

Me 17 tetor të vitit 1990, Kujtim Shala është paraqitur titullar në ndeshjen revyale Kroaci – SHBA, që përfundoi me 2:1 për kroatët. Edi Rama, a e di që me 13 maj të vitit 1990 në Maksimir ndodhën trazirat dhe përleshjet e mëdha mes kroatëve dhe serbëve.

Ndeshja fare nuk u zhvillua mes Dinamos dhe Cërvena Zvezdës famëkeqe. A e di Edi Rama, se në këto trazira me Zvezdën ishte edhe krimineli Zhelko Razhnatoviq – Arkan. Edi Rama, sa për dijeninë tuaj, me 26 shtator të vitit 1990, u dogj flamuri ish jugosllav në stadiumin e “Poludit” në ndeshjen Hajduku – Partizani i Beogradit, edhe aty ishte një shqiptar në fushë, e ai quhet Ardian Kozniku.

Edi Rama, a e di që në vitin 1985, Prishtina pesë herë kampion i ish Jugosllavisë, Prishtina e gjeneratës së Xhevdet Pecit, u përjashtua nga liga, vetëm pse ishin shqiptarë dhe Xhevdet Peci u dënua përjetë që mos të merret me boks.  Edi Rama, a e di që e kemi të vetmin shqiptar që i ka dy medalje olimpike, ai është ish mundësi i mirënjohur Shaban Tërstena (i artë dhe i argjendtë).

Edi Rama, Kosova është djep i sportit, kemi tre medalje olimpike me xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi dhe trajnerin më të mirë në botë, Driton Kuka, dhe Serbia po i lufton, po e lufton Kosovën por nuk po e arrin qëllimin, që të na ndalojë sepse jemi shtet.

Ore Edi Rama, ku ishe Ti që 9 vite (1991-1999) luajtëm e garuam sportistët e Kosovës nëpër livadhe dhe fusha të improvizuara, Serbia e MIllosheviqit, që kishte zëdhënës Aleksandër Vuçiqin, na i ndërpreu ndeshjet, i kërcënuan, i arrestuan duke i dërguar në burgje.

Stadiumi i Prishtinës u uzurpua nga Arkani dhe gjithë stadiumet dhe palestrat tjera sportive në vitet e 90-ta. A e dini këtë? Sporti ka mbijetuar dhe nuk janë dorëzuar kurrë sportistët shqiptarë të Kosovës.

Kosova ka edhe një medalist tjetër olimpik, të bronztin Aziz Salihu.

Çfarë faj ka Xhaka e Xhaqiri, që dy herë e dërguan Serbinë në shtëpi, në vitin 2018 dhe në 2022.

A është nacionalizëm edhe ky?

Kjo është krenari mbarëkombëtare! Bota po flet për Xhakën, Shaqirin, Kosovën dhe shqiptarët! Po mburren me arsenalin tonë.

Edi Rama mos u sill me deklarata nga Kosova dhe Zvicra, investo në sportin shqiptar, ngrite nivelin sepse po na qan zemra për një medalje olimpike që ta ketë Shqipëria jonë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat