Lojtarit të Kosovës, i dyfishohet vlera në treg

Futboll

Lojtarit të Kosovës, i dyfishohet vlera në treg

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 23:44
Rrahmani

Forma e jashtëzakonshme e sulmuesit shqiptar të Kosovës, Albion Rrahmani te Rapidi i Bukureshtit, ka bërë që çmimi i tij të dyfishohet në tregun e futbollit.  

Aktualisht, vlera e Rrahmanit në treg është 1.2 milionë euro bazuar në faqen e specializuar  “transfermarkt.de”, dyfishi i asaj që Rapidi pagoi për ta transferuar nga kampionët e Ballkanit.

Në fillim të muajit gusht, Rrahmani u zyrtarizua te skuadra rumune dhe për më pak se dy muaj, ai ka rritur dukshëm vlerën e tij në treg. 

Në katër ndeshje të luajtura deri më tani në kampionatin e Rumanisë, Rrahmani ka shënuar 6 gola dhe ka bërë 1 asistim për Rapidin. Në fakt, Rrahmani, aktualisht është njëri prej tre lojtarëve më të shtrenjtë te Rapidi i Bukureshtit. 

Listën e kryeson portieri i Rapidit, Horatiu Moldovan. Vlera e Moldovanit është 1.6 milionë euro. Ndërkohë, mbrojtësi i krahut të majtë, Andrei Borza vlen 1.2 milionë euro, sa edhe Rrahmani.

Sulmuesi 23-vjeçar ka kontratë me Rapidin deri në verën e vitit 2026, por ditë më parë, ai ka paralajmëruar se nuk e ka ndërmend të qëndrojë gjatë te skuadra rumune. Ai ka pranuar haptazi se synimi i tij është që të luaj në njërën prej top-ligave të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat