Veseli i sinqertë: I zura vendin Gjimshitit në Europian, kemi një detyrë në Gjermani

Futboll

Veseli i sinqertë: I zura vendin Gjimshitit në Europian, kemi një detyrë në Gjermani

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 10:36
Frederik Veseli

Disa prej lojtarëve të kombëtares ishin pjesë e podcastit të kryeministrit, Edi Rama. Një prej tyre ishte edhe Frederik Veseli i cili në një moment gjatë bashkëbisedimit theksoi se në Europianin e Francës ia zuri vendin Berat Gjimshitit.

Mbrojtësi shtoi se kjo është një temë e cila ende e prek në momentin kur hapet dhe kujtohet se si në atë kohë De Biasi e la jashtë Gjimshitin. Ndër të tjera, Veseli u shpreh se në Gjermani pret shumë atmosferë nga tifozët shqiptarë dhe sipas tij detyra e skuadrës është që në fushë të pasqyrojë pikërisht harmoninë e tifozave kuqezi.

“Po në fakt unë isha në Europian, por nuk bëra kualifikime. I ka bërë të gjitha Berati dhe ia mora vendin unë. Më seleksionoi mua trajneri. Dhe doja të thoja para Beratit që çdo here që vjen kjo bisedë duket sikur ka një “elefant” në dhomë për mua, por fakti është që futbolli ka tendenca dhe ndryshon shumë, them dhe për ata që shqiptarë që kanë peshë në Europë.

Ndryshime ka pasur shumë se kemi pasur disa momente shumë të vështira. Mbaj mend kur kemi humbur dhe me Luksemburgun për shembull që nuk pranohej nga askush. Tani është moment shumë i bukur dhe mendoj që duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, të ecim përpara, mos ta bëjmë një hap para dhe të kthehemi dy hapa mbrapa.

Se kualifikimin e kemi marrë dhe normal duhet të shkojmë dhe në Gjermani ta tregojmë veten, t’i tregojmë dhe gjithë botës se me të vërtetë jemi të fortë si skuadër, si popull dhe si tifozeri shqiptare, unë e mbaj mend në Francë është i jashtëzakonshëm.

Të gjithë shokët e mi ma kanë lavdëruar tifon e shqiptarëve në Francë dhe besoj edhe në Gjermani kanë për t’u bërë shumë. Dhe puna jonë është të bëhemi si pasqyrë, tifon e shqiptarëve në fushë t’ia kthejmë me performanca të mira dhe mbas Europianit të ecim përpara dhe të mos kthehemi mbrapa”, u shpreh Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat