Verën e shkuar, ekipe si Atalanta e Juve zhvilluan sondazhe për Edon Zhegrova, talentin e Lille. Vlera e kartonit varionte nga 15-20 milionë euro, por situata ka ndryshuar totalisht këtë periudhë.
Zhegrova po zhvillon një super sezon, mbi të gjitha në Champins League, ku në tre ndeshjet e fundit, kundër Real, Atletico Madrid dhe Juve ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë, tani sipas Corriere dello Sport, drejtuesit e klubit francez e vlerësojnë kartonin e Zhegrovës me 30 milionë euro.
Jo vetëm Atalanta dhe Juve, në garë për të siguruar shërbimet e sulmuesit dardan është përfshirë edhe Milan. Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, Atalanta është një hap përpara pasi te Zhegrova shohin zëvendësuesin ideal të Lookman, me nigerianin që pritet të largohet në verë.
I pyetur për Serie A, ylli i përfaqësueses së Kosovës nuk e fshehu dëshirën që një ditë të luajë në Itali: “Më pëlqen futbolli italian, i ndjek gjithnjë ekipet e mëdha si Milan, shoh ndonjë ndeshje edhe të Juves. Në Kosovë ka shumë tifozë të Milan, Inter dhe Juve. Unë një ditë në Serie A? Pse jo? Më pëlqen shumë Milan”.