Penallti e paqenë referohet në Shtip në favor të Bregallnicës.
Marre e madhe!
Kjo është turp, të dëmtohet vetëm pse e ka emrin Shkëndijë, vetëm pse është skuadër shqiptare, kjo nuk do koment.
Shkëndija e Haraçinës është dëmtuar rëndë sot në Shtip, ku iu mohua ashiqare që të marrë kreun e tabelës, gjë që sigurisht do ta afronte shumë drejt inkuadrimit direkt në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Vendimi i gjyqtarit ka shkaktuar revoltë të madhe te futbollistët, stafi dhe tifozët e Shkëndijës, të cilët konsiderojnë se penalltia e akorduar për vendasit ishte tërësisht e paqenë dhe ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin final të ndeshjes.
Takimi u mbyll me rezultat 1:1, ndërsa gara për kreun mbetet dramatike në dy javët e fundit të kampionatit. Bregallnica kryeson me 65 pikë, dy më shumë se Skopje dhe Shkëndija, duke mbajtur ende gjithçka të hapur në luftën për ngjitje në elitë.
“KF Shkëndija 77 shpreh revoltën e ashpër ndaj ndarjes skandaloze të drejtësisë në ndeshjen e sotme në Shtip. Arbitri Aleksandar Grujoski, përmes një vendimi të pashpjegueshëm, akordoi një goditje dënimi (penallti) krejtësisht të paqenë, duke dëmtuar drejtpërdrejt ekipin tonë dhe integritetin e garës.
Nuk mund të tolerojmë që djersa e futbollistëve dhe investimi i klubit të nëpërkëmben nga vendime arbitrare që nuk kanë asnjë lidhje me rregullat e futbollit. Pamjet filmike janë dëshmia më e mirë e një padrejtësie që tjetërsoi rezultatin në fushë.
Kërkojmë nga organet kompetente të FFM-së që të marrin masa urgjente dhe të analizojnë me seriozitet këtë performancë tendencioze. Shkëndija nuk kërkon favorizim, por kërkon dhe do të insistojë gjithmonë për DREJTËSI në fushë.
Vazhdojmë të bashkuar kundër çdo pengese”, - reagon Shkëndija.