Botërori 2026, që do të nisë më 11 qershor, është tashmë në prag. Mes skuadrave të fundit që do të mbërrijnë në Amerikën e Veriut është edhe Irani, i cili pritet të mbërrijë në Meksikë vetëm më 7 qershor.
Aktualisht, futbollistët iranianë janë ende në pritje të vizave për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, vend ku do të zhvillojnë të tre ndeshjet e fazës së grupeve.
Kombëtarja po përgatitet në Turqi, ku të enjten do të luajë një ndeshje miqësore në Antalia kundër Malit, ndërsa pret dritën jeshile për udhëtimin drejt kontinentit amerikan.
Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar se vizat meksikane do të lëshohen brenda pak ditësh dhe më pas procedura për vizat amerikane do të përshpejtohet.
Sipas stafit të kombëtares, ekipi do të niset nga Antalia të shtunën, më 6 qershor, dhe do të mbërrijë në Tijuana të Meksikës në orët e para të së dielës.
Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme ka detyruar Iranin të ndryshojë në momentet e fundit vendin e grumbullimit.
Kampi stërvitor ishte planifikuar fillimisht në Tucson të Arizonës, por planet u rishikuan për shkak të rrethanave të sigurisë.
Një tjetër lajm i rëndësishëm lidhet me listën e lojtarëve të grumbulluar për Kupën e Botës. Irani ka lënë jashtë sulmuesin e tij më të njohur, Sardar Azmounm i cili aktivizohet te Shabab Al Ahli në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Lojtari nuk është përfshirë në skuadër pas polemikave të krijuara nga një postim në rrjetet sociale, pasi ishte fotografuar me kryeministrin e Emirateve të Bashkuara Arabe në një periudhë tensionesh të larta politike dhe ushtarake në rajon.
Për këtë arsye, sulmuesi nuk është përfshirë në listën përfundimtare të Iranit për Botërorin.
Skuadra e drejtuar nga Amir Ghalenoei bën pjesë në Grupin G dhe do t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet e saj në territorin amerikan.
Debutimi është caktuar më 15 qershor në Los Anxheles kundër Zelandës së Re. Më pas, Irani do të përballet me Belgjikën dhe Egjiptin në dy sfidat e tjera të grupit.