Inaugurohet "FIFA Talent Academy", dyzet talente të reja nisin rrugëtimin

Futboll

Inaugurohet "FIFA Talent Academy", dyzet talente të reja nisin rrugëtimin

Më: 2 shtator 2026 Në ora: 00:06
Pamje

Është inauguruar "FIFA Talent Academy në Kosovë", një projekt që synon identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve të reja sipas standardeve ndërkombëtare të FIFA-s.

Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, pjesë e gjeneratës së parë të kësaj akademie janë dyzet talente nga e gjithë Kosova, prej tyre njëzet vajza dhe njëzet djem.

"Për këta fëmijë, FIFA Talent Academy do të jetë shumë më tepër sesa një vend për stërvitje. Ajo do të jetë një hapësirë ku talenti takohet me dijen, disiplinën dhe mundësinë; një ambient ku ëndrrat e tyre për futbollin do të kenë mbështetjen dhe kushtet e nevojshme për t’u zhvilluar. Inaugurimi i FIFA Talent Academy në Kosovë përbën një moment të veçantë dhe historik për futbollin tonë", ka shkruar FFK. "Akademia e talenteve e FIFA-s në Kosovë është e treta në Evropë, por e para që funksionon me djem dhe vajza. Është e para e këtij lloji në regjion dhe e 15-ta në botë".

Sipas FFK-së, ky projekt është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit dhe partneritetit të fuqishëm ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s, por mbi të gjitha është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e futbollit kosovar

. "Përmes kësaj Akademie, synimi është që talentet të identifikohen që në moshë të re dhe t’u krijohet një rrugë e strukturuar zhvillimi, në mënyrë që potenciali i tyre të kultivohet sipas standardeve më të avancuara të futbollit botëror", ka theksuar FFK. "Sot, 20 vajza dhe 20 djem nga e gjithë Kosova e nisin këtë rrugëtim.

Ata përfaqësojnë jo vetëm gjeneratën e parë të FIFA Talent Academy në vendin tonë, por edhe ëndrrat e mijëra fëmijëve që çdo ditë luajnë futboll dhe ëndërrojnë që një ditë ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare". 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat