Gigi Becali deklaroi gjatë ditës së premte se mesfushori nga Kosova ka mundësi të debutojë me skuadrën kuqekaltër në derbin ndaj Dinamos, i cili zhvillohet të shtunën.
Pas prezantimit zyrtar, Meriton Korenica pati edhe një mesazh për tifozët e FCSB-së (Steaua).
Futbollisti nga Kosova tha se është i lumtur që ka firmosur me FCSB-në dhe se mezi pret t’i takojë tifozët të shtunën, çka tregon se tashmë është njoftuar se do të luajë në derbin ndaj Dinamos.
“Përshëndetje, tifozë! Jam shumë i lumtur që jam këtu.
Mezi pres të takohemi nesër. Ejani në stadium”, ka thënë Meriton Korenica në një video të publikuar në faqen zyrtare të klubit në Instagram.
Meriton Korenica (29 vjeç) është produkt i KF Rahovecit, ndërsa më pas ka luajtur për Shkëndijën e Tetovës, Metalurgun e Shkupit, FC Lirinë, FC Prishtinën, FC Ballkanin dhe Manisa FK.
Mesfushori shkoi në Rumani në verën e vitit 2024, kur Neluțu Varga pagoi 400 mijë euro për transferimin e tij. Që nga kontakti i parë me Superligën rumune, Meriton Korenica u dëshmua si një futbollist mbi nivelin e kampionatit, ndaj edhe vlera e tij në treg është rritur ndjeshëm.